Gary Kokalarit i ka dalë boja si karagjoz

Opinione

Gary Kokalarit i ka dalë boja si karagjoz

Nga: Eshref Ymeri Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 23:14
Eshref Ymeri

Në faqen e internetit të gazetës “Dita” të datës 22 tetor 2021, lexova materialin me titull“Letër e hapur ambasadores Kim, Gary Kokalari: Jam gati të vij në Shqipëri të dëshmoj për rolin e Berishës në aferat e Albpetrol, Armo, Gërdec dhe AEY”.

Gary Kokalari, me letrën që i ka drejtuar ambasadores Kim, është bërë karagjoz në sytë e opinionit publik shqiptar. Kjo për arsye se Kim nuk është prokurore në Republikën e Shqipërisë, ajo është në funksionin e saj si ambasadore. Nëse Kokalari ka fakte për ushtrim korrupsioni nga ana e Prof.dr. Sali Berishës, ato le t’ia përcjellë gjykatës franceze, ku ai ka ngritur padi për shpifje. Le t’ia përcjellë edhe Sekretarit të Departamentit të Shtetit Blinken, i cili ka marrë vendimin për shpalljen e tij “non grata”, se ato do t’i hyjnë në punë në procesin gjyqësor që do të zhvillohet në Paris. Aq më tepër që Gary Kokalari, Sekretarin Blinken e ka “në derë të shtëpisë” dhe s’ka nevojë të përballojë gjithë ato shpenzime për të shkuar deri në Tiranë për të denoncuar faktet te ambasadorja Kim.

Në faqen e internetit të gazetës “Shqiptarja.com”të datës 25 nëntor 2021, ishte botuar intervista e Prof.dr. Sali Berishës për“Zërin e Amerikës”.

Lidhur me këtë intervistë, në gazetë thuhet:

“Kjo nuk ka lënë indiferent një nga aktivistët më të njohur shqiptaro-amerikan, Gary Kokalari. Ai i ka dërguar një letër drejtoreshës së Zërit të Amerikës, Yolanda Lopez, për këtë intervistë që është zhvilluar nga seksioni shqip… Kokalari e pyet zonjën Lopez pse Zëri i Amerikës i dha Sali Berishës, një individi të sanksionuar nga DASH, një mundësi në përpjekjen për të zvogëluar pasojat e shpalljes së tij (non grata) nga DASH?”.

Në vijim, gazeta ka botuat letrën e plotë të Gary Kokalarit, dërguar drejtoreshës së Zërit të Amerikës.

Edhe me këtë letër të dytë, Gary Kokalari i ka shtuar edhe më shumë dozat e dyshimit të opinionit publik shqiptar për sjelljen e tij prej karagjozi. Radiostacioni Zëri i Amerikës është një institucion me shumë autoritet në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën, në shërbim të politikës amerikane brenda dhe jashtë vendit, prandaj intervista që i ka marrë Prof.dr. Sali Berishës nuk përbën kurrfarë shkeljeje të ligjit amerikan.

Për t’i bindur edhe më shumë lexuesit e nderuar për sjelljen prej karagjozi të Gary Kokalarit, po bëj një shtegtim më shumë se dhjetë vite prapa.

Pas zgjedhjeve vendore për kryetar bashkie të Tiranës më 08 maj 2011, në të cilat Rama votohej për mandatin e katërt, fitoren e siguroi Lulzim Basha. Rama nuk e pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe reagoi ashpër. Dy muaj pas përfundimit të atyre zgjedhjeve, unë pata botuar në internet një analizë të gjatë, me titull “Frymëmarrje paszgjedhore”, në të cilën theksoja reagimin plot mllef të Ramës si më poshtë:

“… U bënë kërcënime nga më paradoksalet jo vetëm nga zoti Rama, por edhe nga anëtarë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Puna arriti deri aty, saqë të deklarohej hapur se po nuk u rizgjodh Rama në krye të Bashkisë së Tiranës, mbarë vendi do të futej në një gjendje kaosi të vërtetë. Madje vetë Rama deklaroi se Shqipëria duhej “ta harronte” Bashkimin Evropian nëse ai nuk mbetej në krye të Bashkisë!!!"

Përveç këtyre kërcënimeve, Rama thirri në ndihmë edhe intelektualë të njohur, deri edhe të shquar dhe me tituj akademikë (ishte fjala për Kadarenë dhe për Qosen), të cilët bënë thirrje që Rama duhej ta ruante me domosdo postin e kryetarit të bashkisë.

I pari nga këta intelektualë ishte Gary Kokalari. Një amerikano-shqiptar ky që nuk di të flasë dhe të shkruajë në gjuhën shqipe dhe që qytetarëve shqiptarë u drejtohet në gjuhën angleze. Ja se çfarë deklaronte ky Kokalari në mbrojtje të Ramës:

“…Rezultati i zgjedhjeve ka qenë i manipuluar, dhe distanca e fitores së Ramës do të kishte qenë shumë më e gjerë nëse njerëzit e Berishës nuk do të kishin ndërhyrë në votë. Por, fitorja mbetet fitore, dhe KQZ-ja bën mirë ta konfirmojë. Nëse nuk e bën, atëherë nuk shtrohet më pyetja nëse do të ketë kryengritje, por kur…”. (Citohet sipas: “Kokalari, Arvizusë: Nëse KQZ s’konfirmon rezultatin, në Shqipëri do të ketë kryengritje”. Marrë nga faqja e internetit “Shekulli Online”. 16 maj 2011).

Tani që zoti Rama s’figuron më si kryetar bashkie, na mbetet veç të rrimë e të presim me “ankth në zemër ditën e shpërthimit të kryengritjes” në Shqipëri, siç na e ka parashikuar “profeti i pagabueshëm”, zoti Kokalari”.

Rrjedha e ngjarjeve vërtetoi plotësisht se nuk shpërtheu kurrfarë kryengritjeje, sipas parashikimeve të karagjozit Kokalari, i cili, me atë deklaratë, qe bërë fare qesharak, si njeri pa personalitet intelektuali.

Në intervistën që ka dhënë për gazetën “Dita” të datës 06 tetor 2021, Gary Kokalari ka deklaruar se Berisha është “një njeri që ka bërë më shumë se kushdo tjetër për të minuar demokratizimin e Shqipërisë…”.

Interesante! Gary Kokalari është naiv, i painformuar apo me këtë deklaratë kërkon të bëjë shaka prej karagjozi? Sepse gjatë tetë vjetëve të qeverisë Berisha (2005-2013), atdheun nuk e braktisën mbi gjysmë milionë shqiptarë, ata e braktisën atdheun gjatë tetë vjetëve të qeverisë Rama, çka dëshmon fare qartë se Rama jo vetëm pati vënë dinamitin në themelet e demokracisë shqiptare me varfërinë që mbolli në mbarë vendin, por s’iu drodh dora të ndizte edhe fitilat.

Përsëri, në kuadrin e qëndrimeve prej karagjozi, Gary Kokalari deklaron:

“Shqiptarët e SHBA nuk e duan Sali Berishën” (faqja e internetit e gazetës “Sot”. 03 dhjetor 2021).

Vetvetiu lind pyetja: ky Gary Kokalari ka bërë vallë ndonjë anketim të krejt Diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara lidhur me antipatinë që ajo ushqyeka ndaj Berishës? Apo dashuria pëvëlimtare ndaj Ramës e detyron të nxjerrë nga goja një absurditet të tillë? Me sa duket, Gary Kokalarit i qenka bërë kujtesa si kulluese makaronash, prandaj edhe nuk e mbaka mend që Berisha, para disa vjetësh, i kërkoi Ramës që, në zgjedhjet parlamentare të radhës, të votonte edhe Diaspora, por Rama refuzoi kategorikisht, me kërcënimin se partia socialiste nuk do të pranonte të hynte në zgjedhje.

Po si ka mundësi që Kokalarit nuk i ka rënë absolutisht në sy korrupsioni dhe hajdutëria e Ramës. Si shpjegohet që Kokalari ka heshtur dhe vazhdon të heshtë për disa fakte mjaft demaskuese për Ramën, të cilat po i rendis në vijim:

Ish-deputeti, i ndjeri Dritan Prifti, nga foltorja e Kuvendit ka deklaruar:

“A ka shqiptar, që beson se zoti Edi Rama është i pastrehë? Ai në deklaratën e tij të pasurisë thotë që është i pastrehë dhe ne të gjithë e dimë që Edi Rama është pronar i fshehtë i mbi 200 apartamenteve në Tiranë, sepse flasin ndërtuesit. Taksa e tij e jashtëligjshme është 30 euro metër katror për çdo leje ndërtimi që ka dhënë nga viti 2000 e deri sot. A ka shqiptar që e beson këtë gjë qesharake, që Edi Rama nuk ka shtëpi, që jeton me nënën e vet?” (Citohet sipas: Dritan Prifti. “Edi Rama vetëm me hundë thith tre mijë euro në ditë”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 10 korrik 2010).

Me politikën varfëruese që Rama ka ndjekur ndaj shumicës dërrmuese të popullit shqiptar, njerëzit kanë braktisur vendin në masë gjatë tetë vjetëve të qeverisjes së tij, çka ka sjellë si pasojë që Organizata e Kombeve të Bashkuara të vijë në një përfundim të frikshëm:

“Popullsia shqiptare rrezikon të katandiset me 860 mijë banorë deri në vitin 2100” (Faqja e internetit “monitor.al”. 08 maj 2018).

Martin Henze, këshilltar për çështjet ekonomike pranë partisë së kancelares gjermane Angela Merkel, CDU, nëpërmjet një postimi në Twitter, i ka bërë Ramës një pyetje të thjeshtë:

“A jeni arrestuar dhe burgosur në Francë në vitin 1994 dhe a keni bërë tregti, me ikona të vjedhura?”.(Citohet sipas: Poli Hoxha. “4 dëshmi: A ka qenë Edi (Edvin) Rama i arrestuar në Francë dhe pse e ndryshoi emrin pas akuzës së Nanos?!”. Faqja e internetit “VOAL”. 20 dhjetor 2019).

Gjegji Thimo, koleksionist i njohur ikonash, në studion e gazetarit Adi Krasta, ka deklaruar si më poshtë:

“Numri i Ramës i burgosur në Paris AL.1961138/a(Citohet sipas deklaratës së tij në studion e Tv “Syri”,i ftuar nga gazetari Adi Krasta. 30 qershor 2020).

Ish-Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit Bujar Leskaj, shkruan:

“… jemi në vendin e parë në Evropë për rrezikun e pastrimit të parave, në saje të “kontributit” madhor të sektit Rama në qeverisje” (Faqja e internetit e gazetës “Sot”. 02 dhjetor 2021).

Kokalari i ka arsyet e veta për urrejtjen që ushqen ndaj Berishës dhe për dashurinë përvëlimtare që ushqen ndaj Ramës. Qëndrimi i Kokalarit prej karagjozi shembullor, e bën opinionin publik të dyshojnë se dikur atë duhet “ta ketë vrarë samari” me Berishën, kurse për Ramën përvëlohet nga dashuria, se Rama është parelli i madh, prandaj edhe, si i munduar rëndë nga kompleksi i inferioritetit, s’e pati për gjë fare të shpenzonte 80 mijë dollarë vetëm për një fotografi me Presidentin Obama, për t’ua tundur shqiptarëve para hundës në mjetet e informimit masiv gjatë fushatës zgjedhore të radhës.

Është për të qeshur dhe për të qarë: Rama, i tmerruar nga foltorja e Berishës, dëshmon se është frikacak i madh dhe sa herë që i rrezikohet pushteti, ai vë në lëvizje sejmenët e vet për t’i dalë në mbrojtje. Sepse Rama, si frikacak i thekur që është, nuk e përfytyron dot veten jashtë pushtetit.

Stanislav Ezhi Lec (Stanisłaë Jerzy Lec - 1909-1966),poet, filozof, shkrimtar satirik polak, autor aforizmash, ka bërë një përcaktim të shkëlqyer për njerëzit e pushtuar nga epshet e pushtetit:

“Pushteti është i domosdoshëm për frikacakët. Pa pushtet ata e ndiejnë veten të tmerruar”.

Erik From (Erich Seligmann Fromm - 1900-1980), sociolog, filozof, psikolog social, psikoanalist gjerman, njëri nga themeluesit e neofrojdizmit, thotë:

“Në aspektin psikologjik, etja për pushtet i ka rrënjët jo te forca, por te dobësia. Në etjen për pushtet zbulohet paaftësia e individit për t’i dalë jetës përballë në vetmi dhe për të jetuar me forcat e veta”.

Në zgjedhjet vendore të 08 majit 2011, për të marrë mandatin e katërt për kryetar bashkie në Tiranë, siç u theksua më lart, Rama vuri në lëvizje tre sejmenë: Gary Kokalarin, Ismail Kadarenë dhe Rexhep Qosen. Këta dy të fundit s’po bëhen të gjallë për t’i dalë në mbrojtje. Prandaj Gary Kokalari tani ka marrë përsipër rolin e kryesejmenit të Ramës. Por zelli i tij prej kryesejmeni, ka bërë që ai, si i radhitur në krahun e Ramës, të vlerësohet nga opinioni publik edhe si i radhitur përkrah Vuçiçit. Sepse Gary Kokalari s’duhet ta harrojë që Rama, si kryeargat i Vuçiçit, ka kohë që ka bërë marrëveshje të fshehta me të kundër Republikës së Dardanisë.

Mirë do të ishte që Kokalari të bëhet një herë serioz në jetën e vet, sepse edhe qëndrimet e tij prej karagjozi duhet të kenë një farë karari.

Los Anxhelos, Kaliforni

03 dhjetor 2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat