Fusnota (“e shkrirë si flluskë”), për një moment, gati “e ngriu” Dardaninë

Opinione

Fusnota (“e shkrirë si flluskë”), për një moment, gati “e ngriu” Dardaninë

Hafiz Shala, New York Nga Hafiz Shala, New York Më 8 dhjetor 2021 Në ora: 06:39
Kryeministri i vendit, Albin Kurti

Duke tentuar që paraqitjen e Kryeministrit Kurti në takimin e Këshillit të Stabilizim- Asociimit në Bruksel, t’ia paraqesin si “lëshim” të tij me fusnotë e dihet cili ishte qëndrimi dhe lufta politike për një nënshtrim të atëhershëm të politikës servile, lexo, tradhtare ndaj vendit të përfaqësuar nga zonja Edita Tahiri nën direktivat dhe politikat e Hashim Thaçit, sot, Kryeministri Kurti ishte i detyruar që këtë poshtërsi politike me ketë fusnotë, të qëndrojë prapa saj ose ta bojkotojë takimin.

Në një seancë të Parlamentit të Dardanisë, ai pati deklaruar pos tjerash se kudo që shkon, ju po me dilni përpara, që do të thotë, pengesat e juaja të cilat më presin në vazhdimësi, ma vështirësojnë veprimin tim.

Zoti Borrell, ishte aq arrogant dhe i papërshtatshëm, provokuese dhe poshtërues, sikur të bisedonte me një kriminel lufte ose hajdut i cili e vodhi shtetin e tij për sa kohë që ai ishte në mandat të Kryeministrit.

Ai, duket harronte se kë e kishte bashkëbisedues sepse ishte mësuar më Hashim Thaçin më ia bërë lepe peqeje dhe të zgërdhihej në shenjë servilizmi, e, në asnjë moment nuk do ta ketë parasysh një kriminel në krye të shtetit serb i cili ishte bashkëveprues dhe bashkëpunëtor i Millosheviqit, përderisa atë e përkëdhelë.

Evropa e cila me qëndrime raciste ndaj një shteti e një kombi, nuk po ua vret mendjen e as moralin, nëse deri sot, asnjëherë nuk e patët guximin apo unë do të thosha se solidarizoheni më Borrellin, Lajçakun dhe Evropën e çakorduar e të përçarë sepse, nëse pesë shtete nuk e njohin Dardaninë, a duhet që ky vend dhe ky popull të diskriminohet deri në palcë për hir të tekeve tuaja dhe mentaliteteve të kohërave të 1878.

Keni hasë në një Kryeministër i cili me qëndrimet e tij të bazuara në fakte, me qëndrime të paluhatshme, sepse, e drejta është në anën e tij dhe të popullit të cilin e përfaqëson, ua nxjerri në pah politikat e juaja të cilat, asgjë më të mira se të paraardhësve tuaj, si Mogherini, por, qe e gjetën akranin e tyre duke i pranuar të gjitha kërkesat e Serbisë e, ju, zotëri të nderuar, i harroni krimet dhe kriminelët në krye të shtetit serb të cilët i vazhdojnë po ato politika të kohës së diktaturës së Millosheviqit.

Kryeministri i Dardanisë është i sulmuar nga të gjitha anët. Nga jashtë dhe nga brenda.

I sulmuar nga Evropa, sepse, u thotë troç të vërtetën të cilën e dinë por nuk duan t’ua thuash sepse, ky përfaqësues i një vendi të vogël, pse nuk është i dëgjueshëm dhe servil ndaj një Evrope e cila kurrë gjatë gjithë historisë, nuk tregoi mirësjellje e mirëkuptim ndaj këtij populli njëri ndër më të vjetrit në Ballkan dhe Evropë.

Pse zoti Borrell dhe ti Evropë radhiteni në anën e krimit dhe kriminelëve?! Pse zotëri të nderuar, e doni një shtet jo efikas apo gjysmak gjithmonë të varur e dirigjuar nga fqinji verior i cili si okupues shekullor, me dhunë u vendos në tokën autoktone dardane dhe aspiratat e tij nuk ndalen edhe sot e kësaj dite, sepse, e ka përkrahjen dhe përkëdheljen tuaj.

Por, ju dhe politikat tuaja, në bashkëpunim me servilo- tradhtarët sikur kryeministri shqiptar, Edvin Kristaq Rama i cili, bashkë më Hashim Thaçin e Aleksandër Vuçiqin, e iniciuan dhe u pajtuan për ndarjen e Dardanisë, për amnistimin e krimeve makabre gjenocidale serbe ndaj shqiptarëve të Dardanisë, për t’u shpëtuar nga Gjykata Speciale, për akuzat të cilat e rëndojnë, kur është fjala për ish kryeministrin, ish Presidentin dhe ish ministrin e punëve të jashtme, zotin Hashim Thaçin, i cili, po mos t’iu ndërprerë rruga në Vjenë në udhëtim për Uashington nga Prokurori amerikan Jack Smith i cili ia bëri me dije aktakuzën e cila e ngarkon dhe duhet të kthehet prapa, Dardania ishte para një copëtimi.

Edvin Kristaq Rama, i futur në kushedi çfarë obligimeve, e inicioi bashkë më “vëllain” e tij Vuçiqin dhe këlyshin e tyre, sa për sy e faqe, Zaevin, themelimin e një Mini Jugosllavi, një “botë serbe” dhe një “Ballkani të hapur”.

Dhe, edhe pas të gjitha këtyre sulmeve, kërcënimeve e shantazheve nga e ashtuquajtur opozita, e cila ja siç e panë sot dhe u vërtetuam se politikat e tyre përderisa ishin në pushtet si sundues për njëzet vjet në koalicione të ndryshme, e vodhën shtetin, u pasuruan jashtëligjshëm, vranë oponentë politikë, atdhetarë e intelektualë, vetëm për pushtet dhe përfitime materiale e që po shihen e preken. Populli po i sheh.

Partitë të cilat u formuan pas lufte, si, PDK, AAK dhe Nisma, e cila ishte pjesë e PDK-së ato, në të vërtetë, ishin klane, me programe dhe emërtime false sa për t’u fshehur prapa emrave të cilët nëpër koalicione të formuara në mes vete duke e përfshirë edhe LDK-në e cila, për këtë që po e përjeton Dardania, është bashkëfajtore.

Falja e 8200 ha. Malit të Zi, gjoja për liberalizim të vizave të cilin ende nuk e kemi dhe pranimi i kancerit në trupin e Dardanisë, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive, faktikisht e defunksionalizon shtetin e Dardanisë dhe e depavarëson atë që u shpall më 17 shkurt 2008. Dhe kjo ishte esenca dhe qëllimi i Serbisë në bashkëpunim me vasalët shqipfolës.

Kush është ai që e ka guximin ta pranojë një gjë të tillë, njëherësh duke e harruar sakrificën e popullit shqiptar dhe gjakun e derdhur të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Dardanisë, nga kushtrimi i familjes Jashari nga Kryeqyteti i Kryengritjes, Prekazi, i Drenicës heroike.

Gjenezën e politikës shkatërruese për Dardaninë, e kanë që nga viti 1999, së pari me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës për largimin e forcave serbe nga Dardania dhe me çarmatosjen e UÇK-së, aty filloi të zbatohet politika e fshehtë por qëllimkeqe e disa shteteve anëtare të NATO-s, posaçërisht Franca kur e kushtëzoi pjesëmarrjen në këto forca të përbashkëta, vetëm nëse u lejohet që ato të pozicionohen në veriun e Dardanisë.

Ashtu ndodhi por, ashtu ndodhi edhe ndarja e pjesës veriore me pëlqimin dhe vendimin e udhëheqësit politik të UÇK-së Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilët, turmën e njerëzve që donin të ktheheshin në shtëpitë e tyre, ua ndaluan dhe u premtuan se kjo shumë shpejtë do të ndodh.

Jemi gati në vitin 2022, ata të gjorë janë refugjatë në pjesën jugore të Mitrovicës.

E gjithë kjo, u zhvillua më ndihmën e KFOR-it francez nën përkujdesjen e shefit të inteligjencës së tyre, Denian Arnaud dhe bashkëpunëtorin dhe anëtarin e këtij shërbimi, zotin Hashim Thaçi, ashtu thuhet nga kolegët e ish SHIK-ut.

Tani, kur të kihen parasysh të gjitha këto ngjarje, nuk është vështirë se në çfarë presioni është Kryeministri Kurti nga shtetet e Bashkimit Evropian, në radhë të parë, Franca.

Nuk ishte rastësi kur gjatë vizitës së Kryeministrit Kurti në Francë, nëse nuk gaboj me ftesën e Presidentit Macron, temë boshte ishte, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.

Siç dihet historikisht, Franca është aleate dhe mike e Serbisë.

Nëse e pyetni ndokënd se kush e themeloi shtetin serb, besoj se shumica do të nguten duke thënë se “me siguri, Rusia”.

Në të vërtetë është Franca që në vitin 1831, e themeloi shtetin serb, prandaj, nuk janë aq të rrezikshme shtetet të cilat nuk e njohin Dardaninë por ndër kryesorët është Franca.

Kur po flitet e përflitet, ende asgjë zyrtare, ku thuhet së një ndër shtetet të cilat i ofrojnë siguri Thaçit që të qëndrojë jashtë burgut deri në verdiktin e fundit, është shteti francez, nuk është aspak e pabesueshme.

Ky shtet ka marrëdhënie të mira me Rusinë prandaj, Bashkimit Evropian i kanoset rreziku edhe nga brenda kur është në pyetje Franca.

Është shpresëdhënëse caktimi i përfaqësuesit të Mbretërisë së Bashkuar për bisedimet, Dardani-Serbi, pasi, përpos qëndrimit të pandryshuar ndaj Rusisë e që në të vërtetë janë në marrëdhënie të një lufte të ftoftë me Rusinë, kanë edhe mosmarrëveshje me Francën rreth shfrytëzimit të ujërave detare.

Nëse i kthehemi problemeve të brendshme, opozita është në gjendje të rëndë psikike sepse frika nga luftimi i krimit, korrupsionit dhe pasurimit enorm si rezultat i hajnisë në forma dhe metoda të ndryshme, miratimi i ligjit për konfiskimin e pasurisë, zbatimi i Vettingut në të gjitha nivelet, ani pse duhet bërë sipas Marrëveshjes së Venecias, ua ka futur frikën në palcë të gjithë atyre të cilët e kanë vjedhë shtëpinë- shtetin e vet, të cilët edhe pse deklarojnë se e kanë ”fituar me djersë”, e vërteta duket ndryshe sepse shihet dhe preket e nuk mund të fshihet.

Shteti ka nevojë më shumë se kurrë për unitet shtetëror dhe ndërpartiak.

Është vështirë që të pajtohen ato parti të cilat u formuan pas lufte me partitë tjera të cilat tërë kohën i kundërshtuan vendimet e dëmshme për shtetin dhe qytetarin, në këtë rast VV-ja dhe një pjesë e LDK-së e cila, e ka filluar spastrimin nga mbeturinat e asaj pjese të anëtarësisë dhe udhëheqjes së saj duke krijuar koalicione më partitë e klanit PANA-Pronto dhe kështu të futen në lojërat e pista nga të cilat nuk po mund të ç’kapen.

Ndryshimet kuadrovike, nëpër poste përgjegjëse, ministri e borde, disi ua ka prish strofullin e keqpërdoruesve në tentim që sa më shumë ende t’i mbajnë njerëzit e tyre të cilët do t’u ndihmojnë në fshehjen e veprimeve të dëmshëm të cilat shtetin e Dardanisë e kanë sjellë në një gjendje të rëndë, ekonomike si rezultat i hajnisë, politike, si rezultat e servilizmit dhe bashkëpunimit të ngushtë me armikun.

Si rezultat i hyrjeve në obligimet ndërkombëtare për pranimin e çfarëdo që u është ofruar, duke i lënë në një anë interesat afatgjata të shtetit, duke e harruar atë që fqinji ynë verior i shkaktoi Dardanisë dhe duke heshtur dhe duke e mos mbrojtur interesin shtetëror edhe atëherë kur tentohej të ndahej e të vihej në pozitë inferiore.

Opozita nuk ka kurrfarë të drejte t’i drejtojë akuza Kryeministrit Kurti për politikat e gabuara dhe vendimeve të dëmshme që jo vetëm se lejuan të ndodhin në Parlamentin e Dardanisë, por, ishin ata që bënin presion ndaj deputetëve.

Një anekdotë e një babi me të birin e tij kryeneç, i zhgënjyer, donte ta nemte keq dhe i drejtohet: Eu biri im, të bëftë Zoti kahre, kur të jesh më së ngushti.

Opozita, në vend se t’i ndihmojë Albinit i cili gjendet në këto presione për çështjet madhore, ata nuk ndalen duke penguar, duke ngacmuar, duke i organizuar të gjitha ato mbeturina të ish kastës politike që me çdo kusht të lirohen dhe mundësisht kjo Qeveri të bie edhe njëherë, për t’i shpëtuar drejtësisë, tani të pa kapur dhe të lirë.

Opozita nuk heziton që edhe Listës serbe t’i kërkojë bashkëpunim dhe bashkëveprim.

Harrojnë për një moment se kush ishin dhe ku ua caktoi sovrani vendin.

Mos t’u gëzohen shume zgjedhjeve lokale. Ato, nuk janë barometër real karshi zgjedhjeve nacionale.

Përfundimisht, shpëtimin duhet kërkuar te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mikun dhe shpëtimtarin tonë, gardian i qenies dhe funksionimit të shtetit tonë të cilët ishin dhe do të jenë krah nesh.

Kryeministri duhet sa më parë t’i vizitojë SHBA-të dhe të koordinohet me qëndrimet e tyre si një mik i vërtetë ndaj të cilit duhet varë të gjitha shpresat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat