Vizita në Kosovë e Presidentit Borut Pahor, mbresa dhe reflektime

Opinione

Vizita në Kosovë e Presidentit Borut Pahor, mbresa dhe reflektime

Prof. Dr. Zija Lleshi Nga Prof. Dr. Zija Lleshi Më 14 dhjetor 2021 Në ora: 22:52
Borut Pahor

Tani pas vizitës së Presidentit të Sllovenisë z. Borut Pahor Kosovës, të freskëta i kemi mbresat e kujtimet dhe për shumë kohë do t´i ruajmë ato. Pas çdo vizite të mikut njeriu ka dëshirë t´i thërret kujtimet nga ajo vizitë miqësore dhe jeton me ato kujtime. I kemi ende të gjalla kujtimet e vizitës parë të z. Pahor para tri vitesh. Kurse tani, para se të vijë në Kosovë, Presidenti i Sllovenisë z. Borut Pahor, në maj 2021 kishte vizituar Shqipërinë dhe ishte mysafir i Presidentit të Shqipërisë, z. Ilir Meta. Atje e kishin përshëndetur përzemërsisht populli i Shqipërisë, më pak se gjysma e shqiptarëve që jetojmë kompakt në Ballkan.

Presidenti i Sllovenisë, z. Borut Pahor, është personalitet i njohur dhe shumë i dashur e i respektuar nga të gjithë shqiptarët. Zoti Pahor vjen nga shteti që është në fqinjësi me shtetet e demokracisë perëndimore dhe disi është përshtypja se e “prekë me dorë” atë demokraci dhe gjithnjë presim të përcjellë atë frymë dhe atë mesazh të asaj demokracie. Në fakt shqiptarët tjerë, jashtë Shqipërisë, që janë akoma më shumë se ata që janë në Shqipëri, për të pasur kënaqësinë dhe për ta përshëndetur nga afër e të marrin mesazhet nga z. Pahor duhet të “presin në rend”.

Vizita e z. Pahor para tri vitesh ishte një vizitë shumë mbresëlënëse, por ja që patëm nderin dhe kënaqësinë të vije edhe tani. Por për ta përshëndetur të gjithë, ca 7 milionw  shqiptarët në Ballkan, nuk është punë e thjeshtë dhe punë e lehtë sepse duhet të bie krejt rrotull e rrotull, e rreth e përqark, dhe pas Kosovës të bëjë vizita edhe në katër (4) shtete tjera për rreth. Presidentja e Kosovës zonja Vjosa Osmani, ylli i demokracisë, në këtë aspekt do ta ketë plotësisht më lehtë sepse sapo të arrijë në Slloveni  dhe Lubjanë do t´i përshëndet dhe do të merr përshëndetje pothuaj nga gati i gjithë populli slloven përnjëherë dhe pa bredhur andej e këndej, prej një shteti në shtetin tjetër.

Kosova dhe Sllovenia marrëdhëniet e tyre nuk i bazojnë në fqinjësi që nuk ekziston, sikur bj. fj. Sllovenia dhe Kroacia, me problemet ndërkufitare të tyre. Por Sllovenia ka shumë firma ekonomike në Beograd dhe gjithandej nëpër Serbi, prandaj duhet të jetë e matur dhe e kujdesshme në veprimet e veta politike sepse çdo sjellje apo veprim që nuk shkon në favor të politikës Serbisë, qoftë në relacion me Kroacinë, qoftë me Kosovën  kjo reflektohet në bojkot ose shitje më të vogël të produkteve sllovene në Serbi, si rregullator dhe instrument shantazhues e revanshues i Serbisë, e kjo posaçërisht kur është në pyetje Kosova dhe kur merret parasysh nostalgjia e pashuar dhe etja tradicionale e sëmurë hegjemoniste dhe kolonizuese e Serbisë dhe përpjekjet e saj  për (ri)okupim dhe (ri)kolonizim për shkak të pasurive tokësore dhe nëntokësore të Kosovës.

Me Slloveninë ndajmë shumë kujtime të përbashkëta nga e kaluara. E fundit ishte ajo e shkëputjes me luftë të Sllovenisë nga ajo RSFJ, e atillë çfarë ajo RSFJ ishte, një RSFJ çfarë më në fund e kuptuan të gjithë, e me perspektivë të bëhet edhe më e centralizuar dhe e pa durueshme për jo serbët. Shqiptarët poashtu u shkëputën me luftë dhe me viktima të shumëta që ishin në përmasa njerëzore e materiale të pakrahasueshme me ato sllovene dhe me gjenocidin e radhës si proces periodik gjenocidal i përhershëm nga Serbia ndaj shqiptarëve. Prandaj nga kjo perspektivë, bashkëpunimi i lirë dhe si të çliruar në kushte të paqes normalisht është i pritshëm dhe i dëshirueshëm nga të dy palët e çliruara me luftë e si shtete të pavarura.   

Para tri vite kur z. Pahor ishte në Kosovë i kishte ftuar deputetet e Kuvendit ta ratifikojnë demarkacionin me Malin e Zi, që sot ratifikimi vlerësohet më ndryshe. Presidenti i Sllovenisë, z. Pahor kishte deklaruar “Dy popujt tanë janë popuj miq, poashtu edhe shtetet tona janë mike. Ne besojmë se do të zhvillojmë edhe më tej bashkëpunim të shkëlqyeshëm mes të dyja vendeve”.

Tani ka ardhur me një masazh apo mision tjetër që ka të bëjë me  Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Është fakt se Hashim Thaçi me 2013 dhe mandej Isa Mustafa me 2015 e kanë nënshkruar me Serbinë marrëveshjen për atë asociacion, por askush, në çfarëdo cilësie qoftë ai, qoftë si President apo si Kryeministër, nuk mund të shkelë dhe të ngritet mbi kushtetutën e një shteti. Nga ana tjetër, parimi i të Drejtës Ndërkombëtare “Forcë majeure” që i referohet kontratave në mes dy shteteve liron prej detyrimit të obligueshëm të implementimit  të atyre marrëveshjeve të kontraktuara në raste të veçanta natyrore (tërmetet, përmbytjet ujore, tornado e stuhitë e ngjashme, djegiet masive nga zjarri e katastrofa tjera natyrore të pa parapara në kontratë) apo ato shoqërore (kur kontrata është në kolizion me ligjet themelore  të atij shteti, në kundërshtim me Kushtetutën etj.)  që i bëjnë të pamundshëm kushtet e implementimit.

Marrëveshjet e v. 2013 dhe v. 2015 kanë pasë shkelje dhe kanë qenë në kundërshtim flagrant në 23 nene me Kushtetutën e Kosovës. Lirimin nga obligimet e marrëveshjeve e parasheh edhe parimi tjetër juridik ndërkombëtar “ rebus sic stantibus (çështjet që qëndrojnë) i cili liron nga obligimet për çështjet që qëndrojnë në marrëveshje si dhe lejon mos përmbushjen e detyrimeve nga marrëveshja për shkak të ndërrimeve determinuese të rrethanave natyrore apo shoqërore.  

Shembulli i krijesës “Srpska Republika” në Bosnje dhe rreziku real nga ajo për një luftë sot të re në rajon është arsye tjetër, përpos parimeve të Drejtës Ndërkombëtare të lartpërmendura, që imponon kujdes maksimal që të  mos krijohet edhe një bosnjëzim  i dytë dhe me këtë edhe rreziku akoma dyfish më i madh për rajonin dhe më gjerë. Të gjithë e kanë kuptuar planin hegjemonist  të Srbisë në disa faza sipas vargut konsekutiv: asociacion, republikë, shkëputje dhe mandej bashkëngjitje Serbisë.

Ndërmjetësuesi në dialog i nominuar nga BE, z. Borell, menjëherë që në fillim të prezantimit të tij si ndërmjetësues,  kishte marr qëndrim proserb dhe  ishte thirrur në parimin  “pacta sunt servanda” (e dakorduar, duhet të realizohet) për një implementim të asaj marrëveshje nga Kosova, ashtu qorrazi e symbyllur e pa menduar fare, ashtu shpejtë e më shpejt e menjëherë, mos të analizohet shumë e shumë, duke abstrahuar e fshehur apo mohuar parimet tjera ndërkombëtare të cekura më lartë që lirojnë prej obligimeve në raste të veçanta.

Tani në vizitën e tij Presidenti z. Pahor përcjell mesazhin (ndoshta si ofertë?) : “fillimi i mirë i përparimit në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë është zbatimi i marrëveshjeve të arritura, përfshirë atë për Asociacionin e komunave më shumicë serbe”. I atypëratyshëm i prerë dhe plotësisht parimor ishte reagimi i Presidentes Kosovës, znj. Vjosa Osmani: “Mendoj se të gjithë ne duhet të angazhohemi në çuarjen përpara të ideve të shekullit 21, jo idetë e shekullit të kaluar që i hapin dyert e ndarjes, të një Republike Serbe të re në rajonin tonë apo të një vendi jo funksional në rajon dhe shumë kokëçarje për komunitetin ndërkombëtar.”  

Ishte kjo një qasje kritike dhe parimore i znj. Vjosa Osmani e cila kishte për bazë idenë, parimet dhe frymën e të Drejtës Ndërkombëtare mbi demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Më vonë, pas reflektimit, z. Pahor para mediave, që të jetë pak më i qartë e i “balansuar”, e plotësoi mesazhin e tij me klauzolën shtesë “derisa të mos merreni vesh ndryshe, kjo marrëveshje duhet respektuar” si mundësi kondicionale dhe hapësirë paraprake rreth implementimit. Duhet theksuar gjithnjë se pakica etnike serbe në Kosovë jo vetëm që i gëzon të gjitha të drejtat, por gëzon të drejtat më shumë se çdo pakicë tjetër në rajon dhe në botë. Nga ana tjetër kurrsesi nuk duhet neglizhuar dhe është i pa diskutueshëm fakti se vetëm me zgjidhje që bazohet në Ligjet e të Drejtës Ndërkombëtare arrihet drejtësia, arrihet një siguri e qëndrueshme në rajon dhe vetëm ashtu fitojnë dy palët.

Situata çfarë është sot në Ballkan i limiton marrëdhëniet gjithëpërfshirëse në mes Kosovës dhe Sllovenisë dhe i ngushton ato si dhe përveq kësaj i bënë komplekse. Prandaj nga mbresat dhe përvoja e dy vizitave të deritanishme të z. Pahor, bashkëpunimin  me Slloveninë duhet pritur dhe kërkuar vetëm në ato segmente ku interesat dypalëshe Kosovë - Slloveni nuk interferohen drejtpërsëdrejti e fuqishëm me interesat e Serbisë, sepse Serbia po nuk i pëlqyen ato atëherë i revanshohet Sllovenisë në zvoglimin apo bojkotin total të shitjes së mallrave të firmave sllovene në Beograd e gjithandej në Serbi. Sido që të jetë, reflektimi i saktë thotë se Kosova bashkëpunimin dhe marrëdhëniet me Slloveninë duhet shikuar dhe zhvilluar në kontekst të interesave në trekëndëshin Kosovë – Slloveni - Serbi dhe në ato përmasa dhe vetëm aq sa lejon sot ekuilibri i këtij konteksti politik dhe ekonomik.

Populli në Kosovë pa dyshim do t´i gëzohet përsëri vizitës së radhës të z. Pahor.  Sigurisht, bazuar në traditat kombëtare të mirëpritjes gjithmonë të shqiptarëve për miqtë e vetë, Kosova do ta mirëpret Presidentin z. Pahor në çdo vizitë, kurdo qoftë dhe sidoqoftë,  e përkushtuar të përparojë bashkëpunimi dhe duke shpresuar një ambient më të mirë politik e të përgjithshëm në rajon që mundëson një gëzim edhe më të madh. Dhe, kjo vizitë e ardhshme të mos jetë pas tri vitesh por brenda një kohe sa më të shkurtër. Vizitat e shpeshta shkurtojnë distancat dhe përafrojnë zemrat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat