“Open Balkan”, rrezik për Kombin, sfidë ndaj BE-së!

Opinione

“Open Balkan”, rrezik për Kombin, sfidë ndaj BE-së!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 20 dhjetor 2021 Në ora: 08:39
Xhevat Mustafa

20 dhjetor 2021 do të mbahet në Tiranë një takim apo samit i ri në kuadër të farsës apo maskaradës së sajuar me emërtimin “Minishengeni Ballkanik” e më pas hedhur këtë vit në tregun mediatik dhe propagandistik me emërtimin e ri “Open Balkan”(“Ballkani i hapur”). Duke u kthyer pas në kohë, mund të kujtojmë se “Ballkani i hapur” nuk përbën risi, por është një kopje e CEFTA-s, të nënshkruar mes 6 vendeve ballkanike më 19 dhjetor 2006 dhe Marrëveshjes apo Nismës së Berlinit, me ide dhe përkujdesje personale dhe institucionale të ish kancelares gjermane, Angela Merkel.

CEFTA (Central European Free Trade Agreement) është një marrëveshje e tregtisë se lirë në të cilën marrin pjesë Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Moldavia. Nga këndvështrimi politik, CEFTA është pjesë e përpjekjeve te vendeve te rajonit dhe Bashkimit Evropian (BE) për të krijuar një treg rajonal, që mundëson zhvillimin ekonomik dhe që do kontribuojë edhe për rritjen e sigurisë dhe stabilitetit politik ne Ballkan. Elemente po aq të rëndësishëm të këtij integrimi janë iniciativa në fusha të tjera si Komuniteti i Energjisë, Zona e Përbashkët e Aviacionit, Memorandumi i Evropës Juglindore në fushën e Transportit, Iniciativa e Evropës Juglindore në fushën e Telekomunikacioneve dhe Internetit, Kompakti i Investimeve, etj.

Te gjitha këto iniciativa, marrëveshje e projekte synojnë krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, që në një faze të mëvonshme do të integrohet në tregun e madh Evropian. Në vijim apo thellim të CEFTA-as, nën udhëheqjen e Kancelares Gjermane Angela Merkel, në 28 gusht 2014, u organizua në Berlin një Konferencë e Nivelit të Lartë për Ballkanin Perëndimor. “Procesi i Berlinit”apo kjo nismë e re është një iniciativë ndërqeveritare rajonale diplomatike ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi) për normalizimin e rigjallërimin e marrëdhënieve rajonale në fushën e infrastrukturës, zhvillimit ekonomik, shkëmbimeve rinore si dhe integrimin e shteteve të lartpërmendura në Bashkimin Europian.

Për të shmangur subjektivizmin dhe për të qenë sa më objektiv kam cituar tre ekspertë të mirënjohur nga fusha e diplomacisë dhe e ekonomisë, nga prononcimet e tyre në Radion “Deutche Welle”, më 25.11.2019. Për ish-diplomatin, ambasadorin Shaban Murati, "Realisht projekti serb (“Mini Shengeni Ballkanik”, “Open Balkan”) është krijimi i një miniblloku të ri ekonomik dhe politik si alternativë apo sfidë ndaj Bashkimit Europian. Presidenti serb e shprehu hapur këtë pas refuzimit të BE-së për hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, kur tha se ‘refuzimi i BE-së tregon se sa të drejtë kemi ne që jemi lidhur me Rusinë dhe me Kinën'. Orientimin miniblloqeve ua jep shteti nismëtar ose shteti më i fuqishëm, që në rastin konkret është Serbia. Rusisë i interesojnë vatra të vogla ballkanike të shkëputura nga BE dhe prandaj Moska e përkrah projektin serb të zonës ekonomike ballkaniko-perëndimore.

Për ekspertin tjetër për çështjet politike, ambasador Arben Çejkun "për të patur një bashkëpunim rajonal të shkëlqyer dhe në frymën e integrimit në BE është i mjaftueshëm "Procesi i Berlinit”, i cili përfshin jo vetëm modelin "Schengen” dhe "Vishegrad” të bashkëpunimit, por merr në konsideratë specifikat e vendeve tona." Prandaj, "Ne, si shqiptarë, pavarësisht se ku jemi, e kemi të qartë agjendën tonë dhe si të tillë nuk ka nevojë të biem pre e propozimeve të vjetra, të cilat nuk kanë dobi dhe perspektivë për ne.” Por a do ta ndryshonte kjo marrëveshje(“Minishengeni Ballkanik”, “Open Balkan”) klimën e investimeve të huaja në rajon? Ilir Ciko, ekspert i ekonomisë është shprehur: "Sërish jam tepër skeptik se kjo mund të ndodhë...Investitorët e huaj i shmangen Shqipërisë – dhe këtë e thonë anketimet e tyre dhe të organizatave ndërkombëtare – për shkak të korrupsionit të lartë, të problemeve me të drejtat e pronës, mosfunksionimit të gjyqësorit, ineficiencës së burokracisë, kostos së lartë të operimit, mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar etj. dhe nuk besoj se ndonjë prej këtyre problemeve zgjidhet me krijimin e një ‘mini Shengeni' në Ballkan”.

Nga ana tjetër, Profesori Franz-Lothar Altmann, një nga ekspertët më të mirë gjermanë dhe europianë për çeshtjet e Ballkanit, më 29 korrik, deklaron se “Mini Shengeni” nuk ka lidhje me “Procesin e Berlinit”! Në vijim ai shtron pyetjen:“Përse në vend të Mini Shengenit të mos punohet për Tregun e Përbashkët Rajonal nën ombrellën e Procesit të Berlinit, gjë për të cilën është arritur të bihet dakord në vitin 2020? Tregu i Përbashkët Rajonal nënkupton realizimin e qëllimeve të njejta si edhe Mini Shengeni, por në të janë të përfshirë edhe shtete anëtare të BE, gjë që do të sillte vendosjen e një zone të gjërë ekonomike mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, me lidhje ekonomike të ngjashme me ato që ka BE me Islandën dhe Norvegjinë...”.

Nuk mund të përjashtohet prerazi se “Open Balkan”, me shumë seriale takimesh, është pa lidhje me interesat dhe skenarët rusë e kinezë, në Ballkan e përtej tij, sidomos ndaj BE-së. Në këtë kuadër, nuk mund të harrohet edhe Platforma e Pekinit 17 +1 në vitin 2012, që përfshin vendet e Europës qëndrore, lindore dhe ato të Ballkanit perëndimor... Ashtu si është paralajmëruar edhe në këtë samit të sotëm në Tiranë, pas atij të 4 nëntorit në Beograd, do të kemi në një valle treshe, kapur për duarsh si “vëllezër”, Edi Ramën, Aleksandër Vuçiçin dhe Zoran Zaev. Po kështu është njoftuar më herët se do të nënëshkruhen 5 marrëveshje të reja, mes të cilave një “marrëveshje historike”, me shumë gjasa me jetë vetëm në letër, një “Memorandum Mirëkuptimi për lejet e punës”... Kjo marrëveshje do të nënkuptonte, që një leje pune e lëshuar në cilindo nga këto tre vende është e vlefshme për të gjithë anëtarët e nismës, Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri.

Se sa me vlera të mëdha do të jetë kjo marrëveshje e shpreh fakti i përditshëm që qindra shqiptarë, serbë, maqedonas..., nuk lënë rrugë, mjet udhëtimi e faturë pa përdorur për të ikur si emigrantë ekonomikë në Gjermani, Angli, vendet nordike, vendet e Ulëta, Kanada, SHBA...Për nga koha e krijimit, harta e përfshirjes dhe për nga veprimtaria e deritanishme, eshprehur në fakte dhe shifra, CEFTA e bën të tepërt e të panevojshëm “Open Balkanin: e Vuçiçit, Ramës e të Zajevit. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Serbia renditet e para nga shtetet me importin më të lartë me 6.4%, për 6- mujorin e pare 2021, kurse Shqipëria renditet e dyta me 5.6% dhe Maqedonia e Veriut e treta me 5.2%. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë importet serbe u rritën me 143%, ato nga Shqipëria me 61%, nga Maqedonia e Veriut me 26%. Sipas një statistikë të freskët defiçiti tregtar i Shqipërisë me Serbinë është 270 përqind, ose sasia e mallrave që Shqipëria eksporton drejt Serbisë është 2.7 herë më e vogël se sasia e mallrave që Serbia eksporton drejt Shqipërisë. Në vlerë absolute shqiptarët i japin Serbisë 134 milion euro neto në vit dhe përfitojnë prej saj rreth 50 milionë euro. Merret me mend se me hapjen 4 apo 44 kanatesh të Shqipërisë në zbatim të "Open Balkan", ky avantazh i ndjeshëm i Serbisë do të shumëfishohet. Edhe më i thellë është raporti mes Kosovës dhe Serbisë...

Sipas të të dhënave, që nuk rrijnë të përfshijnë volume mallërash kontrabandë, publikuar nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë, deficiti tregtar mes dy vendeve është tejet i lartë. Eksporti është rreth 7-8 herë më i ulët se importi. Për më shumë, Kosova nuk ka pse të aderojë në Minishengenin Ballkanik, ose shqip fare, në këtë sajesë proserbe, për deri sa Serbia nuk njeh pavarësinë, integritetin dhe shtetin e Kosovës, nuk ka ndërmend të pranojë se ka bërë fushata genocidiste dhe spastrimi etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë, për rreth 140 vjet si dhe të tregojë varret apo kockat e të zhdukurve prej trupave ushtarake dhe paramilitara serbe, më 1997-1999! Për të gjitha këto arësye, pa u merakosur se na idhnohen disa “aleatë të mëdhej”, Blinken, Escobar, Yuri Kim, Borell, Lajçak... bëhet i justifikueshëm dhe për t’u mbështetur sa më tepër masivisht deklarimi i ish-kryeministrit Sali Berisha. Në Kuvendin e PD-së të 11 dhjetorit, ai e paralajmëroi Vuçiçin se “nëse guxon të vijë në vendin tonë, rrugët do të mbushen plot me protestues”. Edhe sipas tij, “Ballkani i Hapur” është strategji në funksion dhe dobi të hegjemonisë serbe dhe të influencës ruse. Zotohemi që t’i japim fund këtij procesi. Kërkohet të zëvendësohet procesi i Berlinit me atë të Putinit...”! Pra, Open Balkan = Serbiia e Madhe=Rusia e Madhe! Ose: “Open Balkan”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat