Urgjentisht Vuçiqi të shpallet “non grata” në Kosovë e Shqipëri

Opinione

Urgjentisht Vuçiqi të shpallet “non grata” në Kosovë e Shqipëri

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 20 dhjetor 2021 Në ora: 18:02
Aleksander Vuçiq

Në Tiranë erdhi Vuçiqi dhe Zaevi në vizitë dy ditore, për drekë në Elbasan dhe pastaj nënshkrim të marrëveshjeve me Edi Ramën në Tiranë.

Ky i fundit me apo pa vetëdije po përdoret nga Vuçiqi kundër interesave të shqiptarëve.

Kryeministri i Shqipërisë duhet të ketë mbi çdo gjë interesin e shqiptarëve kudo që janë, jo të bëhet pjesë e ideve të vjetra sllave për dalje në det, duke ndikuar në fuqizimin ekonomiko-ushtarak të Serbisë, përmes saj edhe “pushtim” të Ballkanit Perëndimor nga Rusia.

Pikërisht për këtë ish presidenti dhe kryeministri Berisha po zhvillon protestë kundër "Open Ballkan" duke përmendur katër arsyet përse qytetarët duhet t’i bashkohen në protestën e thirrur

1. Vuçiq është ministër i Millosheviçit. Ai akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga Serbia dhe vazhdon ta ndjekë politikën e shefit të tij!

2. Ballkani i Hapur është projekt që e rrit dhe forcon Serbinë dhe planet e Serbisë së Madhe andaj nuk duhet lejuar asesi që të konkretizohet!

3. Edi Rama po bëhet pjesë e këtyre agjendave dhe është bërë një kukull e Vuçiqit, andaj duhet ta ndalim para se të bëhet vonë.

4. Kosova ka akoma plagë të hapura, për të cilat Vuçiq është nga përgjegjësit kryesorë.

Përveç kësaj, ai edhe mohon krimet, masakrat dhe gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës në lufte, andaj nuk është i denjë që të pritet në Tiranë e aq më pak që të bashkëpunohet me të.

Të gjitha këto arsye qëndrojnë, këto janë përmendur edhe para pak kohësh edhe tek dokumenti joformal (non-paper).

Fillimisht u pretendua se ishte përgatitur nga Gjermania dhe Franca, si një nismë për përmbylljen e bisedimeve Kosovë – Serbi. Pasi kjo gjë u demantua nga Gjermania dhe Franca, gjithsesi nuk e ka shuar zjarrin e ndezur nga ata që kanë qenë pro ndarjes së Kosovës.

Natyrisht se një dokument i tillë është në favor të Serbisë dhe Rusisë, në këtë kuptim edhe është i kuptueshëm entuziazmi i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili ka folur me tone pozitive për zgjidhjet që ofron dokumenti i debatueshëm, përfshirë këtu edhe çështjen e shumëpërfolur të bashkësisë së komunave me shumicë serbe të popullsisë.

Dokumenti flet për themelimin e një “distrikti autonom” në veriun e Kosovës si dhe që Kosova dhe Serbia të njohin tërësinë tokësore dhe sovranitetin e njëra tjetrës.

Natyrisht se një gjë e tillë është kundër Kosovës, kundër pavarësisë së saj, krejtësisht si rrjedhojë e pazareve të bëra nga treshja Vuçiq-Thaçi-Rama.

"Open Ballkan" është anti shqiptar, dhe si i tillë duhet kundërshtuar nga të gjithë.

Andaj, Vuçiqi duhet të shpallet "non grata" nga Tirana e Prishtina, jo t'i bëhet pritje dhe t'i shtrohen dreka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat