Të rinjtë e Kosovës, jo vetëm tani aplikojnë për viza jashtë vendit

Opinione

Të rinjtë e Kosovës, jo vetëm tani aplikojnë për viza jashtë vendit

Nga: Dedë Preçi Më: 13 janar 2022 Në ora: 16:11
Autori

Është alarmante shifra prej 56 mijë e 639 qytetarë të Kosovës, që kanë aplikuar për tërmine në Ambasadën e Gjermanisë, për viza pune për këtë vit, mirëpo jo vetëm tani, të rinjtë e këtij vendi gjithherë kanë qenë të shtyrë dhe të interesuar të kërkojnë vende pune nëpër Evropë, apo gjetiu, për të përmirësuar gjendjen ekonomike dhe sociale. Prandaj, nuk duhet edhe të ekzagjerohet që vetëm në këtë kohë të qeverisë Kurti, këta të rinj nuk e gjejnë vetën akoma të jenë vetvetja në vendin e vet, apo ky term «ikja» nga vendi i vet, sikur mund të zbatohet për qëllime të caktuara sipas mendimeve të sotme të opozitës, që është jo reale, nëse bëhet fjalë për të ashtuquajturën ekzistencë në kushte jo normale, apo me një varfëri të skajshme.

Edhe para luftës, por edhe pas luftës në Kosovë, ka pas valë të largimit e të rinjve nga vendi i tyre, pavarësisht sezoneve vjetore, kuptimi i secilës po merr kahe fyese për qeverinë Kurti, sikur po shprehet sot opozita, e cila nuk e ka «gajlen» e ikjes së të rinjve, sepse ishte më shumë se 20 vjet në pushtet dhe gjendja e tyre ishte edhe më e tendosur se tani, por qëllimi i kësaj opozite siç thotë populli, vetëm për të shtuar ujë në mullirin e huaj. Largimi të rinjve është një formë e përplasjeve të popullatës në përballje në kërkim të kushteve të jetës më të mirë, prej këtij këndvështrimi, edhe pushteti brenda vetës nuk mund të bart një përgjegjësi të caktuar, apo të ndaloj në një mënyrë largimin e tyre, për të kërkuar dhe plotësuar kushtet e jetës më të mira, duke menduar se edhe bota e vendeve perëndimore kushtet e veta i ka krijuar aq lehtë dhe pa punuar apo pa derdhur djersë fare, duke ditur se këto koncepte janë interpretime jo reale.

Është e pa logjikshme, nëse dikush po e quan shkatërrim kombëtar largimin e të rinjve përkohësisht nga vendi i tyre për të kërkuar kushte më të mira të jetës, edhe pse janë disa elemente që i shtyjnë dhe i frymëzojnë të rinjtë që të shprehin mos kënaqësitë e tyre për shkak të mos përspektëvës dhe alternativave për të arrtë kushte më të mira, por jo edhe për të ikur nga atdheu i vet, sepse edhe këtu në Kosovë, nëse punohet me zell dhe me përkushtim krijohen kushtet edhe më të mira se diku tjetër për të jetuar siç thotë populli vetëm sa për «bukë në bark».

Prandaj, në njërën anë po mundohemi që të formulojmë diçka që duam ta kufizojmë largimin e të rinjve nga Kosova, për shkak se janë të shtyrë nga akumulimi i kushteve negative, sikur është korrupsioni, krimi i organizuar dhe mungesa e alternativave për të krijuar kushte më të mira, kjo nuk është aspak arsye e arsyeshme, sepse nuk duhet ta propagandojmë rininë dhe të rinjtë tanë, që nuk janë të denjë dhe të aftë të krijojnë kushte vetvetes të jetojnë në vendin e vet. Kësaj i shtohet edhe një element praktik, secili i ri që i jepet viza të punojnë në perëndim, në secilin vend që shkojnë të punojnë, do na shqetësojnë kushtet e tyre se çfarë pune bëjnë dhe rrezikojnë edhe jetën e tyre në punë të rënda, të cilët paguhen edhe me një mëditje shumë të vogël, përveç atyre që kanë të kryera shkollime superiore apo profesione mjekësore, që janë kërkesa më të specifikuara dhe interesa të vendeve të perëndimit.

Mirëpo, edhe më herët thuhej se të rinjtë e vendit e braktisin Kosovën, edhe para 20-30 viteve, kur ishin kushtet edhe më të pa favorshme dhe ndjeshmëria e kësaj braktisje ishte më e dhimbshme, por nëse e përcjellim procesin e mëtutjeshëm të këtyre njerëzve që dikur ndoshta u bënë edhe si zogjtë shtegtar, prej një vendi në tjetrin dhe më saktë kur këta «ikanakë» u treguan të zellshëm dhe punëtorë të dalluar, krijuan edhe rrjete të ndryshme të bizneseve dhe krijuan mundësi të integrohen në këto vende të perëndimit, në një mënyrë e rregulluan jetën dhe kushtet ekonomike jo vetëm për vetën e tyre, por kontributi i tyre nuk i mungoi gjithë Kosovës, të cilët jo vetëm në raste të jashtëzakonshme kur Kosova ishte në krizë lufte dhe tjera, por edhe sot në kushte normale kontributi i diasporës shqiptare është i pa zëvendësueshëm.

Kështu që nuk duhet ta quajmë lëvizjen apo largimin e të rinjve si një shkatërrim kombëtarë, dhe ta fajësojmë sot qeverinë për një fenomen të tillë, kur ky fenomen ka ekzistuar me dhjetëra vite më herët, sepse format e lëvizjeve të tyre do ta zbulojnë edhe atdhedashurinë e tyre larg vendit ku kanë lindë dhe janë rritë, të cilin nuk mund ta harrojnë lehtë dhe për këtë kemi shembuj të ndryshëm më herët dhe sot e kësaj dite, kur presin dhe maltretohen me orë të tëra nëpër kufijtë e shtetit serb dhe nuk ndalet rruga e tyre për të kryer pushimet dhe vizitat në atdhe, kështu që vetvetiu këto forma do rregullohen dhe vetë ndreqën dëmtimet që mund të shkaktohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat