Pse Prof. Dr. Sali Berisha duhet të vije (edhe njëherë) në krye të Partisë Demokratike të Shqipërisë..!?

Opinione

Pse Prof. Dr. Sali Berisha duhet të vije (edhe njëherë) në krye të Partisë Demokratike të Shqipërisë..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 7 maj 2022 Në ora: 20:37
Sali Berisha

Për fat të keq, është një paragjykim i ngulitur thellë në mentalitetin e shqiptarëve, se një politikan i shtyrë në moshë, ose ndonjë tjetër i zgjedhur disa herë në poste të larta politike dhe shtetërore, ose kur një politikan qëndron gjatë në politikë, siç është rasti i Dr. Sali Berishës, ai nuk duhet të rikthehet më në politikë dhe as të zgjidhet në ndonjë post të ri, qoftë në krye të ndonjë partie ose institucioni shtetëror..!?

Por, a ndodhë gjithherë kështu në politikë?

Jo, nuk ndodhë, sepse kemi plotë shembuj në Evropë dhe botë, që politikanë të shquar janë rikthyer në politikë dhe poste të larta shtetërore, madje pas disa viteve që ishin larguar nga funksionet që mbanin, siç ka qenë rasti mjaft interesant me ish presidentin e Francës, gjeneralin Charles de Gaulle (1959 – 1969), i cili pas dorëheqjes së tij nga posti i kryetrarit të qeverisë së përkohshme në janar 1947, meqë i kishte humbur zgjedhjet parlamentare, ai u kthye në postin e presidentit të Francës në vitin 1959, duke i fituar zgjedhjet, meqë rast e ngriti Republikën e Pestë të Francës, e cila njihet në historinë e saj si më e suksesshmja në reforma dhe shtet-ndërtim.

Pastaj, është shembulli i karrierës politike të Andreas Papandreut, ish kryeministrit të Greqisë, themeluesit të PASOK-ut, i cili pas lirimit nga burgu do e merr pushtetin në Greqi për disa vite me radhë, pastaj rasti i ish kryeministrit italian Romano Prodit, etj., etj., rikthime në politikë të burrave shtetëror e që nuk janë të pakta në histori, prandaj as rikthimi i Dr. Sali Berishës pas 8 viteve pauzë në politikën aktive, nuk përbënë përjashtim dhe as precedent në politikë.

Ndonëse, rikthimi në politikë, siç e thotë qartë edhe vetë Dr. Sali Berisha, nuk është një akt i dëshirueshëm, veçse një veprim i imponuar për shumë shkaqe dhe arsye, të cilat në esencë nuk mund ta kenë kurrë si qëllim karrierën personale të një politikani, veçse motivin patriotik si obligim për ta ndihmuar (shpëtuar) një kauzë shtetërore, kombëtare dhe shoqërore që ka rënë në ndonjë krizë të thellë, ose kur një parti gjendet para rrezikut të zhbërjes së saj, siç ndodhi me PD-në, e cila i humbi zgjedhjet me 25 prill 2021, duke u katandisur drejt rrokullisjes së saj në humnerë, shkaqet e të cilës rrokullisje janë irelevante krahasuar me nevojën dhe domosdonë e shpëtimit të saj..!?

Kështu që, nëse merren parasysh shkaqet e vërteta politike, siç ia ka shpjeguar ato votuesit të PD-së, Dr. Sali Berisha gjatë 9 muajve të kaluar në takimet e mbajtura me anëtarësinë përmes “Foltoreve” dhe në shumë tubime tjera dhe intervista televizive, pra nëse opinioni i ka dëgjuar me vëmendje deklaratat publike të z. S. Berisha, ai i ka ofruar atij argumente të mjaftuara, se shkaku kryesor i kthimit të tij në politikë ka qenë dhe mbetet shpëtimi i PD-së nga marrja peng e saj nga Edi Rama dhe oligarkët afër tij..!?

Pse? Sepse, E. Rama kishte si qëllim kryesor zhbërjen e pluralizmit politik në Shqipëri, përkatësisht të dobësimit të opozitarizmit si dhe marrjen peng të kryetarit të saj, për t’i pasur duart e lira që të sundojë me shtetin shqiptar pa pengesa dhe sipas planeve të tij ogurzeza, duke e shndërruar Shqipërinë në një vend ku sundon krimi, korrupsioni, hajnia, fajdet, droga, oligarkia, grupet mafioze, etj., qëllime këto të cilat gati sa i kishte realizuar në vepër, dhe, sikur të mos ndërhynte politikisht Dr. Sali Berisha, si lider historik i PD-së, sot Shqipëria do ishte një shtet plotësisht i kapur nga një diktator (D. Rama), pa opozitë të vërtetë, pa demokraci, pa drejtësi si dhe pa lirinë e fjalës dhe të mendimit të lirë të individit, siç edhe është ajo aktualisht..!?

Tani vijmë tek pyetja kryesore të cilën e kemi shtruar në titullin e këtij shkrimi, dhe ajo është; Pse Dr. Sali Berisha duhet të vije pikërisht kësaj radhe në postin e kryetarit të PD-së..?!

Sepse, në rrethanat e krijuara politike në Shqipëri pas rikthimit të tij në politikë, z. S. Berisha, domosdo duhet të vije në krye të PD-së, ngase çdo zgjidhje tjetër do ishte fatale për PD-në dhe Shqipërinë, duke u nisur thjeshtë nga rregulli i pashkruar në politikë, se kur një lider historik i një partie, shteti apo i ndonjë Lëvizjeje kombëtare, detyrohet ta merr situatën në dorën e tij, për çfarëdo lloj shkaku, siç po ndodhë këto ditë me rithemelimin e PD-së pas disfatës së saj në zgjedhjet e fundit parlamentare. Pra, detyrën dhe misionin e vet për të cilin edhe është rikthyer në politikë, pra ai, atë duhet ta çojë deri në fitoren e plotë, përndryshe humbjen e kanë të sigurt dhe të përbashkët, ku lideri historik do zhveshët nga roli i tij mitik, ndërsa PD-ja si parti do zhbëhet brenda pak viteve.

Andaj, heqja dorë nga ky postulat i rrënjosur në politikë qysh në kohërat antike, që, ashtu siç më kanë thënë shpeshherë disa shokë dhe miq të mi, se S. Berisha do e bënte veprimin më të mirë për PD-në dhe Shqipërinë, po sikur të heqtë vetë dorë nga posti i kryetarit të partisë, duke ia lëshuar rrugën ndonjë kandidati tjetër! Unë, u them edhe njëherë me bindjen më të thellë, se modeli i lëshimit rrugë të liderit historik, duke hequr dorë nga kandidimi për kryetar të partisë, në rrethanat e krijuara brenda PD-së në muajt e fundit, ky model në politikë gjithmonë përfundon me disfatë, gjë të cilën e kanë dëshmuar shumë raste të tilla në botë, kur personalitete të shquara politike ua kanë lëshuar postet e tyre figurave më pak të njohura në shoqëri..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat