O Edi Rama, pse po e mbron Serbinë kur ajo ka bërë krime, mbroje Kosovën?!

Opinione

O Edi Rama, pse po e mbron Serbinë kur ajo ka bërë krime, mbroje Kosovën?!

Nga: Faton Mehmeti Më: 8 maj 2022 Në ora: 18:46
Faton Mehmeti

Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, asnjëherë s`ka qenë në lartësinë e duhur të detyrës kur është fjala për Kosovën. Është e dhimbshme të thuhet dhe pranohet fakti me Ramën në krah të Serbisë shpesh kundër Kosovës. Jo vetëm njëherë, ka shumë raste kur Rama e bënte fajtore Kosovën pse nuk merrte pjesë në nisma të iniciuara dhe hartuara nga Rusia dhe Serbia e të mbështetura edhe nga vet Rama. Edi Rama në vend se t’i kërkonte vazhdimisht Serbisë ndryshimin e qasjes ndaj Kosovës, e ka bërë të kundërtën, ka vazhduar ta mbështes atë në aspiratat hegjemoniste kundër Kosovës dhe të ardhmes së saj.

E ka pasur për detyrë kombëtare dhe Kushtetuese që të mbronte interesat e Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë, në vend të saj ka mbështetur xhelatin. Së fundi, me eufemizmëm u mundua që të relativizonte duke bërë të gjithë përgjegjës për urrejtjen në Ballkan, me anashkalimin e Serbisë nga përgjegjësia. Është vetëm një shtet përgjegjës për të gjitha krimet, urrejtjen dhe luftërat në Ballkan është Serbia të cilën Rama assesi nuk e përmend duke e kursyer në mënyrë të pashpjegueshme.

Të premten, Rama bëri disa deklarata për rajon dhe Ballkanin e aludimet se kemi vuajtur për shkak “të telasheve që kemi hapur vetë”, me përgjithësimet djallëzore jashtë realitetit. Shqiptarët, as kroatët, dhe asnjë nacionalitet apo shtet në rajon dhe Ballkan nuk ka hapur telashe dhe as nuk kemi “ rrëmujën që kemi krijuar për njëri-tjetrin”, atë e ka bërë vetëm një shtet e ajo është Serbia.

Këtë gjë t’ia kujtojë Vuçiqit dhe Serbisë çdo ditë derisa të pranojnë publikisht falje për krimet që kanë kryer. Me paturpësi dhe pandjeshmëri njerëzore duke mënjanuar Serbinë Rama bën thirrje që “të rritemi dhe të harrojmë të gjithë të kaluarën”, duke relativizuar dhimbjet, vuajtjet e shqiptarëve dhe të tjerëve si mos të ishin asgjë. Mungesa e guximit për t’ia thënë në sy Vuçiqit të vërtetën me dy arsye: Ose Rama është i zënë peng nga Vuçiqi ose është anti shqiptar , cila nga këto të dyja është e vërteta e di vetëm ai. Në bazë të veprimeve të tija, Rama shfaqet person që urren Kosovën dhe shqiptarët.

Secili kryeministër normal dhe me pak ndjenja kombëtare dhe njerëzor do të mbronte Kosovën në te gjitha rastet, në anën tjetër do e godiste Serbinë derisa ajo të kërkojë falje dhe të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës. Derisa Serbia çdo ditë kërcënon Kosovën, si mund të relativizohet agresioni i saj. Akoma më e pakuptueshme tendenca për të barazuar agresorin dhe viktimën, e pashembullt dhe e padëgjuar nga një kryeministër, për më tepër shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat