Serbia, bazuar edhe në manipulime mediatike, do ta refuzojë Planin e Ahatisaarit

Opinione

Serbia, bazuar edhe në manipulime mediatike, do ta refuzojë Planin e Ahatisaarit

Nga: Ragip Guraziu Më: 14 maj 2022 Në ora: 08:35
Ragip Guraziu

Me qëllim që, megjithatë të arrihet një pajtim, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, kërkoi nga Grupi i Kontaktit që të bënte edhe një përpjekje për t’i zgjidhur konfliktin e ngrirë. Për këtë u caktua treshja në përbërje Wolfagang Isschinger ( përfaqësues i Bashkimit Evropian); Alexander Bostan – Archenko ( përfaqësues i Rusisë ) dhe Frank Wiesner, ( përfaqësues i SHBA-ve). Grupi kishte për detyrë që brenda 120 ditëve, duke filluar nga 9 gushti deri më 3 dhjetor 2007, të dalë me një propozim që do të ishte i pranueshëm për të dy palët. Ishte krijuar, po ashtu, edhe një bindje se gjendja e status kuo-s nuk mund të vazhdojë më. Më 4 shtator 2007, grupi i formuar në raportin e tij deklaroi se palët nuk kanë lëshuar pe nga qëndrimet e tyre, nuk është arritur konsenzusi, andaj bashkësia ndërkombëtare me përjashtim të Rusisë dhe Serbisë, ishte e bindur se shpallja e pavarësisë bazuar në planin e Ahtisaari-t ishte e pashmangshme. Shpalljes së pavarësisë së Kosovës do t’i japë shtytje të madhe kryetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Georg W. Bush (1946 – ) i cili gjatë një vizite në Tiranë, më datën 10 qershor 2007, do të deklarojë: “Çka është mjaft, është mjaft . Kosova do të pavarësohet”.

Në ndërkohë, në përputhje me Planin e Ahtisaarit, më 17 nëntor 2007, janë zhvilluar zgjedhjet nacionale në të cilat fituese kishte dalë Partia Demokratike e Kosovës. Premtimet e liderit të kësaj partie, Hashim Thaçit, ishin shpresëdhënëse, sepse ishin identifikuar pikat të cilat po të realizoheshin do të shkonin drejt avancimit dhe zhvillimit dinamik të Kosovës (kontrolli i shpenzimeve , ndryshimet në arsim, në energji, infrastrukturë, zgjidhja e statusit të pazgjidhur te Kosovës etj.). Më datën 3 janar 2008, publikohet Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së me të cilën zgjedhje parlamentare të Kosovës vlerësohen se kanë qenë demokratike dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Serbia duke u bazuar në gjendjen faktike se procesi i statusit politik i Kosovës, pashmangshëm shkonte drejt pavarësisë, do të përpiqet edhe një herë të ndalojë pavarësimin e Kosovës me një letër të cilën ia dërgon KS të KB.

Bazuar në Planin e Ahtisaarit, i cili dorën në zemër, nuk i përmbushte kërkesat e merituara dhe aspiratën dhe sakrificën e madhe të popullit shqiptar, më 17 shkurt 2008 “ Në seancën e pasdites(…) në prani të 109 deputetëve ( munguan dhjetë deputetë serbë) nga 120 deputet që kishte kuvendi i Kosovës, kryeministri Thaçi, lexoi: “ Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës” me të cilën Kosova është shpallur shtet i pavarur dhe sovran i të gjithë qytetarëve të barabartë pavarësisht nga përkatësia etnike, racore, gjuhësore gjinore, kulturore dhe sociale.” Edhe pse Kosova ishte ndër vendet me homogjenitetin në të lartë etnik, në Evropë, në të cilën mbi 90 për qind e popullsisë ishin shqiptare, Kosova shpallet, bazuar në planin e Ahtisaarit, shtet multietnik.

Serbia, para shpalljes së pavarësisë së Kosovës kishte ndërmarrë edhe një fushatë të egër nacionaliste e cila për nga gjuha dhe veprimit ia kalonte edhe ideologjisë së regjimit Sllobodan Millosheviqit. Kështu, më 16 janar 2008 , Presidenti i Serbisë, në seancën 5821 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së: “….u zotua se do të ndërmarrë :”… të gjitha masat e nevojshme për ta ruajtur integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë .”[8] Në aktivitetin e koordinuar me përfaqësuesin e Rusisë, z. Vitalin Churkin, bënë përpjekje që nëpërmjet OKB-së të bëhet presion që Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm, z. Joachim Rucker, në Kosovë, të anulojë – të shpallë të pavlefshme vendimin eventual të organeve të Kosovës për shpalljen e pavarësisë. Të gjitha këto përpjekje shkuan huq, andaj pas shpalljes së Pavarësisë, z. Joacim Rucker , tërhiqet nga posti që kishte deri ne momentin e shpalljes së pavarësisë. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës do të nxisë protesta të dhunshme në Beograd. Protestuesit do të sulmonin ambasadat e: ShBA-ve, Turqisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të Kroacisë.

Në Jarinje, në kufirin verior të Kosovës me Serbinë do të digjet dogana në pikën kufitare. Brenda Kosovës do të fillojnë manifestimet dinjitoze , gëzimi dhe hareja e jashtëzakonshme e ëndërruar me mijëra vjet. Nuk do të ketë asnjë incident. Popullsia serbe nuk do të atakohet në asnjë rast dhe nuk do të provokohet. Ndodhi ajo që nuk priste Serbia. Pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kryeministri, Hashim Thaçi lëshoi deklarata të fuqishme para opinionit se brenda pak ditësh Pavarësinë e Kosove do ta njohin shumica e shteteve anëtare të Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe se me Serbinë më nuk ka se çka do të bisedohet sepse Kosova ka dhënë shumë më shumë seqë është pritur nga ajo duke bërë lëshime të dhimbshme vetëm e vetëm për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon. Por këto premtime të forta, siç do të tregojnë ngjarjet e mëvonshme, ishin vetëm premtime në të cilat si duket edhe ky vetë nuk ka besuar, sepse pikësynimi i tij nuk kishte qenë shtetndërtimi i Kosovës, por interesat personale oligarkike e plutokrate e meskine të tij dhe dëshira patologjike e tij për pushet, një lloj atavizmi shqiptarë për bajraktarizëm.

Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për legalitetin ndërkombëtar të shpalljës së Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008 – Serbia gënjen, nuk e mbanë premtimin e dhënë para Asamblesë së Kombeve të Bashkuara!?

si zakonisht., edhe në këtë rast tregon jo vetëm vendosmëri, por edhe nuk i zgjedh mjetet për realizimin e qëllimeve të veta. Kështu, në sesionin e 63 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, më datën 8 tetor 2008, Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Vuk Jeremiqi, shtroi për miratim një projekt – rezolutën A/63/L.2 përmes së cilës kërkohej që kjo asamble të kërkonte mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Asambleja e miraton me të njëjtën datë rezolutën, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara z. Ban Ki – Moon i dërgon këtë kërkesë kryetarit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më datën 9 tetor 2008. Serbia do të deklaroi se do të respekton dhe se do të pranojë vendimin e gjykatës çfarëdo qoftë ai. U tha qartë, se nëse rezultonte se shpallja e Pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. se Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Pas afër dy viteve, përkatësisht, më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë sjell një vendim të argumentuar, bindës dhe të pakundërshtueshëm lidhur me kërkesën: “ A është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës në pajtim më të drejtën ndërkombëtare.” Në vendimin e shpallur të gjykatës thuhet: ”Pra, duke u mbështetur në argumentet e trajtuara dhe të ekspozuara me 121 paragrafë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpall vendimin e vetë se akti: ‘ i miratimit të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelur as të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Prandaj miratimi i kësaj deklarate nuk ka bërë shkeljen e asnjë rregulle të aplikueshëm ndërkombëtare”. Çdo gjë ishte e pastër si kristali. Shpallja e Pavarësisë ishte legale dhe legjitime, nuk ishte në kundërshtim as me të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, as me Kornizën Kushtetuese të Kosovës, si dhe me asnjë rregulle të aplikueshme ndërkombëtare. Puna ishte kryer. Serbia kishte dhënë një premtim publik para të gjitha vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, andaj do të duhej të mbante premtimin e dhënë: ”… se do të respekton dhe do të pranojë vendimin e gjykatës çfarëdo qoftë ai”. Por, pushteti terrorist serb i Serbisë, jo vetëm që nuk e mbajti premtimin e dhënë, jo vetëm që i gënjeu dhe i mashtroi vendet, por pa dinjitet dhe krenari, përsëri do të vejë në lajthitje shtetet dhe anëtarët e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar tani në një seancë të Asamblesë një klauzolë të re që Serbia dhe Kosova të fillojnë biseda teknike për rregullimin e marrëdhënieve. Ishte ky një skenar perfid për të relativizuar Pavarësinë e Kosovës, por që udhëheqësit e Kosovës, duke vrapuar pas tenderëve, privatizimit meskin, luksit dhe protagonizmit të dehur nga vetëkënaqësia ose nuk e kuptuan këtë strategjemë të Serbisë ose kishin marr rolet e Haxhi Qamilit, Esat Pashë Toptanit dhe të Ahmet Zogut, që të jenë partnerë konstruktivë me Serbinë, për t’i ruajtur postet me çdo kusht edhe në dëm të gjakut të derdhur të bijve dhe bijave më të mira të këtij populli gjatë luftës heroike të UÇK-së nuk e kundërshtuan dhe nuk e refuzuan këtë kërkesë banale dhe jodinjitoze. Meqë pala kosovare heshti, gjithashtu heshti edhe Republika e Shqipërisë, heshtën edhe vendet të cilat e kishin njohur pavarësinë Kosovës, me pranimin e bisedimeve me Beogradin. Hashim Thaçi shkeli premtimin dhënë publik:” Se Kosova ka dhëne shume me pranimin e Planit të Ahtisaarit, dhe se më nuk ka çka të jap dhe nuk do te ketë më kurrfarë bisedash me Serbinë”. Në vend se Kosova të kapitalizojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ajo neutralizoi përdorimin efektive të këtij verdikti gjyqësor ndërkombëtar, duke u futur në biseda të reja me të cilat Shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës do të pësojë goditje të renda me pasoja të pa parashikueshme për të ardhmen e saj dhe stabilitetin dhe paqen në Ballkan.

Papërgjegjësia e liderëve partiak (duke përjashtuar Vetëvendosjen dhe kryetarin e saj historik Albin Kurtin) dhe të strukturave udhëheqësve të Kosovës, shkëlqimi, nami dhe kredibiliteti i Kosovës dhe i shqiptarëve të Kosovës siç do ta argumentojë në vazhdim do të fillojë të zbehet, Kosova nuk do ta vazhdojë progresin , përparimin dhe fuqizimin, por do të shënoë rënie drastike me çka do të atakohen themelet e shtetit të krijuar të Kosovës dhe do trasohet rruga e kthimit triumfal të Serbisë në Kosovë. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë , edhe pse nuk kishte karakter detyrues, ka mund t’i vënë pikë kontestimit të pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Kjo do të bëhej me një qasje proaktive dhe diplomatike, me demokratizimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit, me shuarjen e organeve paralele të Serbisë, duke vendosur kontakte me qytetarët serbë, duke i mbështetur, duke u garantuar siguri, por njëkohësisht duke u thënë se as shqiptarët të cilët kanë bërë vepra çnjerëzore ndaj serbëve, e as serbët që kanë vepruar në të njëjtën mënyrë nuk do të shpëtojnë pa dhënë përgjegjësi para gjykatave të pavarura dhe të paanshme. Në vend që të intensifikohet puna diplomatike, të shtohen kontaktet, si prioritete u përcaktuan: infrastruktura rrugore dhe ndërtimi i objekteve shkollore me qëllim që të hiqet ndërresa e tretë, u rriten pagat e arsimtarëve. Nuk mund të thuhet se të gjitha këto nuk është dashur të bëheshin. Përcaktimi i këtyre prioriteteve do të duhej të bëhej mbi bazën e një strategjie bashkëkohore të hartuar mbi bazën e dijeve të reja dhe të sfidave reja zhvillimore të shoqërisë. Koha më vonë do të tregojë se prapa këtyre prioriteteve ishin tenderët, veprimtaritë e dyshimta , interesat personale dhe pasurimi brenda natës i udhëheqësve. Në vend të hartimit të strategjisë për kapitalizimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, udhëheqja kosovare harroi interesat e qytetarëve, duke i vendosur interesat provinciale, familjare, partiake mbi interesat e shtetit. Kjo sjellje e lidershipit të Kosovës i krijoi hapësira manovruese Serbisë që edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të korrë suksese të reja në relativizimin e pavarësisë së shpallur të Kosovës, dhe që populli i Kosovës të përjetojë një demoralizim aq të madhe saqë filloi ta braktisë Kosovën, duke hequr dorë nga shtetësia.

13. Bisedat në Bruksel platformë e Serbisë për demontimin e Pavarësisë së Kosovës

– Si i mashtroi Serbia të gjitha shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara?

U tha më lartë se në sesionin e 63 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me datën 8 tetor 2008, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiqi, shtroi për miratim një projekt – Rezolutën A/63/L.2 përmes së cilës kërkohej që kjo asamble të kërkonte mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Asambleja e miraton me të njëjtën datë rezolutën, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara z. Ban Ki – Moon i dërgon këtë kërkesë Kryetarit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më datën 9 tetor 2008. Serbia do të deklarojë se do të respekton dhe se do të pranojë vendimin e gjykatës çfarëdoqoftë ai. Por Serbia edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të bërë publik më 22 korrik të vitit 2010, me të cilin dëshmohet dhe argumentohet përgjigjja në pyetjen se: “A është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës në pajtim me të drejtën ndërkombëtare?”, thuhet :” Pra, duke u mbështetur në argumentet e trajtuara dhe të ekspozuara me 121 paragrafë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpall vendimin e vet se akti: ‘ i miratimit të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelur as të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Prandaj miratimi i kësaj deklarate nuk ka bërë shkeljen e asnjë rregulle të aplikueshme ndërkombëtare”. Siç tha më lartë Serbia si zakonisht mashtroi të gjitha anëtaret e Asamblesë Kombeve të Bashkuar kur kishte thënë: ”… se do të respekton dhe se do të pranojë vendimin e gjykatës çfarëdo qoftë ai”, duke mos e mbajtur fjalën, duke kërkuar që ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të zhvillohen bisedime teknike për rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Këtë kërkesë, Kosova nuk e kundërshtoi, andaj dialogu teknik në Bruksel, për Rregullimin e raporteve të qeverive të Beogradit dhe të Prishtinës, me insistimin e BE, kanë filluar më 8 mars 2011. Ky dialog gjoja ka pasur për qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si edhe pozitën e qytetarëve të Kosovës. Udhëheqëse e grupit të palës shqiptare të Prishtinës ka qenë Edita Tahiri, ndërsa udhëheqës i palës serbe së Serbisë deri në gjysmën e dyte të vitit 2012, ka qenë Borisllav Stevafanoviq. Ky më pas është zëvendësuar nga Dejan Pavićeviq, e ky më pas nga Marko Gjuriq , një alater-ego e kasapit të Slobodan Millosheviqit. Dialogu teknik është zhvilluar në periudhën 2011-2012. Por biseda e inicuar nga Serbia në Bruksel ka qenë një projekt mashtrues, sepse në thelbin e tij ky projekti, siç do të vërtetohet shumë shpjet ka qenë demontimi e Pavarësisë së Republikës së shpallur dhe kthimi i ndikimit të Serbisë në Kosovë, si dhe krijimi i mundësive eventuale për një konferencë të re ndërkombëtare në të cilën do shtrohej sërish çështja e statusit Kosovës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat