Presion joparimor dhe ilegjitim i BE-së ndaj Kosovës

Opinione

Presion joparimor dhe ilegjitim i BE-së ndaj Kosovës

Nga: Skender Musliu Më: 14 maj 2022 Në ora: 18:40
Skender Musliu

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që nisi më 2011, filloi si një proçes teknik, për t’u transormuar me kohë në negociata politike për statusin e Kosovës. Si rezultat i këtij dialogu, u nënshkruan mbi 33 Marrëveshje, që për qëllim kishin lehtësimin e jetës së përditshme të qytetarëve të Kosovës. Ndër këto është edhe Marrëveshja për themelimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, që në opinion njihet si « Zajendica », e cila për vite me rradhë u bë « mollë sherri » në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja për Asociacionin apo « Zajednicën » e nënshkruar në Bruksel, përveç tjerash, parashihte që pushteti qëndror, t’ia delegojë disa të drejta shtetformuese « Zajednicës », duke i dhënë asaj kompetenca ekzekutive, me ç’rast në Kosovë do t’a kishim një Republikë serbe të Bosnë e Hercegovinës. Po ashtu në këtë marrëveshje ishte paraparë, që ajo të ratifikohet në dy Kuvendet, të Kosovës dhe Serbisë, dhe pastaj ajo të dërgohet në Gjykatat Kushtetuese respektive për vlerësimin e kushtetutshmërisë.

Ashtu siç ishte paraparë në Marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel, në vitin 2015, Marrëveshja është ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës me 2/3 e votave, pastaj është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për vlerësim, e cila 23 nenet e saja i shpalli në kundërshtim me Kushtetutën.

Serbia dhe BE-ja në vazhdimsi kritikojnë Kosovën për moszbatimin e marrëveshjes në fjalë. Mirëpo insistimi i tyre për implemetimin e Marrëveshjes, institucionalisht dhe juridikisht është, jon vetëm i pamundur, por edhe i pazbatueshëm. Shtrohet pyetje pse ? Sepse, derisa Kosova e ka ratifikuar Marrëveshjen në fjalë në Kuvendin e Kosovës dhe e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Serbia jo vetëm që nuk i ka kryer këto dy obligime, por as që i ka filluar procedurat për ato.

Prandaj derisa Marrëveshja në fjalë nuk ratifikohet në Parlamentin e Serbisë dhe nuk procedohet në Gjykatën e saj Kushtetuese, ajo jo vetëm që nuk mund të zbatohet, por është inekzistente.

Shtrohet pyetja tjetër, pse Serbia nuk e miraton këtë marrëveshje? Sepse në konstelacionin politik aktual, nuk është në favor e as në interes të Serbisë, mbase me ratifikimin e saj, Serbia në mënyrë indirekte do t’a njihte Kosovës si shtet, së pari, nga fakti se nuk mund të quhet Marrëveshje ndërkombëtare, derisa ajo nuk ratifikohet nga dy shtetet, së dyti sikur të formohej « Zajednica » ky do të ishte një institucion në territor të një shteti tjetër, respektivisht të Kosovës.

Faktet juridike janë të qarta, në Marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, decidivisht thuhet se Marrëveshja duhet të ratifikohet nga dy Parlamentet, të dërgohet në Gjykatat Kushtetuese dhe vetëm pastaj fillon zbatimi i saj.

Prandaj Marrëveshjen për « Zajednicën » duhet shikuar vetëm në këtë kontekst dhe kursesi ndryshe, në të kundërtën kjo agoni do të vazhdojë.

Atëherë pse i bëhet presion Kosovës që të implementojë diçka që nuk ekziston, Borell dhe Lajçak, si po duket, kanë ngatërruar rolin, në vend që ata të jenë si lehtësues dhe ndërmjetësues me status neutral, ata i bëjnë presion Kosovës duke u bërë palë në proçes !

Realishisht BE-ja duhet t’i bëjë presion Serbisë që nuk respekton dispozitivin e Marrëveshjes në fjalë, e jo Kosovës, e cila ka kryer obligimin e saj.

Fatkeqësisht veprimet e gabuara të politikanëve të inkriminuar, të shantazhuar dhe të papërgjegjshëm, respektivisht të Hashim Thaqit dhe Isa Mustafës, të cilët nëpër emisione të ndryshme televizive donin t’a bindnin opinionin se kjo marrëveshje ishte në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës, e kanë « ulur pazarin » duke e dëmtuar rëndë proçesin negociues.

Fatmirësisht, Kosova ka një Qeveri të përgjegjshme, të ndërgjegjshme dhe të pashantazhuar, e cila është duke e vendosur dialogun në binar, ku Kosova tani është palë e barabartë, e jo e nënçmuar, servile dhe e nënshtruar, siç ishte për një dekadë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat