Zenel Kuçana: Sa ka grykën ka nafakën

Opinione

Zenel Kuçana: Sa ka grykën ka nafakën

Rexhep Shahu Nga Rexhep Shahu Më 16 maj 2022 Në ora: 19:20
Rexhep Shahu dhe Zenel Kuçana

Zenel Kuçanën e kam njohur fizikisht me 12 qershor 2018, ditën kur po inaguronim në Kukës bustin e poetit martir Havzi Nela që e pati varë në litar në shesh regjimi komunist me 10 gusht 1988.

Ndërsa mbaja fjalimin para pjesëmarrësve në shesh të Kukësit para bustit të Havziut në bulevard pranë gjimnazit, përballë, në mes shumë shkrimtarëve të njohur të vendit të pranishëm atë ditë aty dhe autoriteteve të tjera, qëndronte Prefekti i qarkut Kukës, Zenel Kuçana. 

Ishte hera e parë që autoriteti më i lartë ekzekutiv i shtetit në rajonin e Kukësit po merrte pjesë në ceremoninë politike më të veçantë nderimi për poetin e varur Havzi Nela. 

Nga kjo ditë, prefekti i Kukësit Zenel Kuçana, që prishi kufijtë dhe shkeli kodet e urrejtjes së shpifur politike edhe kundër dëshires së politikanëve lokalë, fitoi nderimin tim. 

Si Komandant i brigadës ushtarake të Tropojës (prill 1997- nëntor 1998) nuk mund të mos ishte pjesë e librit tim me kujtimet e mbresat e tij më të pashlyeshme nga vitet e krizës dhe luftës  për Kosovën. 

Unë nuk e kam njohur, nuk e kam takuar në ato vite në Tropojë. 

Unë bëra bisedë me të dhe ai u tregua shumë i hapur e i ndershëm. Është e vështirë sot e gjithmonë të kërkosh gjilpërën në kashtë, është e vështirë të flitet për detaje të asaj kohe mbi dy dekada pas. Por Zeneli si një bashkëbisedues i mirë i plotësoi gjithë pritshmëritë e mia. 

Dy gjëra kërkoja sot për atëherë në bisedë me të. Doja të dija, sot pas më shumë se dy dekadash, si kujtohet rrënimi i ushtrisë shqiptare në Tropojë, deri ku ishte futë e ku kishte mbërri dora e shkatërrimit të ushtrisë atje dhe a ka gjëra Zenel Kuçana, komandanti i brigadës së Tropojës  që  nuk i harron dot, gjëra që nuk i mbulon harrimi, gjëra që duhen kujtuar e duhen transmetuar për të nesërmen. Jo se ne kemi shumë dëshirë të mësojmë nga historia, pasi jemi të prirur ta bëjmë historinë, por nuk bëhet keq nëse shkruhen gjërat e çdo kohe.

Zenel Kucana ka guximin dhe ndershmërinë e duhur për mos me u shtirë, mos me ma paraqitë ushtrinë e shkatërruar shqiptare si ushtri që ka bërë namin në luftë për Kosovën pasi ka qenë e shpartalluar vetë nga duart tona në 1997. Zeneli nuk vë kashtë mbi tjegulla. Ai si nënkolonel ka një karierë e përvojë të lakmueshme si ushtarak kariere. E ka nisë si komandant toge në Turaj të Kukësit në vitet 1979-1980, në Cernicë të Tropojës një vit më vonë, në detyra të ndryshme sa në Kukës, Tropojë, komandant Rregimenti i Raketave dhe AkA në Marikaj Tiranë e tani në funksion politik si prefekt i qarkut të Kukësit që mbulon tri bashkitë e rajonit, Tropojë, Has e Kukës…

Dora e shkatërrimit të ushtrisë, dora e krimit mbërrini në fund, gjeti fundin në 1997, më thotë Zeneli. Dy ushtarakë mbetëm të veshur me uniformë ushtarake, në fund fare në brigadën e Tropojës, thotë ende me trishtim ai.

Vazhdoi shkatërrimi i ushtrisë shqiptare, hapja e depove, grabitja e armëve. Dora e krimit natyrisht që do të zgjatej edhe në brigadën e Tropojës. Raketat kundërajrore dhe kundërtanke të brigadës së Tropojës ishin në depot e divizionit të Kukësit. 

Por  ushtria krahas te tjerave kishte në magazinat e veta në Fierzë 100 ton tritol C4. Ky ishte një kërcënim shumë i madh. Po të shpërthente ky tritol, për pak minuta do të hidhej në erë diga e Fierzës dhe katastrofa do ta mbulonte Shqipërinë. 

Frika më e madhe dhe gjëja më e rrezikshme që kam kaluar si komandant i brigadës së Tropojës ka qenë zhvendosja e kësaj sasie tritoli C4 prej depove të Fierzës për tek tuneli i tankeve në Dizdar, thotë Zeneli dhe ende emocionohet nga ai aksion shumë i rrezikshëm. Kjo është një nga gjërat më të frikshme që kam kaluar dhe që nuk mund të harrohet kurrë, vijon ai.

Pasojat do të ishin katastrofike po të ndizej nga ndonjë njeri ajo sasi prej 100 ton tritol C4, do të zhdukej diga e Fierzës dhe uji i Liqenit do të rrafshonte qytete e fshatra e do t’i dërgonte në det. Dy tre herë u përhap lajmi se ka rënë zjarr në depot e Fierzes… njerzit largoheshin, pastaj ktheheshin përsëri…

Komandant Zeneli ka urdhëruar që të vendosen 4 ushtarë shpinë për shpinë mbi arkat e tritolit mbi secilin kamion, me armë në duar me fishekë në gojë e gisht në këmbëz, dhe të hapnin zjarr ndaj kujtdo që u mund t’u afrohej makinave me tritol C4. Vetë Zeneli ka udhëtuar në Sheverlet para kamionëve, me granata dore mësymëse në kroskot të makinës, me tela të siguresës të drejtuar. Kaq e lartë ishte përgjegjësia. Ish kohë e çmendur, vijon të tregojë Zeneli. 

Kështu qëndruan ushtarët në këtë aksion shumë të rëndësishëm ushtarak derisa e zhvendosën tritoilin me kamionët e ushtrisë nga depot ushtarake të Fierzës për në tunelet e tankeve në Dizdar. 

Nxora tre tanke nga tuneli i tankeve në Dizdar dhe i bëra vend tritolit në atë tunel, thotë Zeneli. Nënoficerët e Dunishes ndërtuan një mur guri me beton një metër të gjërë në hyrjen e tunelit për gjithë natën. Edhe sot e kësaj dite, pas kaq vitesh u jam mirenjohës e falenderues këtyre djemeve e burrave fisnikë të Dunishes, thotë Zeneli me plot nderim.

Sa tanke kishit atëherë, e pyes.

26 tanke dhe 10 transportues të blinduar kanë qenë…  Në fund përfunduan për skrap…

Janë shumë gjëra që nuk mund të harrohen, as nuk duhen harruar, duhen shkruar që t’i dijë historia, më thotë Zeneli. 

Në mes të marsit 1997 erdhi në Bajram Curr gjenerali Kudusi Lame. Të mbledhim armatimin, minat, që të mos na vdesin njerëz, ky ishte qëllimi ynë ato kohë. Ishim të rrjeshtuar, ata njerëz i kisha thirrë unë që të bënim ato detyra që na diktonte koha, të shpëtonim jetë njerzish. Shumica ishin të veshur civilë…

Gjenerali kur i pa që ishin veshur civilë, tha, nuk flas me fshatarë, shkoni e vishuni me uniforma ushtarake… 

Brigada ende digjej tym e flakë. 

Të nesërmen në mëngjes kishte dale thirrja “Atdheu ne rrezik!“

Njerzit në rrjesht, disa ushtarakë dhe disa civilë, ish ushtarakë që kishin ardhë për t’ju përgjigjë thirrjes, nuk po i besonin gjeneralit, po e fyenin atë dhe qeverinë që drejtonte në atë kohë… ashtu me heshtje e refuzim se nuk e dinin dhe nuk e besonin se ishte gjeneral dhe ishte emëruar komandant i Divizionit të Kukësit që përfshinte edhe brigadën e Tropojës. Pasi pati humbë thuajse komplet besimi në shtet e se mund të kishte përsëri ushtri e komandanta.

Për të sqaruar njerzit që nuk besonin e nuk bindeshin, Zeneli shkon në Degën e punëve të brendëshme, lidhet nga aty me telefon me Tiranën, Ministrinë e Mbrojtjes, dhe pyet nëse ishte vertetë komandant divizioni gjeneral Kudusi Lame. Dhe shkon e sqaron njerzit se ishte e vertetë.
Bëmë thirrje për të gjithë njerzit që të paraqiten në detyrë dhe të vazhdonin detyrat për mbledhjen e armëve e municioneve që ishin rrugëve vend e pa vend.

Pas pak kohe në fillesat e para në Tropojë u ngritën disa nënreparte të gatshme: -një kompani këmbësorie, -një bateri e AT 122 mm në Elezaj, -një bateri AKA etj… 

Efektivat e këtyre nënreparteve paguheshin nga pesë mijë lekë të vjetra për ditë pune. Të gjithë personelit rezervist të Brigadës së Tropojës, mbi pesë mijë njerzve, Zenel Kuçana me shtabin e tij dhe komandantët e batalioneve u ka dërguar fletëthirrje secilit prej tyre duke i tregue funksinin e tij, vartësinë organike, (komandantin e tij), vendin e tij në rast lufte.

Në Tropojë u hapën depot pas 13 rretheve të tjera në jug të vendit. Pastaj vazhdoi në Has, Kukës etj., sistem domino…

Një njeri ka vdekë ato kohë kur u shpartalluan depot e armëve dhe municioneve në depot e Fierzës në Tropojë.

Si mund të harrohet nga ajo kohë p.sh: shpërndarja e pensioneve, vijon të flasë Zeneli. Jemi detyrue me nxjerrë tankun dhe ta çojme tek banka deri sa shperndaheshin pensionet. Kur njerzit shihnin tankun, gëzoheshin dhe flisnin me njëri – tjetrin, po, vertëtë do t’i marrim pensionet… 

Merreshin lekët e pagave të personelit të administratës në Kukës dhe i sillnim në Tropojë. Shpërndanin pagat. Ngaqe nuk i shpërndanin lekët e gjithë pagat brenda ditës, i ndanim nga 5 deri 10 milionë lekë të vjetra, që nuk ishin shpërndarë, i merrnim nëpër shtepiat tona dhe i ruanim natën nëpër shtëpia me pushkë me fishek në gojë pas dere. Nëse mund të vinte ndokush në derë të shtëpisë për grabitje, ose si mysafir hante plumbin…

Nje ndër gjërat më të veshtira që kam provuar në jetë, më thotë Zenel Kuçana, që nuk e harroj kurrë, është përshëndetja në televizionin lokal të Bajram Currit me 31 dhjetor 1997 si komandant brigade për Vitin e ri. 

Deri atë natë në rrethin e Tropojës kanë qenë 79 të vrarë. Ishte gjë shumë e rëndë, ishte përjetuar mortë në 79 familje tropojane. Në një vend të vogël sa Tropoja, 79 të vrarë nga armët. Të gjithë ata që u morën me armë, asnjë nuk mbeti gjallë. Nuk ka thënë kot populli, sa ka grykën ka nafakën, thotë Zeneli dhe heshti gjatë… 

Dhe mua më mbeti gjithë kohën në mendje kjo thënie, sa ka grykën ka nafakën…

Në prag të vitit të ri 1998 më pati marrë me vete në Tropojë komandanti i divizionit gjeneral Kudusi Lame që do të bënte një emërim të ri në brigadën e Tropojës, në vend të Zenelit, i cili vazhdonte specializimin në Akademinë Ushtarake në Tiranë që nga Tetori 1998. 

Atë natë në Bajram Curr, në oborrin e hotel turizmit general Lame nuk pranoi ta takonte, t’ia jepte dorën Sali Çekut që unë e njihja dhe e konsideroja mik, që e çmoja si figurë të madhe të Kosovës, dhe unë u deshpërova nga refuzimi i gjeneralit. Për këtë shkak nuk shkova në zyrat e brigadës së Tropojës ku u ngjit gjenerali me të tjerët, ndonëse ai donte të shkoja me të se prandaj më kishte marrë nga Kukësi…

Sa flasim se ka gjëra që nuk mund të harrohen e që duhen kujtuar domosdo, Zeneli më thotë, si mund të mos e kujtoj p.sh. të ardhurin e parë nga Kosova në Tropojë. 

Me 31 maj 1998 shqiptari i parë që ka mbërri në Tropojë i dëbuar prej serbëve është Muhamet Gjoci prej Juniku. Ai na njoftoi se rreth pesë mijë njerëz janë udhës duke ardhë për në Tropojë. Ato ditë gjatë kalimit të të ardhurve nga Kosova një nënë shtatzane lindi sipër fshatit Padesh.

Djali që u lind u pagëzue me emrin Kushtrim, emer me kuptim të madh për kohën. 

Pastaj u mbush Tropoja me të ardhur prej Kosove. Makinat e ushtrisë transportonin të ardhurit prej kufiri deri në shesh në Bajram Curr. Asnjë i ardhur nuk mbeti përjashta… 

Komandanti i brigadës Zenel Kuçana kujton e flet me nderim të madh për  kryetarin e bashkisë Bajram Curr, Sadri Isufi, kryetarin e Këshillit të Rrethit Xhevdet Hoxha, kryetarin e komunës Tropojë e vjetër Isa Memia, gjithë kryetarët e komunave dhe kryetarët e fshatrave që patën angazhim maksimal për të ardhurit nga Kosova.

Që në verën e vitit 1997 unë flisja në Radio Kukësi për UÇK. Por në fillim të vitit 1998 jepja raporte radiofonike edhe për Radio Tiranën. Me ndihmën e gjeneralit Kudusi Lame unë kisha akses të plotë në gjithë informacionet që kishte salla operative apo centrali i divizionit të Kukësit.

Dija se informacionet më të strukturuara e më të detajuara vinin prej Tropoje. Por nuk dija hollësira për ata ushtarakë që e mundësonin këtë gjë. 

Komandanti Zenel Kuçana ma sqaroi e qartësoi. Dhe jam i lumtur që po e ndaj me lexuesit e mi.

Brigada e Tropojës kishte pikën e saj të zbulimit në Padesh me komandant Ramiz Tafën. Kjo pikë zbulimi funksiononte 24 orë, ishte syri e veshi ynë, thotë Zeneli. Jepte informacione të detajuara çdo çast sepse kishte pamje deri në thellësi nga ana e Kosovës por zotëronte pamje edhe nga pjesa e Shqipërisë.

Kjo pikë zbulimi nuk ka lëvizë kurrë. Ramizi, komandanti i saj ishte shumë besnik dhe trim, më thotë Zeneli. Në këtë grup zbulimi me komandant Ramiz Tafën, sipas bllokut të shënimeve të komandant Zenelit të datës 28 e 29 maj 1998, kanë qenë: Shaqir Kuçana, që fatkeqësisht në mars 2000 ka ra në minat serbe dhe shpëtoi, Halil Zeneli edhe ky ra në mina duke humbë njërën këmbë dhe më vonë ndrroi jetë, Hasim Kuca, Sadik Sallahi, Mehmet Memia, Sherif Mella edhe ky ra në mina më vonë dhe shpëtoi, Agron Mala.

A ka gjëra që nuk duhen harrue... 

Po, ka gjëra që është “turp e varfëri“ me i harrue, që nuk duhet me u koritë me i harrue, vijon Zeneli. 

19 vetë djem të ri të rënë në luftë të Junikut janë varrosë në Bajram Curr. Më kujtohet, nuk kishim dërrasa sa duheshin për të bërë arkivolet e të vrarëve me i varrosë. Ndokush ka harrue se atëherë nuk kanë qenë kushtet e sotme, atëhere duheshin dërrasa për arkivole. U kanë heqë ndonjë dërrasë andej – këndej në kulmet e zdrukthtarisë së Gjongecajve për me u bë hall disi të vdekurve për të bërë arkivolet dhe për të varrosë 19 junikas.

Tropoja ka patur më shumë qendra stërvitje për shqiptarët e Kosovës se sa vendet e tjera të Shqipërisë. Tropoja ishte e shpallur e pasigurtë si vend… për kohën “duhej të ishte e tillë“. 

Zeneli më tregon se qendra e parë e stërvitjes për shqiptarët e Kosovës ka qenë në Dobrej që nga fillimi i 1998, ku trupat e Kosovës stërviteshin nga dy javë me oficera të Tropojës, bënin në fund qitje në Valbonë dhe hynin të përgatitur në Kosovë. Pastaj qendra stërvitje ka patur në Tropojë të vjetër, në Viçidol, në Hoxhaj, në Rragam, në Babinë, në Papaj ku kishte bazën brigada 138 ”Agim Ramadani“ me komandant Rustem Berishën.

Zeneli kujton një fjalë që e ka thënë heroi Agim Ramadani kur kanë qenë në një ndeje në shkurt 1999, “…në qoftë se nuk i biem shkaut pa çelë lulet, do të na bjerë ai ne”. Por më vonë Agimi ra në fushën e betejës… dhe kjo brigadë mori emrin e tij.

Kur e pyes se a kanë marrë pjesë ushtarëkët e Tropojës në betejën e Koshares, Zeneli më thotë, po. Bile nga Padeshi është qëlluar me top 122. Nuk ka patur oficer (kur them oficer nënkuptoj oficerët aktivë e rezervistë) apo nënoficer, ushtar e civil te Tropojës që nuk ka kontribuar për Kosovën dhe çlirimin e saj që nga Tahir Sinani, Bilbil Breçani e mbi 20 dëshmorë që Tropoja i dha kësaj lufte.

Komandanti i Brigadës ushtarake të Tropojës natyrisht që do të ishte i pranishëm në veprimtaritë e rëndësishme, në takimet e rëndësishme, në ceremonitë e rëndësishme të Tropojës. Tropoja ishte bere si nje kryeqytet i vogël. Ata përsonalitete të huaja që vinin në Tiranë, vinin në Bajram Curr.  Kujtojmë Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë Claus Kinkel, të Turqisë Ikmet Çetin…pa permendur përsonalitetet e shtetit tonë. 

Zeneli tregon një detaj interesant me ministrin e jashtëm turk Ikmet Çetin që vizitoi Tropojën. Ai donte të shihte me sytë e tij mrekullinë tropojane, donte të hynte nëpër familje mikpritëse në Bajram Curr e të shihte se si janë grumbull bashkë vendasit e të ardhurit në një familje, dhjetra vetë në aq pak metër katrorë banim, një mrekulli i pabesueshme shqiptare.

Ministri turk i hoqi këpucët te dera e hyrjes në katin e tretë te një pallati. Nga frika se mund “t’i humbisnin këpucët“ nga gjithë ajo rrëmujë e grumbull njerzish, Zeneli i thotë njërit që njihte aty, merri këto këpucë e ruaja ministrit turk se ndoshta nuk i gjejmë më kur të dalim nga kjo shtëpi e bëhemi me turp…

Ka plot histori të tilla, kujtime e tregime Zenel Kuçana nga ajo kohë. Por unë do të tregoj edhe këtë. Vjen në Tropojë gjenerali austriak Figëll që ishte atashe ushtarak austriak në Slloveni por që mbulonte edhe Shqipërinë. Dolëm me të në Qafë Morinë, thotë Zeneli dhe ai po shihte e vëzhgonte nga Kosova nga degjoheshin krismat e topave dhe shihej tym i zi tek digjeshin shtëpitë e shqiptarëve.

Vukovar… kështu thërriti me zë të lartë e i tronditur gjenerali austriak Figëll kur pa nga Qafa e Morinës së Tropojës se çfarë po ndodhte në Kosovë.

 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat