“Rasti Simon Mirakaj” – Pasqyrë e një politike të pamoralshme dhe të korruptuar

Opinione

“Rasti Simon Mirakaj” – Pasqyrë e një politike të pamoralshme dhe të korruptuar

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli Më 1 qershor 2022 Në ora: 00:42
Z. Simon Mirakaj duke folur me rastin e promovimit të tre vëllimeve të autorit, “Demokracia nuk pret”, 11, Shtator, 2028 në Tiranë.

Pa dashur të futem në hollësi se si e tek ndodhi “rasti” Simon Mirakaj i ditëve të fundit -- përfundimi është se dy “demokratë”, Gazment Bardhi e Enkelejd Alibeaj, në bashkëpunim me socialistin Taulant Balla, rrezuan kandidaturën e Z. Simon Mirakaj si anëtar të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, 1944÷1991, (AIDSSH) – me pretendimin se kandidatura e tij ishte nënshkruar nga Sali Berisha.

Siç dihet, Simon Mirakaj rrjedhë nga njëra prej familjeve më të njohura dhe më të vuajturat nën regjimin komunist të Enver Hoxhës. Vetë Simoni ka vuajtur burgjet dhe kampet e internimit për gati një gjysmë shekulli – pothuaj rritë e plakur në internim, larg nga vendlindja e tij.

Për Simonin, vëllain e tij Sokolin dhe mbarë familjen Mirakaj – të internuar e të burgosur, në disa zona të Shqipërisë, por edhe për ata anëtarë të familjes Mirakaj të arratisur në perëndim, përfshirë babain, të parin e familjes, të ndjerin Palë Bib Mirakaj, të cilin e kam njohur si një prej burrave më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan -- gëzimet në jetën e tyre familjare ishin të paka dhe mjerimet në internim sikur nuk mbaronin kurrë.

Madje as në ditët e sotëme, 30-vjet “post-komunizëm”, fatkeqësitë po e ndjekin Simonin. Duket sikur njollosja e familjes Mirakaj nga regjimi i Enver Hoxhës, po e ndjekë atë edhe sot. Siç tregon edhe rasti i fundit që ka të bëjë me një rast përjashtimi politik të ditëve të fundit. Simon Mirakaj po persekutohet për herë të dytë, 32 vite pas “rënies” së diktaturës, e cila e internoi dhe e burgosi për pothuaj një gjysmë shekulli. Sipas lajmeve, deputeti socialist, Taulant Balla pranoi kërkesën e “demokratit” Gazment Bardhit, me miratimin e “demokratit” tjetër, Enkelejd Alibeaj, për të rrëzuar kandidaturën e Simon Mirakajt si anëtar i (AIDSSH).

E gjetën pretekstin e rastit për të përjashtuar një ish-të përndjekur të komunizmit, duke mos votuar emrin e Simon Mirakajt, si anëtar të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, 1944÷1991.

Fajin e ka Saliu! Sali Berisha, në kompetencën e tij si deputet paska nënshkruar rekomandimin e kandidaturës së Simon Mirakajt për anëtar të Autoritetit të Dosjeve. Por për inatin dhe urrejtjen që kanë këta djema ndaj Z. Berisha, sipas gjykimit të tyre, Simon Mirakaj duhet të “paguaj”, se Berisha është “non grata”. Kush më mirë se Simoni, një ish- i përndjekur për tu përdorur si anëtar i një klase të shoqërisë, për të cilët as qeveria as shteti nuk çajnë fort kokën për ta as për familjet ose sakfrificat e tyre – për të dërguar një mesazh më domethënës. Ky regjim dhe këta përfaqsues të Kuvendit shqiptar e përdorën rastin e Simon Mirakës për t’u “futur lepurin në bark” të tjerëve, duke i paralajmëruar të gjithë se po të merreni me Sali Berishën, as bukë nuk do hani – duke i hedhur në rrugë të madhe, pa punë. Do hani bar! Kriteri, pra, për refuzimin e kandidaturës së Z.Mirakaj si anëtar i (AIDSSH), ku ka punuar për 5 vitet e fundit, ishte nënshkrimi i Sali Berishës në mbështetje të Z. Mirakaj, krejtësisht brenda të drejtës së tij si deputet i Kuvendit të Shqipërisë-- Jo more, jo, ata nuk e morën këtë vendim kundër Z. Mirakaj, me premisën se ai nuk mund të bënte punën, por sepse e mbështeti Sali Berisha.

Në një program televiziv, Z. Mirakaj tha se ai vet vlerëson lirinë mbi të gjitha duke u shprehur se, “E kam për nder që ka firmosur lideri historik i PD, Sali Berisha. Liria (ime) i ka rrënjët hershëm tek Kryengritja e Malësisë së Madhe, Kryengritja e Postribës, më pas revolta e Spaçit, familjet e internuara, të syrgjynosurit nëpër burgje.”, ka thenë Simon Mirakaj, në një reagim në televizion.

Z. Mirakaj njihet si një ish i internuar i regjimit komunist në Shqipëri, i cili jetoi në internim për 44 vite. I ati i tij është arratisur nga Shqipëria pas ardhjes në fuqi të regjimit komunist, ndërsa familjarë të tjerë janë pushkatuar për shkak të mospajtimit dhe rezistencës së tyre ndaj komunizmit.

Mënyra se si u morën përfaqsuesit e kësaj klase politike me votën kundër kandidataturës së Simon Mirakajt, një i përndjekur dhe i internuar i regjimit komunist, më kujton një thënie të Vladimir Leninit, të cilin po e parafrazoj të ketë thënë se, ne duhet të veprojmë, të flasim e të shkruajmë me një gjuhë që përhap sa më shumë urrejtje, neveritje dhe përbuzje në popull, sidomos ndaj atyre që nuk pajtohen me ne.

Nxënës të mirë të Leninit janë – përfaqësuesit e klasës politike e tranzicionit “post-komunist”, në Shqipëri! Fatkeqësisht, jo vetëm shpresa e humbur për demokracinë atë vend, por më duket si një gjeneratë e humbur, nga pikëpamja politike, për të ardhmen e Shqipërisë dhe të kombit!

Uroj që Z. Mirakaj dhe mijëra ish-të përndjekur e të burgosur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ndonëse gjithnjë të përjashtuar dhe të lënë pas dore, të mos humbasin besimin në demokracinë dhe vlerat e vërteta të lirisë dhe demokracisë perëndimore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat