Kosovës i duhet drita, jo errësira…?!

Opinione

Kosovës i duhet drita, jo errësira…?!

Nga: Skënder Mulliqi Më: 4 qershor 2022 Në ora: 14:21
Skënder Mulliqi

Vitet e 90-ta të shekullit të kaluar ishin vitet e konfliktit dhe të luftës. Nga ajo kohë kanë kaluar shumë vite të cilat determinojnë të kaluarën dhe të tashmen. I lamë mbrapa gjithë këto vite, jo bash të mira, por megjithatë jemi gjallë. Marrëdhëniet dhe narracioni ndaj luftës dhe pesha e saj, sikur janë pika qendrore e gjithë ndodhive edhe të tashme, edhe pse do të ishte dashur të merremi më dimensionet e jetës të cilën nuk po e bëjmë ende ashtu siç e dëshirojmë.

Ende nuk jemi larguar nga vitet e 90-ta, tragjike për shqiptarët nga agresioni i shfrenuar serbomadh. Këtu ka një të vërtetë e jo ndryshe. Edhe pse gjendemi bukur larg nga ajo kohë, nuk hulumtuam, nuk gjetëm mjete, nuk patëm dije, e as nuk morëm përvojë që ta rregullojmë ashtu si duhet jetën shoqërore dhe politike. Nuk kishim kreativitet dhe as unitet, që të përballemi me krizat politike, ekonomike dhe sociale , e as të zhvillohemi e që i kishim dhe i kemi të gjitha predispozitat. Na mungoi strategjia, se nuk kishim strategë dhe as njerëz të duhur për politikëbërje.

Krizat dhe goditja nga pandemia globale, na e qiti arpallakun nga të katër anët. Doli në sipërfaqe e gjithë mos gjeturia, padituria dhe malicioziteti i kastës politike që ishin në pushtet krejt pas luftën. U veprua sikur të ishte primare dominimi i njerit mbi tjetrin apo një partie politike mbi partinë tjetër. Kështu mbetem duke u sjellur në rrethin vicioz, duke mbetur shumë mbrapa proceseve zhvillimore dhe proceseve demokratike. Nuk patëm dinamikë dhe as veprime dialektike si rast i mirë që të ecim në hap më kohën. U ngulfatëm duke mos gjetur alternativa të duhura.

Në këtë hapësirë të ngulfatur politike dhe kulturore, na goditën shumë të liga, edhe morale e psikologjike. U lanë anash interesat shtetërore e nacionale, madje u vu ne peshore edhe sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës. Zunë vend manipulimet, kriminaliteti dhe korrupsioni që na varfëruan. Jemi lodhur nga padrejtësitë, të cilat kanë rezultuar me largime masovike të të rinjve nga vendi. Më shumë zuri vend terri se sa drita mbi nën qiellin e Kosovës. Më në fund erdhëm në një situatë të një gjenerate të re politike, të cilët shpresojmë që do të jenë e ardhmja e këtij vendi, një gjeneratë e cila është votuar më plebishit, dhe të cilës i është dhënë besimi për ndryshime përmbajtësore në mbarë sistemin. Kjo e ka rastin e heqjes së kundërthënieve të gjeneratës së kaluar.

Është koha e kapërcimit të pikëpamjeve partiake dhe ideologjike, si dhe ndarjeve mbi baza regjionale e krahinore, të cilat po theksohen. Është koha që retorika, idetë retrograde nga e kaluara komuniste të mbesin mbrapa. Nuk guxojnë të na përcjellin paqartësitë dhe jo lojaliteti karshi interesave nacionale, sidomos kur bëhet fjalë për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Mos uniteti dhe gabimet apo lëshimet e mundshme, janë të pafalshme dhe fatale…

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat