Arsyet “sekrete” përse Kosova nuk e mori liberalizimin e vizave

Opinione

Arsyet “sekrete” përse Kosova nuk e mori liberalizimin e vizave

Dren Dushi Nga Dren Dushi Më 30 qershor 2022 Në ora: 17:41
Foto ilustrim

Nuk e di kush, por mbase organet e sigurisë, do duhej të na shpjegonin se kush qëndronte prapa projektit që Kosova të tejkalojë Stambollin me xhami? Sidomos me xhami strategjike, të vendosura kodrave pa asnjë shtëpi afër, hyrje daljeve të qyteteve, aeroporteve e kufinjve të Kosovës.

Ideja e lashtë e akademisë serbe për islamizimin radikal të Kosovës, duket se nuk ka ndryshuar shumë. Në platformat e fillim shekullit XX, ku më vonë do përmirësoheshin e kushedi se ku kanë shkuar deri më tani, të nisura nga Vaso Çubriloviqi, duket se po sjellin rendimentin e duhur për Beogradin; izolimin e Kosovës nga bota demokratike perëndimore. Këto ide proklamonin e proklamojnë akoma sot, “Kosova është vend i talebanëve”, por ndonëse nuk është e vërtetë kjo, e vërtetë është se Kosova tejkalon Stambollin me xhami, sikur që është e vërtetë që Kosova është e mbushur me “hallall food-e”, duke proklamuar të tjerët si “haram”. Kosovës nuk i mungojnë as mjekroshët me pantollona të Saharës, që mangu kanë vetëm devetë, as mbulesat totale të grave që nuk ju shihen as sytë, nuk i mungojnë xhamitë të cilat në kohën e thirrjes së “xhematit” merren vesh që të mos thërrasin në të njëjtën kohë, por fillon njëra, përfundon, vazhdon tjetra, e kështu me radhë që të zgjasë kjo thirrje sa më shumë.

Mund të merrni me mend, se si i shohin këto fenomene të radikalizmit fetar, misionarët e BE-së, ata publik e ata sekret, mund të merrni me mend, se si DSG raporton te Ministri i Brendshëm Francez, ku sigurisht, në këto raporte nuk mungojnë as edhe diskutimet e taravive të Kolovicës e Lagjes së Trimave në Prishtinë, e deri te ndonjë fshati periferik i Kosovës ku ndërtohen xhami me dy binare ndonëse nuk ka as kushte elementare infrastrukturore.

Por ndonëse këto fenomene të fshatit më të madh në Evropë, Kosovës, mund të mos shihen nga ne, dhe madje, shumësisht mund edhe të shihen me shumë neveri e urrejtje konstatimet e sipërme, janë pikërisht këto neveri e urrejtje disa nga arsyet që Kosovën nuk po e do Ministri i Brendshëm Francez, e përse jo, edhe ndonjë Ministër tjetër që ushqehet me “haram food”. Por situata është akoma më e ndërlikuar.

Kur u liberalizuan vizat për disa kombe të ngjashme për nga kultura e zhvillime me ne, pra Kosovën, Evropa u desh të akomodojë popullsi me kultura shumë të ndryshme nga vetja e saj. Rritja e skemave sociale si presion për buxhetet e tyre, problemet e mos përshtatjeve, probleme që realisht çuan në daljen e Anglisë nga BE, rritjen e forcave të ekstremit të djathtë gjithandej, e deri te disa protesta ku përshëndetet me simbolika të nazizmit. Pra ata që e bënë të pa jetueshme pjesën Ballkanike të Evropës, shkuan dhe filluan të dëmtojnë pjesën e jetueshme, atë perëndimore, por pa ndryshuar shumë “CD-në” ballkanike, sipas kësaj pikëpamje.

Në spitalet e Londrës kishte gra të Ballkanit që prisnin për të kontrolluar 3-4 fëmijë të vegjël, të cilët i kishin bërë në një periudhë rekorde, teksa anglezët, të neveritur do detyroheshin të prisnin me orë të tëra për të marrë një shërbim shëndetësor. Ndaj të gjitha këtyre ngjarjeve, ne që mendojmë se duam shumë perëndimin, mund të mos e kuptojmë në të vërtetë se çfarë duam. Por e vërteta është se, ka të atillë nga Ballkani, jo të paktë, që mendojnë se kultura e tyre është superiore ndaj asaj Evropiane, dhe shkojnë atje për të promovuar madje.

E gjendur në këtë mjerim të shtresëzuar për njëzet vjet, Kosova duket se do ketë punë shtesë, e vonesa, deri sa popullata e saj me shumë “hallall food-e” e xhami, të konsiderohet e denjë për të lëvizur e lirshme nëpër Evropë, kështu po thonë të paktën ngjarjet, mbesim të izoluar.

Arsyeja e konstatimit se situata është shumë më e ndërlikuar, gjendet te gjeopolitika, por jo rastësisht pjesa delikate kulturore merr rëndësinë edhe elektorale karshi liderëve të BE-së, nuk më lejohet të dal nga real-politika, BE-BE, por aty është shpikur kjo.

Meqë Kosova ka humbur rëndësinë si faktor stabiliteti, NATO është këtu, Kryeministri Serb dhe ai i shtetit Shqiptar janë miq, Mali i Zi nuk paraqet faktor serioz, Maqedonia që po konsiderohet gjysmë Bullgare nga Bullgaria dhe gjysmë shqiptare (po nga ta jo na ne), BE nuk do të çajë shumë kokën me këtë zonë. Sidomos, çarja e kokës nga BE, për rajonin e Ballkanit Perëndimor, tashmë është shndërruar në çarje kokë për Beogradin.

Beogradi kur të dojë, mund të trazoj ujërat në Bosnje, Mal të Zi, Kosovë, dhe Beogradi ka miqësi të fuqishme me Athinën e Bukureshtin që Serbisë ia njohin Kosovën si pjesë të saj. Pra, BE do të merret me Beogradin si një “lëvizës të pa lëvizshëm” të Ballkanit, dhe fare pak me Kosovën që tashmë ka humbur relevancën gjeostrategjike.

“Përse t’i japin Kosovës liberalizim vizash, kur këtë gjë mund ta përdorim si “karotë” për ndonjë lëshim të radhës karshi Serbisë, e kështu ta afrojmë Serbinë më afër nesh, e më larg Putinit?” Kjo është një pyetje imagjinative, por është edhe sekret publik tashmë, meqë ka arsye për këtë.

Në Kosovë ka më shumë sundim ligji se në Shqipëri, mjafton të shihen raportet, por edhe të bësh ca vizita andej këndej kufirit, dhe Shqipëria ka tash e shumë vite që ka fituar lirinë e lëvizjes, Kosova jo. Sigurisht, që për Shqipërinë nuk vlen argumenti i pjesës së parë të këtij shkrimi, por megjithatë, janë shumë elemente tjera që do duhej konsideruar. Një nga ta është fakti se Kosova ka qenë nën monitorim ndërkombëtar për shumë vite, ka Kushtetutë pothuajse me tendenca të ekstremit liberal, dhe ka bërë çfarëdo që i ka thënë bashkësia ndërkombëtare, madje ka futur edhe një pjesë të politikanëve të vet në burgjet e Hagës.

Për më shumë, nuk ka ndonjë arsye tjetër për liberalizimin e vizave për Kosovës, përveç një antipatie që lindi nga projekti për radikalizëm islamik në Kosovë, dhe komplikacioneve gjeopolitike për ta afruar Serbinë me perëndimin, e larguar nga Putini. Duket se fati i popullit të Kosovës, do jetë peng i negociatave të mëtutjeshme me Beogradin, por edhe i pjesës që mendon se Ministri i Brendshëm Francez ushqehet me ushqim haram, pra që të afron më shumë kah ferri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat