Rrënjët mongole të barbarisë dhe të egërsisë fashiste ruse

Opinione

Rrënjët mongole të barbarisë dhe të egërsisë fashiste ruse

Nga: Eshref Ymeri Më: 10 gusht 2022 Në ora: 07:47
Eshref Ymeri

Analisti polak Marçin Enxhejçak, ka shkruar se Rusia, në thelb, është një vend aziatik, me qytetërim turanik (lidhet me emrin Turan - një territor në Azinë Qendrore, i populluar në lashtësi nga skithë dhe fise iraniane, me emërtimin e përbashkët “tura” - E.Y.), rrënjët e të cilit fillojnë që nga mongolët, prandaj liria perëndimore e individit në këtë vend tingëllon si një fjalë boshe.

Ai thekson:

“Rusia, duke qenë një vend që i përket qytetërimit turanik, me ndikim bizantin, nuk mund të shërbejë si model për konservatorët evropianë. Si edhe në kohën e “Hordhisë së Artë (kështu është quajtur shtetit mongol - E.Y.), në Rusi feja kuptohet si diçka që duhet të të sjellë përfitime, aty mbretëron militarizmi dhe si vlerë kryesore paraqitet pushteti” (Citohet sipas: “Mos i besoni Putinit, ai është aziatik”. Faqja e internetit “Polonia Christiana”. 29 gusht 2014).

Në argumentim të bindjeve të analistit polak për qytetërimin rus, mund t’i drejtohemi këndvështrimit të historianit dhe të filozofit gjerman Osvald Shpengler (Oswald Arnold Gottfried Spengler - 1880-1936). Në veprën e tij me titull “Perëndimi i Evropës” (Der Untergang des Abendlandes), të botuar në vitin 1924, Shpengleri ka nënvizuar se për civilizimin rus karakteristik është mohimi dhe madje me fjalën “qiell” nënkuptohen jo vlerat pozitive, përkundrazi, me këtë fjalë nënkuptohet çlirimi nga vuajtjet e jetës së përditshme. Me këtë rast, njeriu rus, sipas Shpenglerit, kur mendon për botën e ardhshme, nuk shikon lart, po shikon tutje, drejt horizontit, dhe kryesimboli i qytetërimit rus është stepa e pafund, e cila mishëron shkrirjen e individit në një masë kolektive.

Një gjë të tillë e pranojnë vetë rusët. Ideologu kryesor i Kremlinit, filozofi dhe politologu Aleksandër Dugin (1962), njëri nga tellallët e regjur të politikës ruse për krijimin e të ashtuquajturës superfuqi euroaziatike përmes integrimit të Rusisë dhe të ish-republikave sovjetike në Bashkimin Euroaziatik (BEA), çirret në të gjitha udhëkryqet e vendit se në antropologjinë ortodokse nuk ekzistojnë fjalët individ dhe individual, sepse njeriu, sipas filozofisë së tij shoviniste, u perceptuaka si pjesë e një bashkësie më të madhe. Sipas këtij tellalli të shovinizmit rusomadh, në katolicizëm njeriu është individ, është një tërësi e pandashme, kurse në ideologjinë ortodokse është një tërësi e ndarë në dy pjesë.

Kjo dukuri në jetën ruse, - shkruan analisti polak, - në një masë të konsiderueshme, pati hedhur rrënjë në Rusi fill pas dyndjes mongole, kur Rusia, gjatë një çerek mijëvjeçari, u gjend nën ndikimin e fuqishëm të qytetërimit turanik, gjurmët e të cilit mund të vihen re në jetën shoqërore ruse të ditëve tona.

Qytetërimi mongol, faktikisht, u shkri me qytetërimin rus, paçka se fillimisht këtu bëhej fjalë për një akt agresiv. Megjithatë, ideologu Aleksandër Dugin, si një lake besnik në shërbim të klikës shoviniste të Kremlinit, e ngre në qiell dyndjen mongole, duke e vlerësuar si një ndërhyrje hyjnore me vlera praktike, e cila pati krijuar një “etikë të re vëllazërore”.

Në të njëjtën kohë, autoritetet e Kremlinit, sipas analistit polak, deri tani vazhdojnë të përjetojnë një ndjenjë hidhërimi lidhur me pushtimin polak të Moskës gjatë dy vjetëve, - 1610-1612 - por, çuditërisht, atyre nuk u bën përshtypje absolutisht sundimi mongol që pati zgjatur një çerek mijëvjeçari. Kjo për arsye se dyndjen polake ata e vlerësojnë si më të rrezikshme, sepse ajo sillte si pasojë kërcënimin e ndryshimeve civilizuese.

Civilizimi turanik pati lindur mes fiseve endacake aziatike, të cilët, që në lashtësi, patën sulmuar shtete më të zhvilluara. Pikërisht për t’u mbrojtur prej tyre, në shek. III p.e.r. qe ngritur Muri i madh kinez. Fuqia e atij civilizimi erdhi e u rrit kur në vitin 1206, Çingiskani (1155-1227), themeluesi dhe hani (sundimtari, monarku) i parë i madh i perandorisë mongole, që bashkoi fiset e shpërndara mongole dhe tyrke, strategu që pati organizuar marshimet pushtuese të mongolëve në Kinë, në Azinë e Mesme, në Kaukaz dhe në Evropën Lindore, themeluesi i perandorisë kontinentale, më të madhe në historinë e njerëzimit, u nis për të pushtuar botën dhe pushtimet patën vazhduar edhe pas vdekjes së tij dhe ndarjes së perandorisë mongole.

Në mesin e shek. XIII mongolët hoqën dorë nga sulmet kundër Evropës dhe krijuan shtetin e vet, me kryeqytet Saraj-Batu (kryeqendra e Hordhisë së Artë, që shtrihej rreth 130 km larg qytetit të Astrakanit, qytet rus ky që ndodhet në deltën e sipërme të lumit Vollga), i cili sundimin e vet mbi tokat ruse e pati vazhduar për një kohë të gjatë dhe pati ushtruar një ndikim të pashlyeshëm mbi civilizimin rus.

Ky shtet, si edhe strukturat e tjera mongole, kishte si pikësynim luftën dhe qe organizuar sipas një parimi ushtarak. Aty nuk ekzistonte ndonjë sferë private. Në kohën kur në Evropën mesjetare patën lulëzuar organizime të gjithfarëllojshme, si zejtaria, bashkësi fetare, universitete dhe qytete, te mongolët, praktikisht, jeta shoqërore nuk ekzistonte, sepse si vlerë më e madhe në civilizimin turanik konsiderohej pushteti. Madje sundimtari aty kujdesej jo për të mirën e përbashkët, por për përfitime personale. Në luftën për pushtet mund të vrasje këdo, nëse ishte fjala për “vlerën më të rëndësishme” - për personalitetin e sundimtarit.

Shkencëtari polak Meçislav Kurjanski vëren se pushteti dhe privilegjet që rrjedhin prej tij, për mongolët kanë qenë qëllim në vetvete. Ai shkruan:

“Vullneti i sundimtarit ka pasë qenë ligji më suprem dhe etika përtej caqeve të atij vullneti, në parim, nuk ka pasë ekzistuar” (Citohet sipas: “Pamja turanike e Rusisë”. Faqja e internetit “inosmi”. 20 gusht 2014).

Me këtë rast, feja te mongolët shërbente jo aq për vendosjen e kontakteve me Hyjninë, sesa për argumentimin e pushtetit të sundimtarit: sipas besimeve tradicionale, hani personifikon një vullnet hyjnor dhe prandaj është e ndaluar ta kundërshtosh.

Sundimtarët mongolë ishin të bindur se vetë ata, me të drejtë, qenkeshin sundimtarë të ligjshëm të mbarë botës dhe çdo rezistencë të shteteve të pavarura e perceptonin si rebelim kundër kësaj të drejte. Prandaj luftërat konsideroheshin si ekspedita ndëshkimore të domosdoshme kundër rebelëve.

Në periudhat më të vona, rolin e hanit e mori përsipër cari. Për pasojë, “në ortodoksinë ruse ndikimet turanike erdhën e u përzien me luksin bizantin dhe dominimin e shtetit mbi kishën” (Citohet sipas: “Mos i besoni Putinit, ai është aziatik”. Faqja e internetit “Polonia Christiana”. 29 gusht 2014).

Nënkuptohet që për carin ishin krejtësisht të huaja parimet e mëshirës, se në qendër të ushtrimit të pushtetit të tij ishte ndëshkimi. Prandaj cari Ivani i Tmerrshëm (1530-1584), në historinë ruse, njihet si smbol i sunduesit sadist, si car mizor, i kapluar tmerrësisht nga paranoja e frikës.

Sipas një legjende, Ivani i Tmerrshëm qenkej shenjtëruar nga Hyjnia për fronin e carit pikërisht për shkak të egërsisë së tij të jashtëzakonshme.

Pra, kjo egërsi e sundimtarëve rusë, të cilën sot po e shikojmë të mishëruar në krimet e përbindshme që ushtria e tyre fashiste po kryen në Ukrainë, ka pasur një traditë mongole shumëshekullore dhe kulmin e arriti me vendosjen e totalitarizmit sovjetik, i cili s’ishte gjë tjetër, veçse një përzierje skëterrore e Rusisë turaniko-bizantine me ideologjinë marksiste.

Pikërisht krimet e përbindshme të egërsirave ruse në Ukrainë, më sollën në kujtesë historianin dhe publicistin e njohur rus Sergej Melgunov (1880-1956), pjesëmarrës në luftën antibolshevike pas revolucionit të tetorit, i përndjekur dhe i burgosur nga banda kriminale bolshevike, i larguar familjarisht nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1922. Ai është autor i librit me titull “Terrori i kuq në Rusi”, i cili u botua në Gjermani në vitin 1924 dhe pati shumë jehonë pas përkthimit në disa gjuhë të huaja. Në atë libër ai zbulon lakuriq natyrën prej egërsirash të paimagjinueshme të komunistëve rusë. Ai shkruan:

“Çdo zonë, në periudhën e luftës civile, kishte tiparet e veta specifike në sferën e shfaqjes së egërsisë njerëzore. Në Voronezh, njerëzit e torturuar i futnin lakuriq nëpër voza, të mbushura me gozhdë të ngulura nga jashtë, paskëtaj vozat i rrokullisnin. Në ballë u damkosnin me hekur të nxehtë një yll me pesë cepa. Priftërinjve u vinin në kokë kurora me tela me gjemba. Në Caricin dhe në Kamishin njerëzve u sharronin eshtrat. Në Poltavë dhe në Kremençugë të gjithë priftërinjtë i ngulnin mbi hunj. Në Ekaterinosllav parapëlqenin edhe kryqëzimin e viktimave, edhe vrasjet me gurë. Në Odesë oficerët i torturonin, i lidhnin me zinxhirë pas dërrasave dhe i futnin nëpër furra, duke i pjekur ngadalë, të tjerët i shqyenin në dy copa me anë të rrotave metalike të vinçave, të tretët i zbrisnin, me radhë, herë në një kazan me ujë të valuar, herë në det, mandej i flaknin në furrë”.

Përveç këtyre krimeve të përbindshme, një tjetër faqe të turpshme, deri në neveri, në historinë e Rusisë, e përbën enciklopedia e përdhunimeve shtazarake të femrave në vendet ku ka shkelur këmba e ushtarit së saj.

Shkrimtarja bjelloruse Svjetllana Aleksijeviç (1948), fituese e Çmimit Nobel në letërsi për vitin 2015, është bërë e shquar me novelën me titull “Lufta nuk ka fytyrë femre”. E pati shkruar në vitin 1983. Kjo novelë dokumentare është bazuar në regjistrimin e rrëfenjave të grave ruse, pjesëmarrëse në luftën kundër agresionit hitlerian më 22 qershor 1941. Një pjesë të atyre rrëfenja-kujtimeve censura i pati flakur nga libri, sepse autoren e akuzuan për pacifizëm dhe për natyralizëm. Në botimet e mëvonshme, pjesët e hequra u rivendosën në libër. Në vitin 1985 libri doli nga shtypi si botim më vete, njëhohësisht në disa shtëpi botuese, me një tirazh të përgjithshëm që arriti në dy milionë kopje në fund të viteve ’80. Për krijimin e kësaj vepre, autorja ka pyetur më shumë se 800 gra që patën marrë pjesë në frontet e luftës. Pikërisht mbresat e tyre janë përfshirë në këtë libër. Pas botimit të librit, autores filluan t’i vinin letra edhe nga meshkuj që kishin qenë në vijën e parë të fronteve të luftës. Një fragment të njërës nga ato letra autorja e ka përfshirë në libër. Ia pati dërguar një ish-ushtar, pjesëmarrës në luftë. Në këtë fragment zbulohet lakuriq natyra shtazarake e ushtarëve rusë, të cilët, si bisha të tërbuara, me radhë, përdhunonin me aq egërsi femrat gjermane. Jo vetëm kaq, por edhe gajaseshin gjatë skenave të përdhunimit. Ja fragmenti:

“Po vazhdojmë sulmin… U dukën fshatrat e para gjermane. Ne, të rinj hesapi. Të fuqishëm. Katër vjet pa rënë në femra. Nëpër bodrume ka fuçi me verë. Ka meze. Kapim vajza gjermane dhe i… Dhjetë nga ne përdhunuan njërën… Femrat nuk na mjaftonin, popullsia kishte marrë arratinë nga sulmi i ushtrisë sovjetike. Mbërthenim vajza të reja. Njomëzake… Dymbëdhjetë-trembëdhjetë vjeçe… Nëse ndonjëra qante, e zhdëpnim në dru, i rrasnim diçka në gojë. Ajo kishte dhimbje, kurse ne shkriheshim gazit”.

Natalia Gese (1914-1998), mikesha e ngushtë e shkencëtarit Andrea Saharov (1921-1989), gjatë luftës, punonte si korrespondente ushtarake. Më vonë ajo kujton:

“Ushtarët rusë i përdhunonin të gjitha femrat gjermane, nga mosha 8 deri në moshën 80 vjeçe. Ajo ishte një ushtri përdhunuesish” (Citohet sipas: Nikollaj Ivanov. “Për heroizmat e ushtarit sovjetik, të ushtarit përdhunues… I kushtohet 23 shkurtit të turpshëm. Faqja e internetit “FakeOff”. 23 shkurt 2015).

Në mbyllje, analisti polak zbulon lakuriq egërsinë e Rusisë putiniane:

“Dhe tani, pas periudhës së shkurtër të lojërave me Perëndimin dhe liberalizmit të kohës së Gorbaçovit dhe të Jelcinit, po vëmë re rikthimin në traditat ruse. Historia nuk ka përfunduar dhe ne jemi bërë dëshmitarë të përplasjes hantingtoniane të qytetërimeve [është fjala për Samuel Hantingtonin (Samuel Phillips Huntington - 1927-2008), sociolog dhe politolog amerikan, autor i konceptit të ndarjes etnokulturore të qytetërimeve, të shprehur në artikullin e tij me titull “Përplasja e qytetërimeve?” (The Clash of Civilizations?), të botuar në vitin 1993 në revistën “Foreign Affairs” dhe mandej në vitin 1996, në librin “Përplasja e qytetërimeve” - E.Y.]. Rusia, me kultin e vet të pushtetit, me trajtimin pragmatik të fesë dhe nënshtrimin e saj politikës, me forcimin e despotizmit dhe shtypjen e lirive të individit, gjithmonë e më shumë po e zbulon pamjen e saj turanike” (Citohet sipas: “Mos i besoni Putinit, ai është aziatik”. Faqja e internetit “Polonia Christiana”. 29 gusht 2014).

Putini, që në vitin 2005, ka pasë shprehur këndvështrimin e vet për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Duke iu drejtuar parlamentit rus, atë shpërbërje ai e pati vlerësuar si “katastrofën më të madhe të shek. XX” (Citohet sipas: “Rënien e Bashkimit Sovjetik Putini e quajti tragjedi dhe shpërbërje të Rusisë historike”. Faqja e internetit “rbc.ru”. 12 dhjetor 2021).

Në vitin 2019, gjatë zhvillimit të mbledhjes së forumit “Rusia thërret”, si shkak për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, Putini pati vlerësuar politikën ekonomike jo efektive që pati ndjekur udhëheqja e vendit. Ai ishte i mendimit se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik nuk lidhej me shtimin e tendencave nacionaliste në republikat e Priballtikut. Por ish-presidenti Mihail Gorbaçov (1931), në përgjigje të pikëpamjes së tij, pati deklaruar se në themel të shpërbërjes ishin raportet mes republikave, jo arsyet ekonomike.

Përmes kryeideologut të Kremlinit Aleksandër Dugin, mësojmë se Putini kërkuaka të rikrijojë Bashkimin Sovjetik, por, siç u përmend më lart, me një tjetër emër - Bashkimi Euroaziatik, duke përfshirë brenda tij ish-republikat sovjetike. Por ky ideolog shovinist nuk na thotë asgjë se ç’mendojnë vetë ish-republikat sovjetike për projektin e krijimit të Bashkimit Euroaziatik. Sigurisht që s’mund të na thotë dot asgjë, se, në heshtje, ai është i bindur plotësisht se ato ish-republikat sovjetike as që e mendojnë kurrë rikthimin në vathën e shovinizmit rusomadh, i cili, gjatë tërë kohës së sundimit të perandorisë sovjetike, pati bërë çmos për ndryshimin e ekuilibrave demografikë përmes rusifikimit të tyre.

Me sa duket, ringritjen e kësaj gërmadhe të re, Putini e filloi me sulmin fashist për pushtimin e Ukrainës, si ish-republika më e madhe dhe me më autoritet politik dhe ekonomik e ish-Bashkimit Sovjetik, duke planifikuar që, me mposhtjen e saj, nuk do ta kishte problem pushtimin dhe mposhtjen përfundimtare të republikave më të vogla ish-sovjetike. Por, si politikan dritëshkurtër që është, për shkak të testit të intelektit poshtë mesatares, çka bën që ta brejë keq kompleksi i inferioritetit, nuk e parashikoi dot që, në zbatim të projektit të tij idiot, në Ukrainë do t’i ngecte sharra në gozhdë. Prandaj, për shkak të dështimit të projektit, Putini zbuloi faqe botës natyrën mongole të barbarisë dhe të egërsisë fashiste ruse, të mishëruar në Ukrainë me krime barbare të tmerrshme, të cilat ua kalojnë shumëfish krimeve nazifashiste të luftës së dytë botërore.

Kryekrimineli Putin, si frymëzuesi kryesor i bandave të tij ushtarake, të edukuara me psikologji shtazarake, ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë një makrokatastrofë të tmerrshme në Ukrainë, duke përhapur në këtë vend një epidemi terrori, që të kujton epideminë e terrorit të Çinghiskanit, i cili, gjatë marshimeve të tij pushtuese, pati shfarosur një të dhjetën e popullsisë euroaziatike.

Para fillimit të agresionit kundër Ukrainës, Putini dhe kori i servilëve të tij në televizionin shtetëror “Rusia 1”, çirreshin në të gjitha udhëkryqet se operacioni special i ushtrisë ruse paskej për qëllim mbrojtjen e qytetarëve rusishtfolës nga nacizmi dhe racizmi ukrainas. Ky ishte një mashtrim skandaloz. Zhvillimi i ngjarjeve të mëvonshme vërtetoi konkretisht se, me atë agresion, klika fashiste e Putinit paska pasur ndër mend të arrijë një objektiv krejt tjetër - zhdukjen e Ukrainës nga harta e Evropës, çka dëshmon më së miri se Rusia është një shtet banditesk, terrorist.

Drejtuesi i një emisioni, me titull “Gagarini - gënjeshtra kozmike (një mit 60-vjeçar për “kozmonautin e parë”)”, të transmetuar në kanalin televiziv “Sotnik Tv” (një mjet i pavarur ky i informimit masiv), të cilin e ndoqa në youtube më 09 gusht, ndër të tjera, deklaroi:

“Propaganda sovjetike asnjëherë nuk është dalluar për vërtetësi. Sovjetët gjithmonë kanë mashtruar, kurse sot, këtë traditë, e vazhdon me sukses edhe Rusia. Ky është një realitet objektiv. Tërë historiografia ruse, që nga lashtësia deri në ditët tona, është karakterizuar fund e krye nga gënjeshtra. Po mbi një gënjeshtër totale vazhdon të mbështetet edhe politika e sotme e Moskës”.

Fakti që ushtria fashiste e Putinit gjuan me raketa pallatet e banimit në Ukrainë, dëshmon fare qartë se synimi tij i fshehtë është shpopullimi i saj, duke i detyruar njerëzit të shpërngulen në masë drejt vendeve perëndimore, kurse ata që do të mbeten, t’i degdisë në Siberi. Pikërisht ashtu siç vepronin edhe pjellat e tyre kriminale, egërsirat serbe në Dardani në fundin e viteve ’90.

Gazetari i talentuar dardan, Bajram Kabashi, në librin me titull “Rilindja, përkushtim dhe trishtim”, përmend hakërrimin e një polic-banditi serb në prill të vitit 1999, i cili e pati kërcënuar:

“Kuptoje mirë ti..., kur të bëhen dy javë, nuk do të ketë më shqiptarë në këtë vend”.

Sipas informacionit në vijim, synimi i fshehtë i rusobanditizmit të Putinit, u bë i njohur publikisht disa ditë më parë.

Dmitri Medvedjevi (1965), ish-president dhe ish-kryeministër, tani zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, para pak ditësh, botoi dy variante të hartës së Evropës së ardhshme. Në variantin e parë, pjesa më e madhe e territorit të Ukrainës i aneksohet Rusisë, Polonisë dhe Rumanisë. Në variantin e dytë, territori i Ukrainës reduktohet vetëm brenda qarkut të Kievit. Trevat e tjera u aneksohen Rusisë, Polonisë, Rumanisë dhe Hungarisë. Madje Medvedjevi deklaroi:

“Analistët perëndimorë janë të mendimit se, në të vërtetë, kështu ka për të ndodhur” (Citohet sipas: “Medvedjevi botoi një hartë me territore të Ukrainës në përbërje të Rusisë, të Polonisë dhe të Rumanisë”. Faqja e internetit “Izvestija iz”. 27 korrik 2022).

Interesante! Sipas Medvedjevit, këtij ogiç-kryeservili të Putinit, me të cilin janë bërë si Coli e Loli në krye të bandës kriminale ruse në pushtet prej më shumë se 20 vjetësh, Rusia gëzuaka edhe përkrahjen e opinionit publik perëndimor për zhdukjen e Ukrainës nga harta e Evropës! Sepse analistët perëndimorë, të cilët jetojnë dhe krijojnë në vende me demokraci të konsoliduar, gjatë daljeve të tyre në publik përmes mjeteve të informimit masiv, reflektojnë domosdo pulsin e opinionit publik. Domethënë, sipas trumykurit mashtrues Medvedjev, opinioni publik i vendeve perëndimore “qenka në një mendje” me kastën kriminale të Putinit për “zhdukjen e Ukrainës nga harta e Evropës”! Po pse Medvedjevi nuk citon konkretisht ndonjë analist perëndimor? Sepse, në pëputhje me traditën e kahershme, enciklopedia e mashtrimit të politikës ruse ka qenë, është dhe do të vazhdojë të mbetet në themelin e propagandës së saj. Duke kërkuar në shek. XXI zhdukjen nga harta të një shteti të pavarur dhe sovran, Medvedjevi dëshmon se ka degraduar mendërisht deri në atë shkallë, saqë është bërë objekt hulumtimesh në gerontologji - shkencën që studion aspektet biologjike, sociale dhe psikologjike të lajthitjes së trurit, me pasoja plakjen e parakohshme.

një intervistë për kanalin televiziv ukrainas “Unian”, të transmetuar në youtube në emisionin e mbrëmjes të datës 05 gusht, Igor Strellkovi (1970), figurë e njohur ushtarake dhe politike, publicist dhe shkrimtar rus, e etiketoi Medvedjevin si hero kryesor të filmave të animuar për fëmijë, duke e quajtur budalla, ashtu si edhe ministrin e mbrojtjes të Rusisë, Sergej Shojgu, të cilin Putini, nga çoban drerësh, e pati ngritur deri në atë post të lartë.

Ndarja e Ukrainës dhe zhdukja e saj nga harta e Evropës që kërkon të realizojnë Putini dhe Medvedjevi në krye të një perandorie të përbindshme, më kujton kërkesën këmbëngulëse të përfaqësuesve të diplomacisë ruse për copëtimin e trojeve tona etnike në Kongresin famëkeq të Berlinit (1878), në Konferencën edhe më famëkeqe të Londrës (1913) dhe në Traktatin e fshehtë të Londrës (1915). Ato vendime kriminale kanë ndikuar së tepërmi në shtresën e intelektualëve shqiptarë të krahut nacionalist, me vetëdije të lartë kombëtare, që Rusinë ta konsiderojnë me shumë të drejtë si një armike të betuar të kombit shqiptar.

Me sulmin gjakatar që ndërmori kundër Ukrainës, klika fashiste e Kremlinit, pa e kuptuar as vetë, për shkak të intelektit gjysmak të Putinit, i vuri minat Federatës Ruse, e cila, sipas të gjitha gjasave, do të shpërbëhet në disa shtete. Kam parasysh një fjalë të urtë të gjuhës ruse:

“Po mbolle luftën, do të korrësh revolucionin.

Ish-deputeti rus i Dumës Shtetërore (parlamentit) Ilia Ponomarjov ka deklaruar:

“… pas gjysmë viti do të jetë më e rrezikshme të ndodhesh pranë kreut të Kremlinit sesa të jesh kundër tij” (Citohet sipas: “Po rritet çdo ditë”: ish-deputeti i Dumës Shtetërore u shpreh për mundësinë e një rebelimi në Federatën Ruse dhe për rrezikun që e pret Putinin”. Faqja e internetit “TCH”. 19 maj 2022).

Po ky ish-deputet, në emisionin e lajmeve të kanalit televiziv UA/TV të datës 07 korrik 2022, ora 15:12, duke parashikuar shpërbërjen e Federatës Ruse në disa shtete, pas dështimit të agresionit fashist kundër Ukrainës, ka dalë me një tjetër deklaratë:

“Rënia e Rusisë është paravendosur. Problemi është për kohën se kur do të ndodhë një gjë e tillë”.

Si edhe shumë analistë të tjerë rusë, ai është i mendimit se pas gjysmë viti mund të kryhet një grusht shteti. Ka shumë mundësi që një problem të tillë, - theksoi ai, - është duke e shtruar vetë elita ruse.

Në atë emision u tha se Rusia ka për t’u ndarë në 15-20 shtete. Madje në ekranin e televizorit u paraqit edhe një hartë me kufijtë e atyre shteteve, duke filluar që nga Republika e Kamçatkës në skajin e largët verilindor të Rusisë aziatike, deri në Republikën e Arkhangelskut në skajin veriperëndimor të Rusisë evropiane.

Ushtaraku i lartë rus në pension, gjeneral-kolonel Leonid Ivashov (1943), dhjetë ditë para sulmit fashist kundër Ukrainës, pati deklaruar:

“Sot të gjithë po largohen me vrap nga Rusia, si djalli nga temjani” (Citohet sipas: “Rusia do të pushojë së ekzistuari: Leonid Ivashovi për luftën që është në përgatitje e sipër”. Faqja e internetit “Biznesonline”. 13 shkurt 2022).

Dy qytetarë rusë, njëri sociolog, tjetri ushtarak i lartë, kanë shprehur këndvështrimin e tyre se cilat do të jenë pasojat për Rusinë, pas agresionit që ndërmori kundër Ukrainës.

Sociologu opozitar, Igor Ejdman (1968), shkruan:

“Kremlini hapi kutinë e Pandorës, duke filluar një luftë të përmasave të gjera kundër Ukrainës. Disfata e ushtrisë sovjetike në luftën kundër Finlandës (30 nëntor 1939 - 13 mars 1940 - E.Y.), dikur pati shërbyer për Hitlerin si një argument i rëndësishëm për të filluar sulmin kundër Bashkimit Sovjetik. Tani historia po përsëritet. Ushtria e Putinit u mbulua edhe më shumë me turp në Ukrainë, çka shokët kinezë po e ndjekin me shumë interes. Para luftës së dytë botërore, udhëheqja sovjetike mundohej të miqësohej me Hitlerin, por, siç dihet, nuk doli gjë. Udhëheqja e tanishme e Federatës Ruse po përsërit të njëjtin gabim, duke i varur shpresat te Kina. Kinezët, psikologjikisht, vazhdojnë t’i konsiderojnë të tyret tokat që u pati marrë Rusia në bazë të një marrëveshjeje skllavëruese të shek. XIX: Primorjen, Zabaikalin etj. Në një moment të caktuar, ata mund të vendosin se ka ardhur koha për t’i kthyer tokat e humbura, aq më tepër që nga pikëpamja ushtarake kjo nuk përbën ndonjë vështirësi për t’u realizuar. Forcat ushtarake shumëmilionëshe kineze në çast mund ta fshijnë ushtrinë vjedhacake ruse, që ushqehet me konserva në kavanoza teneqeje të ndryshkur, sepse, siç tregoi lufta në Ukrainë, ajo është e aftë të luftojë vetëm kundër një popullsie paqësore. Kjo mund të arrihet më lehtë sesa pushtimi i Taivanit. Opinioni ndërkombëtar, në një skenar të tillë, nuk do të rreshtohet në anën e Rusisë, e cila u stërpik keq me gjakun e ukrainasve paqësorë. Rusët nuk duhet t’i varin shpresat as te arma bërthamore, sepse ka shumë mundësi që ajo të rezultojë po aq “tigër prej letre”, sa edhe fuqia e ushtrisë ruse” ​(Citohet sipas: Igor Ejdman.“Ushria e Putiniut u mbulua me turp në Ukrainë, shoku Xi Jinping po përgatitet të kthejë në “gjirin e vet” Primorjen dhe Zabaikalin”, Faqja e internetit “Dialog.ua”. 12 mars 2022).

Ushtaraku i lartë, Oleg Korotkjeviç, me detyrë komandant i përkohshëm i armatës 41, sipas përgjimit të një bisede telefonike nga shërbimi sekret ukrainas, ka thënë në intimitet:

“A mundet presidenti ynë, ta themi midis nesh, të thotë nesër në televizion që mori vendim ta ndërpresë operacionin special? A është në gjendje? Është. Se ai është komandant suprem i forcave të armatosura. Sigurisht që mundet. Por ama ç’do të na rezultojë? Gjithçka që është bërë deri tani, ka shkuar kot. Kjo e para. Dhe ja, gjithë ky nacionalizëm, i cili ka mbetur i paeliminuar, prite kur të na shfaqet këtu pas një viti. Do të shfaqet këtu, në Alejsk, në Novosibirsk, në Tomsk, në Tymenj (që të gjithë qytete në Rusinë aziatike E.Y.), në Moskë, do ta kemi kudo. Sepse shtetit tonë, si një qeni të rrahur, do t’i duhet të largohet prej andej, më kuptoni..?”. (Citohet sipas: “Komandanti rus rrëfen për gjendjen reale të ushtrisë ruse”. Radio “Svoboda” në youtube. 12 korrik 2022).

Parashikimet për shpërbërjen e Federatës Ruse në disa shtete të pavarura, dëshmohen edhe në materialin në vijim.

Në muajin maj, në Varshavë, u mblodh forumi i popujve të lirë të Rusisë. Më 23 korrik ky forum u mblodh në Pragë. Disa intervista të pjesëmarrësve në atë forum i transmetoi kanali televiz i Ukrainës “FreeDom”. Të gjithë pjesëmarrësit e popujve të ndryshëm të Rusisë, si nga Çeçenia, Burjatia, Tartarstani, Bashkiria etj. deklaruan se Perandorisë shumëshekullore ruse i ka ardhur fundi, ajo do të shpërbëhet në disa shtete kombëtare. Madje një gazetar nga Çeçenia deklaroi se pikërisht nga studioja ku ai ndodhej do të shpallej dita e pavarësisë së Çeçenisë. Në punimet e forumit mori pjesë edhe ish-deputeti i parlamentit rus Ilia Ponomarjov, i cili deklaroi:

“Të gjithë ata që janë kundër politikës së Kremlinit, duhet të hidhen në veprime të guximshme për ndërmarrjen e hapave vendimtarë”.

Në mbyllje të punimeve të forumit më 24 korrik, u aprovua një deklaratë e përbashkët, në të cilën theksohej:

“Në Pragë përfundoi forumi dyditor i popujve të lirë të Rusisë. Sipas mendimit të pjesëmarrësve, popujt e Rusisë gëzojnë plotësisht të drejtën e tyre për vetëvendosje. Është e domosdoshme që ky proces të kryhet shpejt dhe jo me dhunë për çlirimin sa më parë të popujve dhe të rajoneve autoktonë nga zgjedha e Moskës imperiale” (Citohet sipas emisionit të lajmeve të kanalit televiziv “FreeDom”, 24 korrik 2022).

Në lidhje të drejtpërdrejtë me studion televizive, prej andej ku ndodhet në mërgim, u mor në intervistë pjesëmarrësi në forum, Ahmet Zakajevi, kryetar i kabinetit të ministrave të Republikës së Çeçenisë, së cilës Moska ia ka mohuar pavarësinë. Forumin ai e vlerësoi si një ngjarje historike, duke theksuar se në deklaratën e aprovuar u shtrua problemi i çmontimit të Rusisë, të shtetit rus, të dekolonizimit të Rusisë, e cila mban nën zgjedhë popujt autoktonë. Ai nënvizoi posaçërisht:

“Rusia që kemi njohur deri më 24 shkurt, nuk do të ekzistojë më”.

Po në këtë kanal televiziv, në emisionin e lajmeve të mbrëmjes të së njëjtës datë (24 korrik), u dhanë dy njoftime befasuese, në të cilat zbulohet poshtërimi i paimagjinueshëm që Rusia i ka bërë vetvetes në sytë e opinionit ndërkombëtar.

Lajmi i parë: “E shesin jetën për 200 mijë rubla: në Rusi mobilizojnë të burgosurit për t’i dërguar në luftë në Ukrainë. Kushtet janë: gjashtë muaj me këtë pagesë dhe mandej amnistia”.

Po të kemi parasysh gjendjen, ku e ka katandisur Rusinë kryefashisti Putin, nënkuptohet që ai do të mundohet të mobilizojë llojlloj mbeturinash të shoqërisë ruse, për t’i dërguar në Ukrainë, duke i përdorur si mish për top në vijat e para të luftimit.

Lajmi i dytë: Një rus i moshuar i është bashkuar ushtrisë agresive të Putinit për punë parash. Ai ra rob në Ukrainë. Në vijim jepet intervista e tij me një gazetar ukrainas. Para se të zhvillohej dialogu midis tyre, gazetari theksoi:

“Ky është shek. XXI. Njeriu shkoi në Ukrainë për të vrarë njerëz, me të vetmin qëllim për të fituar para, në mënyrë që të paguante dentistin për të vënë proteza se i kanë rënë dhëndët”. Ja dialogu:

- Domethënë, ju jeni vullnetar?Juve iu shtyu halli për para?

- Po, pra, për të vënë proteza, derisa s’kam asgjë, s’gjej dot punë, për 15 rubla askund nuk i vë dot protezat.

- Çfarë do të dëshironit t’u thoshnit bashkëkombasve tuaj në të ashtuquajturën Republika Demokratike e Luganskut?

- Çfarë t’u them? Mos shkoni, or djema, në ushtri, mos t’ju bjerë ndër mend të merreni me një të tillë punë të pistë. Ja, kështu do t’u them. Sepse kjo është një idiotësi me brirë. Sepse po na dërgojnë si mish për top”.

Një qytetar ukrainas, me post të rëndësishëm në qytetin e Odesës, në një bisedë në skajp me disa ushtarë rusë, të transmetuar më 06 gusht në kanalin televiziv “News for you”, deklaroi:

“Në Ukrainë ndodhen nëpër frigoriferë kufomat e 17 mijë ushtarëve rusë, të cilat Moska nuk i tërheq për t’ua përcjellë familjeve të tyre, sepse, për çdo ushtar të vrarë, duhet të paguajë një kompensim prej miliona rublash”.

Kryekrimineli mburravec Putin kishte parashikuar që t’i lante hesapet me Ukrainën brenda 2-3 ditëve. Në një kronikë, kushtuar ecurisë së ngjarjeve në frontin e luftës, të transmetuar më 15 korrik në kanalin televiziv “FreeDom”, u dha, me zë dhe figurë, edhe një deklaratë e tij, sa qesharake, aq edhe vetëposhtëruese:

“Ne, duke u nisur nga kriteret më të rrepta, hëpërhë, nuk kemi filluar asgjë seriozisht”.

Pra, Putini, megjithëse numri i ushtarëve, i nënoficerëve dhe i oficerëve të vrarë, të plagosur dhe të sakatuar, gjatë gati pesë muajve, ka arritur në dhjetra mijë, vazhdon të tallet me delepopullin e vet dhe të mburret para opinionit ndërkombëtar se deri tani ky s’paska parë gjë, se gjëma që dashka t’ bëjë Ukrainës s’paska filluar ende!

Para disa muajsh, ky vrasës faktik i ushtarëve rusë në Ukrainë, dha njoftimin në vijim:

“Të gjithë anëtarëve të familjeve të ushtarëve, të vrarë gjatë zhvillimit të operacionit special në Ukrainë, do t’u paguhet një shumë prej 7 milionë e 421 mijë rubla” (Citohet sipas: “Putini tregoi se sa rubla kushton jeta e një ushtari rus”. Faqja e internetit “Pravda e Ukrainës”. 03 mars 2022).

Po të marrim parasysh kursin e dollarit në rubla më 07 gusht, kur një dollar këmbehej me 60,38 rubla, na rezulton: shuma e mësipërme prej 7 milionë e 421 mijë rubla është e barabartë me 122 984, 935 dollarë. E llogaritur kjo për 17 mijë ushtarë të vrarë, do të thotë që Banka Kombëtare e Rusisë duhet të paguajë një shumë prej më tepër se 91 miliardë dollarë. Me sa duket, ajo bankë nuk i ka “këllqet” të paguajë një shumë kaq kolosale, prandaj edhe kufomat e atyre ushtarëve vazhdojnë të dergjen nëpër frigoriferët e Ukrainës.

Çdo lexues gjakftohtë, që udhëhiqet në jetë nga gjykimi objektiv, kur njihet me këto fakte vetëposhtëruese për Rusinë neocariste, bie në mendime dhe përsiat:

Ja deri ku e ka katandisur Rusinë kryekrimineli i shekullit, Putini - në një gërmadhë plot me mbeturina, gërmadhë që mundohet ta maskojë me paradat qesharake të 9 majit, të cilave Televizioni Topchannel, në një emision të 17 korrikut, në një mënyrë të pahijshme, për të mos thënë të turpshme, u bënte reklamë në youtube me tekstin prezantues sa provokativ, aq edhe tmerrues për teleshikuesit: “Lindje Perëndim. Rusia i shkatërron vendet e NATO-s brenda gjysmë ore, mit apo realitet?”.

Gazetari i shquar ukrainas Dmitri Gordon (1967), drejtues i perandorisë mediatike në internet “Gordon”, më 07 gusht, në një intervistë në youtube me ekspertin ushtarak Oleg Zhdanov (1966), deklaroi:

“Rusia është një vend i prapambetur dhe i fjetur, i cili mburret me “madhështinë” e tij, ndërkohë që “madhështia” rezultoi imagjinare, sepse, në krahasim me vendet e qytetëruara të Perëndimit, ka mbetur prapa njëqind apo më shumë vjet dhe sidomos në sferën e armatimit”.

Mirë do të ishte që Televizioni Top Channel të heqë dorë një herë e mirë nga servilizmi ndaj rusoshovinizmit dhe të mos u bëjë reklamë paradave sa “madhështore”, aq edhe qesharake në Sheshin e kuq të Moskës, me të cilat klika fashiste e Kremlinit mashtron si opinionin e brendshëm, ashtu edhe opinionin ndërkombëtar. Televizioni Top Channel le të mjaftohet vetëm me servilizmin ndaj Ramës dhe ndaj Rilind(Rivdek)jes socialiste. Me sulmin fashist kundër Ukrainës, Rusia ia çori maskën vetes përfundimisht. Këtë fakt Televizioni Top Channel gjithmonë ta ketë parasysh.

Tërë atë mjerim ekonomik, të shkaktuar prej kastës sunduese të Putinit, shumica dërrmuese e popullit rus e heq mbi kurriz pa u ndier, sepse nuk është çliruar kurrë nga psikologjia e bujkrobërve, të cilët, gjatë shekujve, me ligj, deri në vitin 1861, kanë qenë në pronësi të çifligarëve, të cilët mund t’ia shisnin dhe t’ia blenin njëri-tjetrit. Kësisoj, ai popull nuk e njeh absolutisht institucionin e respektit ndaj vetvetes, por respekton dhe mbështet fuqimisht Putinin dhe krimet e tij shtazarake në Ukrainë. Një institucion të tillë nuk e njohin madje edhe intelektualë rusë të sferës së artit e të kulturës, të cilët i servilosen Putinit në një mënyrë vetëposhtëruese. Më 02 gusht, në kanalin televiziv të Ukrainës “Gllavnoje”, në emisionin e mbrëmjes, u dha njoftimi në vijim:

“Aktorja ruse Maria Shukshina iu drejtua me një thirrje bashkatdhetarëve të vet të bëjnë denoncime në organet e punëve të brendshme për të gjithë ata qytetarë që dëgjojnë muzikë ukrainase”.

Kjo aktore, pa dinjitet personal për shkak të servilizmit të saj të neveritshëm ndaj Putinit, le të ketë parasysh edhe ndonjë kolegun e vet, që dallohet për një qëndrim krejtësisht të kundërt në raport me kastën kriminale të Kremlinit.

Mihail Policejmako (1976), aktor rus i teatrit dhe i kinematografisë, këngëtar dhe drejtues emisionesh televizive, në një emision në youtube, të titulluar: “Ja si duhet biseduar me deputetët dhe zyrtarët e Putinit!”, më 25 mars 2020, në një sallë, ku ishin të pranishëm deputetë dhe zyrtarë të lartë, iu drejtua atyre me fjalë të tilla, me të cilat zbulon lakuriq falsitetin e “madhështisë” së paradave ushtarake çdo 09 maj në Sheshin e Kuq. Ai deklaroi:

“Gjatë 20 vjetëve, Putini e katandisi Rusinë në një kosh plehrash. Rusia e Putinit është thjesht një turp. Të gjithë ne jetojmë në mes të fekaleve”.

Kërkesa e asaj aktoreje trulajthitur më kujtoi kohën e diktaturës së kryekriminelit Enver Hoxha, kur qytetarët shqiptarë përndiqeshin nëse dëgjonin muzikë të huaj.

Mungesa e theksuar respekti ndaj vetvetes, i pati bërë përshtypje të keqe një analisti rus, i cili para disa vjetësh ka shkruar:

“Respekti ndaj vetvetes vjen e zhduket më shpejt dhe më me siguri jo nga sharjet e personazheve në teleefir ose në hapësirat e internetit. Respekti ndaj vetvetes shembet atëherë kur me njeriun sillen si me askushin dhe ai nuk e ka mundësinë ta kapërcejë një qëndrim të tillë poshtërues, kur nuk interesohen të dinë se cili është mendimi i tij, kur problemet e tij injorohen, kur përpjekjet e tij për të hyrë në kontakt dhe për të vepruar në atë mënyrë që atij t’ia dëgjojnë fjalën nuk merren absolutisht parasysh, pa e çarë kokën fare për të mësuar se cili është këndvështrimi i tij. Që t’i biem shkurt, respekti ndaj vetvetes merr fund atëherë kur shpërfillja sistematike ndaj dinjitetit të njeriut buron nga ai që ka pushtet dhe e sundon” (Citohet sipas: Vladimir Brehin. “Kur do të fillojmë ta respektojmë vetveten?”. Marrë nga faqja e internetit “pravmir.ru”. 22 nëntor 2013).

Fjalët e këtij analisti të kujtojnë një figurë të shquar të kulturës ruse - Nikollaj Çernishevskin (1828-1889), i cili ka thënë:

“Një komb i mjerë, një komb skllevërish, nga lart deri poshtë - të gjithë janë skllevër”.

Mungesa e respektit të theksuar ndaj vetvetes, ka sjellë si pasojë që, në gjuhën ruse, të përdoret gjerësisht shprehja vetëposhtëruese: “Shefat janë më të zgjuar se ne”.

Cila është arsyeja që kasta kriminale e Kremlinit e urren kaq shumë Ukrainën?

Në këndvështrimin tim, dy janë arsyet kryesore:

Së pari, Kremlinin e gërryen smira vazhdimisht, për arsye se jo Moska, por Kievi ka qenë dhe mbetet kryeqendra e kulturës sllavianolindore. Kievi është themeluar në vitin 584, kurse Moska 563 vjet më vonë, më 1147. Madje edhe Moskën një princ ukrainas e pati themeluar, Juri Dollgoruki (1090-1157), princi i madh i Kievit. Përballë ndërtesës së Bashkisë së Moskës, ngrihet shtatorja e tij madhështore. Prandaj kriminelët e Kremlinit, me Putinin në krye, kanë si pikësynim ta zhdukin Ukrainën nga harta, në mënyrë që një kryeqendër e tillë të jetë Moska.

Së dyti, standardi i jetesës të popullit ukrainas është më i lartë se ai i popullit rus. Kjo ra në sy të bishave fashiste gjatë agresionit. Ushtarët e ndërkryer rusë, futeshin nëpër apartamentet e pallateve të braktisura të qytetarëve ukrainas, të bombarduara me raketa, dhe linin mendjen me komoditetin e tyre. Shërbimi sekret ukrainas ka regjistruar biseda telefonike të ushtarëve rusë me familjarë të tyre në Rusi. Ata u rrëfenin për ato komoditete. Nga ana tjetër e telefonit vinin porositë e atyre familjarëve për të grabitur gjithçka dhe për t’ua dërguar. Dhe ushtarët e tërbuar kanë grabitur gjithçka, deri edhe të brendshme grash.

Nënkuptohet që standardi më i lartë i jetesës së popullit ukrainas është infektues për fqinjët rusë, të cilët, një ditë të bukur, mund të zgjohen nga gjumi letargjik prej skllavi dhe të pyesin se pse ukrainasit jetojnë më mirë sesa rusët. Kjo mund të sjellë si rezultat rebelimin e popullit, me pasoja përmbysjen e pushtetit të kastës sunduese në Kremlin.

Habitesh kur mendon se si është e mundur që Rusia shoviniste të vazhdojë të ushtrojë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara?

Si është e mundur që Rusia, si shtet fashist, terrorist, vazhdon të jetë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndërkohë që ajo duhej përjashtuar menjëherë nga radhët e saj pas krimeve gjakatare që ka kryer dhe vazhdon të kryejë në Ukrainë? Krerët kryesorë të këtij forumi më të lartë botëror, nuk e dinë vallë që Bashkimi Sovjetik, pas agresionit që pati nisur kundër Finlandës më 30 nëntor 1939, u përjashtua nga Lidhja e Kombeve?

Nuk mund ta them dot me siguri se sa të bindur dhe sa të vendosur janë vendet evropianoperëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’i vënë fre përfundimisht egërsisë mongole të fashizmit gjakatar rus, i cili, me hekurishtet e armatimit të vet, nëse nuk arrihet të realizohet shpërbërja në disa shtete e Federatës Ruse, përbën një rrezik të përhershëm për gjakosjen e vendeve të tjera.

Kaliforni, 10 gusht 2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat