Patriotizmi folklorik i kryetarit Begaj në “muajin e mjaltit”!

Opinione

Patriotizmi folklorik i kryetarit Begaj në “muajin e mjaltit”!

Nga: Hasan Qyqalla Më: 16 gusht 2022 Në ora: 23:47
Autori Hasan Qyqalla

Këto ditë vape, u bë shumë zhurmë mediatike gjithandej hapësirës shqiptare, rreth vizitës së Krytarit të Shqipërisë z. Bajram Begaj në Kosovë, si vizita e parë jashtë shtetit pas zgjedhjes në këtë post, e ftuar ng Kryetarja e Kosovës z. Vjosa Osmani. Fillimisht ishte lajm nagzëllyes dhe tejet i mirëpritur, veçanërisht pas fërkimeve me dy kryeministrave të të dy vendeve. Me këtë pritej një unifikim i përbashkët në shumë aspekte dhe profile ku kishte çalime apo edhe vakuum. Mirëpo, që ditën e parë u reflektua me shumë debate mostakimi i kryetarit të Shqipërisë me liderët e Lidhjes Demokratike të Kosovës! Shtrohet pyetje pse?!

Ku hasi sharra në gozhdë?! A harroi kryetari i Shqipërisë se nuk është kryetar edhe i Kosovës, përkundër respektit që i bëri paria e shtetit tone? Protokoli i vizitës së kryetarit Begaj, kush dhe si ia përpiloi? Mos deshën ta fusin në “kurth politik” apo kishte prapaskena politike. Kjo, mbase janë të njohura shtigjet e ardhjes së tij në krye të shtetit, dhe ashtu reflektoi me prenotimet teknike të ngjyrimeve politike.

Përsonaliteti, i ftuari politik nuk e përpilon vendtakimet në vendin apo shtetin që viziton, pos me pëlqimin e palëve. Andaj, shpresoj nga emocionet e „muajit të mjaltit“ i mungoi logjika e arsyes dhe misioni për të cilin ishte ftuar, z. Begaj, e të mos ketë ndonjë „ndërskamcë“ tjetër, kur injoroi subjektin e parë politik, subjektin me vizion ideimi e jetësimi të arqitektit të PAVARËSISË Dr. Ibrahim RUGOVA.

Kryetar Begaj, llogaritë (ndoshta ende hapura) politike, leri në shtëpi, brenda kufirit të Shqipërisë. Frazat bombastike e britmat folklorike nuk të bëjnë NDERË as ty e as shtetit amë sot sepse nuk jemi sot në bjeshkët e betejes me armiqtë. Jemi dy shtete por një gjak, jemi dy shtete por kërkohet një PLATFORMË e përbashkët politko-strategjike. Sot të pashë president me rrogë, jo me uniformë ushtaraku por me fjalor folkloristik. Ndoshta akoma mendon se jeni në postin e komandantit ushtarak që të urdhëroni e jot ë kuptoni e bashkëpunoni.

Prisnim të jeni ai presidenti unifikues kombëtar që dij të ofrohet në çdo tavolinë, me çdo subjekt politik. Andaj, ne prisnim komunikim, bashkërendim dhe mesazh, që kujtoj do ishin shumë më të rënddësishme apo më të favorshme se vendtakimet që fundja janë çështje teknike! Në fund, dhe një porosi për ju dhe kabinetin e pionerëve tuaj, z. Begaj, kërko falje mbase të diturit thonë: “gabimet janë njerëzore e faljet janë hyjnore”! Lidhja Demokratike e Kosovës me urtinë e filozofinë Rugoviane, besoj do ta kenë parasysh „muajin tuaj të mjaltit”!
Bonn-Prishtinë, 16.08.2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat