Grevat e SBASHK-ut dhe skenari ogurzi i Rr. Jasharajt për grushtet në Kosovë..!?

Opinione

Grevat e SBASHK-ut dhe skenari ogurzi i Rr. Jasharajt për grushtet në Kosovë..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 8 shtator 2022 Në ora: 18:19
Foto ilustrim

Kushtetuta e Republikës së Kosovës në Nenin 44 [Liria e Asociimit], Alineja 2 dhe 3 thotë:

2. Liria për të themeluar sindikata dhe për t’u organizuar, me qëllim që të mbrohen interesat, është e garantuar. Kufizimi i kësaj të drejte mund të bëhet me ligj për kategori të veçanta të punonjësve.

3. Organizatat ose aktivitetet që kanë për qëllim cenimin e rendit kushtetues, shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, ose nxitjen e urrejtjes racore, kombëtare, etnike a fetare, mund të ndalohen me vendim gjyqësor të gjykatës kompetente.

Me një fjalë, pas gati dy javësh qëkur kanë filluar grevat e organizuara në arsim nga SBASHK-u, për shkak të cilave vetëm në Kosovë ende nuk ka filluar viti i ri shkollor, 2022/23, tani është bërë e qartë, se organizimi i këtyre grevave nuk ka pasur të bëjë asgjë me kërkesën për rritjen e pagave të arsimtarëve, veçse paskësh qenë një skenar ogurzi për rrëzimin e qeverisë, në emër të gjoja mbrojtjes së mësimdhënësve.

Këtë fakt po e dëshmon qartë sjellja si dhe veprimet antikushtetuese të kryetarit të SBASHK-ut dhe përkrahësve të tij, të cilët për 100 euro (lëmoshë) mbi 350 mijë nxënësve ua kanë mbyllur dyert e shkollave për mësim të garantuar si dhe i obliguar me Kushtetutë..!?

Kushdo që pohon se ky veprim i sindikatës së arsimit, pra organizimi dhe mbajtje e grevës mu në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, nuk është shkelje drastike e Kushtetutës së Kosovës duke ua marrë të drejtën mijëra nxënësve për shkollim, se kjo grevë nuk e ka për qëllim shkatërrimin e procesit shkollor në Kosovë, lënien e shkollave për kohë sa më të gjatë të mbyllura, sikur në kohën e kriminelit Millosheviç (1989-99), se ky është sabotim i rënd i fillimit të vitit të ri shkollor në Kosovë, etj., se organizatorët e grevës nuk kanë për qëllim me bërë grusht shtet në Kosovë, etj., etj., ose nuk merr asgjë vesh në politikë, ose është përkrahës i kësaj maskarade politike, e cila po luhet para syve të popullit të Kosovës si dhe faktorëve ndërkombëtarë..!?

Arsimi është aset dhe vlerë mbi çdo vlerë tjetër kombëtare për çdo popull, arsimi është resor kyç shtetëror si dhe shtyllë e arsimimit, emancipimit dhe zhvillimit të çdo populli, prandaj nuk ka çmim i cili e paguan vlerën e tij të shumëfishtë nacionale, shkencore, kulturore, zhvillimore, etj.

Nisur nga këto postulate, nuk ka rrogë-pagë dhe as rritje të saj e cila mund ta paguajë vlerën dhe rolin që ka arsimimi i fëmijëve tanë, që nga klasa e parë e deri në fakultet, kështu që greva e cila po vazhdon qe afër dy javë, nuk ka asnjë dilemë, i ka kaluar të gjitha limitet e një greve normale, e cila po ta kishte synim vetëm rritje e rrogave për arsimtarët, ajo ka mundur të mbahet gjatë kohës së lirë midis ndërrimeve të turnit të parë dhe atij të dytë mësimor, e jo të bllokohen me dyer të hekura dyert e gjitha shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë..!?

Pastaj, shtrohet pyetja; si ka mundësi në një shtet ligjor dhe sovran, vendimet kryesore për arsim t’i merr në dorë sindikata dhe një njeri i vetëm, njëfarë Rr. Jasharaj, i cili qe dy javë po e luan rolin e kryeministrit dhe ministrit të arsimit, duke diktuar çdo gjë që ka të bëjë me grevën dhe vazhdimin e saj, e që në fakt vendimmarrës për fatin e arsimit në Kosovë po del të jetë një sindikalist e jo qeveria e Kosovës, e cila është përgjegjëse dhe punëdhënësja e mbi 80 mijë mësimdhënësve..!?

Shikoni dhe analizoni mirë rastin e atij gjyshit, i cili vetëm se kërkoi nga uzurpuesi i të drejtave të nxënësve, Rr. J., që t’i lejojë nxënësit me e filluar mësimin, e hodhën në gjyq për gjoja sulm ndaj krye-bosit të SBASHK-ut, meqë gjoja deshi ta “rrahtë” atë..!? Ky diskurs antikombëtar i Rr. Jasharajt dhe mbështetësve të tij flet hapur se situatën rreth arsimit në Kosovë e kanë marrë në dorë puçistë të kamufluar nën petkun e sindikatave, me qëllim për ta marrë pushtetin përmes paralizimit të sistemit arsimor, si alibi se qeveria aktuale nuk është e aftë ta qeverisë vendin..!?

Ja çfarë thuhet në kodin e sindikatave ndërkombëtare për të drejtën e grevës:

“Në shfrytëzim të përparësive që ofron shërbimi publik siç është punësimi në arsim, një nëpunës, mësimdhënës, mësues, arsimtar, etj., nuk mund, ose të paktën, nuk duhet të bëjë grevë, apo ta sabotojë punëdhënësin..”!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat