Shtetasit e Kosovës janë të diskriminuar në raport me shtetasit e Bashkimit Evropian

Opinione

Shtetasit e Kosovës janë të diskriminuar në raport me shtetasit e Bashkimit Evropian

Më: 28 shtator 2022 Në ora: 19:08
Autori Faik Miftari

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi 15 ditë pas shpalljes së tij me datë 9 shkurt 2022 në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, me të cilin shtetasit e Republikës së Kosovës i ve në pozitë jo të barabartë me shtetasit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian sa i përket fitimit të drejtës së pronës.

Në këtë vështrim rreth Ligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës, do të ndalem tek 2 nene të këtij Ligji të cilët janë në kundërthënie mes tyre, ashtu që në kuptim të nenit 4 par. 1, shtetasit e Republikës së Kosovës i ve në raport të barabartë me shtetasit e shteteve tjera duke marrë parasysh parimin e reciprocitetit, ndërsa në kuptim të nenit 9 par. 1 shtetasit e Kosovës i ve në raport diskriminues me shtetasit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian duke mos lejuar fitimin e drejtës së pronësisë në shtetet anëtare të BE-së.

Neni 4 par. 1 i Ligjit për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj cek se : “Personat e huaj fizikë dhe juridikë kanë të drejtë të jenë titullar i të drejtave pronësore në territorin e Republikës së Kosovës, sipas parimit të reciprocitetit dhe kushteve të përcaktuara me këtë ligj apo me Marrëveshje Ndërkombëtare ”.

Neni 5 par. 1 cek i po këtij Ligji se: ”Reciprociteti ekziston kur një shtetas i Republikës së Kosovës ose një person juridik me seli në Kosovë mund të fitoj të drejtën në pronë të paluajtshme në shtetin e shtetasit të huaj nën kushte të njëjta nën të cilat shtetasit e huaj mund të fitojnë të drejtën në pronë të paluajtshme në Republikën e Kosovës ”.

Me këtë nënkuptohet, p.sh. në rast se një shtetas i huaj i shteteve të rajonit, p.sh. i Shqipërisë apo i Turqisë, apo i shteteve të Evropës apo të Amerikës, p.sh. Britanisë së Madhe apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mund të fitojë të drejtën e pronësisë mbi sendet e paluajtshme në Kosovë, në qoftë se me reciprocitet i është lejuar në legjislativin e këtyre shteteve e njëjta gjë edhe për shtetasit e Republikës së Kosovës, gjë që është praktikë e zakonshme në drejtën ndërkombëtare.

Është për t’u habitur se si Qeveria e Republikës së Kosovës edhe pse gjithnjë thirret në reciprocitet në raport me shtete tjera, pikërisht është vet ajo që bën diskriminimin e shtetasve të vet në raport me shtetasit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, duke i përjashtuar shtetasit e vet që të kenë të drejtë në fitimin e pronësisë së paluajtshme në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Neni 9 par. 1 cek : “Persona të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (në tekstin e mëtejmë: BE) janë personat fizikë shtetas të një shteti anëtarë të BE-së dhe personat juridikë të themeluar sipas ligjit të një shteti anëtarë të BE-së, të cilët kanë përfaqësi apo degë në Republikën e Kosovës”.

Neni 9 par. 2 cek: “ Personat e shteteve të BE-së mund të jenë bartës të të drejtës së pronësisë mbi sendet e paluajtshme nën kushte të njëjta me shtetasit e Kosovës, përkatësisht, në rastin e personave juridikë, me kushte të njëjta si personat juridikë të Kosovës, në bazë të parimit të mos diskriminimit”.

Për dallim nga reciprociteti i paraparë për shtetasit e shteteve të huaja të rajonit, Evropës dhe botës, në vend të parimit të reciprociteti për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian vlen parimi i mos diskriminimit të tyre, që do të thotë se një shtetas i huaj i shtetit anëtar të Bashkimit Evropian, mund të fitojë të drejtën e pronësisë në sendet e paluajtshme në Republikën e Kosovës në mënyrë të barabartë, duke mos u diskriminuar në raport me shtetasin e Kosovës, ndërsa shtetasi i Kosovës mund të diskriminohet, të jetë jo i barabartë, duke mos i lejuar të fitojë të drejtën e pronësisë në sendet e paluajtshme në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Do të ishte e natyrshme që kjo e drejtë të jetë e rregulluar në këtë mënyrë po të ishte Republika e Kosovës anëtare e Bashkimit Evropian. Por edhe sikur të ishte anëtare e Bashkimit Evropian, kjo nuk do të thotë apriori, pasi që në Bashkimin Evropian çështja e të drejtës së fitimit të pronësisë në sendet e paluajtshme nuk është rregulluar në nivel të Bashkimit Evropian, por kjo çështje është në kompetencën e legjislacioneve të shteteve anëtare veç e veç të BE-së, të cilën e kanë rregulluar varësisht intersave të tyre nacionale.

A do të thotë kjo që gjithmonë Kosova duhet të jetë rast unik, “sui generis”, të dallohet nga shtete tjera, ashtu që të drejtën e fitimit të pronësisë në sendet e paluajtshme të shtetasve të shteteve anëtare të BE-së të mundësojë, akoma pa u anëtarësuar në BE-në, në dëm të shtetasve të vet.

Pa reciprocitet në dobi të shtetasve të huaj anëtar të shteteve të Bashkimit Evropian dhe në dëm të shtetasve të Republikës Kosovës, aq më shumë me këtë Ligj iu mundësohet drejta e fitimit të pronës së paluajtshme në Republikën e Kosovës edhe shtetasve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që akoma nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, gjegjësisht shtetasve të Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë dhe Qipros.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat