“Marrëveshja” për targat, një vëzhgim pasues dhe tri paralajmërime!

Opinione

“Marrëveshja” për targat, një vëzhgim pasues dhe tri paralajmërime!

Nga: Enver Bytyçi Më: 24 nëntor 2022 Në ora: 21:37
Albin Kurti

Albin Kurti u tërhoq kur urdhëroi zëvendësin e tij, Bislimi, të nënshkruajë marrëveshjen e djeshme në Bruksel, në të cilën pak a shumë thuhet e kërkohet nga palët ajo që u kërkua të hënën e shkuar! Unë e kam mbrojtur qëndrimin e zotit Kurti për të mos lëshuar e për të mos bërë kompromis me Serbinë dhe do ta mbroj sa herë që ai e bën këtë! Refuzimin e tij të së hënës dhe refuzimin për shtyrje dhjetë mujore apo 12 mujore, siç po thotë tani ambasadori Hill, e kam parë si shenjë dhe sinjal për t'u thënë ndërkombëtarëve se "Kur Kurti refuzon diçka krejt të zakonshme, atëherë ai do të refuzojë edhe Zajednicën"!

A do të jetë dhe zotimi se marrëveshja përfundimtare do të mbyllet shpejt, një rrenë tjetër!

Formimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë është objektivi. Targat dhe çdo sajesë tjetër e ndërmjetme është thjesht taktikë e dobësimit të nervave me Kosovën dhe kryenegociatorin e saj, kryeministrin e vendit. Dobësimi i nervave do të çojë edhe në dobësimin e rolit të delegacionit kosovar në ballafaqimin e tij me Serbinë. A do të ndikojë lëshimi që u bë dje për ta dobësuar pozicionin e Kosovës në dialogun me Serbinë? Kjo është dilema! Nuk është dilemë nëse makinat me targa serbe nuk lëvizin sot apo do të lëvizin nesër me këto targa!

Zoti Kurti dhe zoti Bislimi thonë se marrëveshja u nënshkrua me kusht që të fillojnë menjëherë bisedimet për marrëveshjen finale me njohje të ndërsjellët dhe madje përcaktuan muajin mars si afat të përmbylljes së këtij procesi. Unë nuk jam nga ata që besoj si qorr! Aq më tepër kur e di se politikanët shqiptarë punën e parë që bëjnë në pikë të mëngjesit kur bëjnë dush mendojnë se çfarë rrene do të hedhin atë ditë në publik! Kam parasysh njëmijë e një rrena të Edi Ramës në Shqipëri! Por edhe rrenat e Hashim Thaçit, si ato për liberalizimin e vizave apo me atë shprehjen e famshme “Me këtë marrëveshje Serbia e ka njohur Kosovën”! Ose kur thoshte se “Do ta bashkoj Preshevën me Kosovën pa ia dhënë asnjë cm2 territor të Kosovës Serbisë”! Çfarë nuk kanë dëgjuar shqiptarët në këto dhjetë vitet e fundit! Rrena, mashtrime, intriga pa fund!

A do të jetë dhe zotimi se marrëveshja përfundimtare do të mbyllet shpejt, një rrenë tjetër?! A do të përmbyllet kjo marrëveshje me njohje të ndërsjellët të të dy shteteve?! A do të ketë kompromise të mëdha si formimi i Zajednicës në këmbim të njohjes?! Dilemat, dyshimet, skepticizmi rritet në proporcion me këto lëshimet e vogla që mund të bëjë Albin Kurti. Unë e di se lëshimet e vogla diplomatët e politikanët e zotë i bëjnë edhe në këmbim të një suksesi final produktiv. A është ky politikani Albin Kurti, që të përfitojë në finale nga lëshimet e vogla? Unë nuk jam pesimist ta shoh ndryshe kryeministrin e Kosovës! Por edhe apriori nuk do të besoj se ai do t'ia arrijë finishit me shumë sukses!

Nëse Kurti do të vazhdojë të jetë i vendosur në moskrijimin e Zajednicës, kjo po duket se nuk varet vetëm prej tij! Ai ka përballë jo vetëm Beogradin, por edhe shumë politikanë e diplomatë në Europë dhe SHBA që përkrahin zotin Vuçiq. E pamë këtë të hënën e shkuar, kur Borrell doli hapur në përkrahje të Aleksandër Vuçiq dhe penalizoi dy milionë shqiptarë për refuzimin e zotit Kurti! Pamje më të trishtë nuk ka pasur ndonjëherë. Shefi i diplomacisë dhe sigurisë së Europës bën kompromise me ish-ministrin e Milosheviçit për ta shkatërruar shtetësinë e Kosovës! Pra, punon kundër sigurisë në rajon e për pasojë edhe në kontinentin europian. Sa Borrella ka Europa dhe sa Grennella e Georgo Sorosa ka Amerika! Nuk numërohen!

Çdo asociacion një-etnik e shndërron atë në shtet federativ!

Atëherë a do të mundet zoti Kurti ta përballojë këtë sfidë? Aq më tepër që në misionin e tij ka kundër jo pak opozitarë që e krahasojnë atë me Milosheviçin?! Vështirë të thuhet. Të qenit skeptik është më e pakta në këtë rast! Të jesh optimist është gjithnjë më mirë, por optimizmi nuk të ndihmon në rast se zhgënjehesh. Për të mos u zhgënjyer, kryeministrit Kurti i mbetet të hartojë një dokument strategjik për bisedimet në Bruksel, të cilin ta miratojë në Parlament, me qëllim që të vendosë tri shtylla: - Së pari, statusi dhe Pavarësia e Kosovës janë të panegociueshme! Së dyti, territori i Kosovës është i patjetërsueshëm! Së treti, Kosova është shtet qytetar dhe multietnik, siç e ka përcaktuar Ahtisaari, dhe për këtë arsye çdo asociacion një-etnik e shndërron atë në shtet federativ! Këto tri çështje janë të sanksionuara në kushtetutë! Asnjë marrëveshje me Serbinë nuk mund ta cenojë kushtetutën e Kosovës!

Por kam bindje se jo pak ndërkombëtarë do të thonë që "Të dy palët duhet të bëjnë lëshime e të ndryshojnë kushtetutën e vendit"! Nëse Serbia nuk e ka ndryshuar deri më sot kushtetutën e saj dhe e mban Kosovën pjesë të sovranitetit të saj, ajo ka llogarit që në finish ta kushtëzojë ndryshimin e kushtetutës me ndryshime kushtetuese të Kosovës! Mbajeni mend këtë do ta kërkojë! Pikërisht këtë projekt serb do të duhet ta parandalojë Kurti që sot! Ndryshe le t'i kthejë simpatizantët e Milosheviçit, si Dardan Molliqajn e Skënder Hysenin në pushtet e të bashkëpunojë me ta!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat