Opozita protestoi paqësisht, qeverisja iu përgjigj...Edramisht

Opinione

Opozita protestoi paqësisht, qeverisja iu përgjigj...Edramisht

Nga: Xhevat Mustafa Më: 7 dhjetor 2022 Në ora: 12:46
Xhevat Mustafa

Dje më 6 dhjetor 2022, ndërsa qeveria ishte e zënë deri në fyt me telashet e "dasmës", "panairit", samitit BE- Ballkani Perendimor, reklamuar padrejtësisht dhe pa sinqeritet si “sukses” apo “akt vlerësimi dhe mbështetjeje” të saj e individualisht për “liderin global” Edi Rama, me “pikë kulmore” fotografinë e tij nën gjunjët e kryeministrit gay të Luksemburgut, opozita i shtoi asaj dhe vetes një telash të ri, me protestën e rradhës. Ishte e pritshme që për disa arësye, kryesorja përkimi me Samitin BE-Ballkani Perendimor, të mos kishte atë nivel pjesëmarrjeje si ajo e mëparshmja, e dt.12 nëntor 2022. Por, mund të thuhet se këtë të keqe për opozitën kishte menduar ta bënte sa më pak të dukshme qeveria. Binte në sy se mes protestuesve demokratë ishin me bollëk edhe policë civilë, patronazhistë, “njerëz me kartela mjeksore me probleme të shëndetit mendor”, por me përgatitje të mirë si shoferë, boksierë, mundësa, karateistë...

Sipas liderëve kryesorë të opozitës, Berisha dhe Meta, qëllimi kryesor i kësaj opozite paqësore të rradhës ishte që t’u dëshmohet pjesëmarrësve në samit forca e opozitës shqiptare si dhe masiviteti i kundërshtimit popullor ndaj Rama -qeverisjes. Natyrisht qëllimi ishte i mirë, por investimi dhe “lodhja” të kotë. Mysafirët në këtë samit nuk vinin nga Hëna apo Marsi, por nga kryeqytete europiane, nga kabinete dhe dhoma pune e gjumi mbush me televizorë, gazeta, revista, telefonë...

Këto u kanë mundësuar të kenë informacione fare të freskëta e të bollshme për zhvillimet shumëdrejtimëshe në Shqipëri; me të mirat e të këqiat e saj. Kjo nënkupton se e njohin shumë mirë Edi Ramën si njeri, si lider partiak, si politikan, si kryeministër...Ata janë shumë shpejt të mirinformuar edhe për deklarime dhe veprime individuale dhe ekipore të Rama-qeverisë, që mbajnë era autokratizëm, plotpushtetshmëri, neodiktaturë; për dështime të pareshtura, sidomos në ekonomi, rend, reformën në drejtësi...

Gjithashtu, edhe për akte korruptive në përmasa të mëdha; për vendime dhe qëndrime antidemokratike e skandaloze në të dy nivelet e pushteteve. Nënkuptueshëm, kanë informacione të bollshme e të sakta edhe për gjendjen dhe punët në gjirin e opozitës dhe për liderët e saj kryesorë e për raportet njerëzore dhe partiake ndërmjet tyre. Jo vetëm nga prania në Tiranë e shumicës së liderëve qeveritarë e shtetërorë si dhe ministrave të jashtëm të vendeve të BE- së e të Ballkanit Perendimor, por edhe nga premtimet dhe garancitë që kishin dhënë paraprakisht dy drejtuesit kryesorë të protestës së 6 dhjetorit, nuk kishte asnjë dyshim se ajo do të ishte paqësore, si të mëhershmet. Domethënë një manifestim i rradhës, mbush me fjalime, parrulla, akuza, sharje...kundër kryeministrit, qeverisë, oligarkisë, korrupsionit, mafias qeveritare dhe ordinere, me lidhje të shumëfishta, të mbi e nëndheshme. Të gjitha këto mund t’i shikonin e dëgjonin jo vetëm Edi Rama, Linda Balluku, Olta Xhaçka, Elisa Spiropali, Bledi Çuçi, Ulsi Manja, Ogerta Manastirliu, Taulant Balla, Erion Veliaj..., por edhe mysafirët e huaj nga vendet e BE- së.

Këta, të mësuar nga protestat shumë më masive e të vërteta në vendet e tyre apo ngjitur në pushtet prej protestave të këtyre përmasave, nuk kanë ndjerë e shprehur as befasi e as ndonjë shqetësim serioz...Opozitat, popujt, sidomos në ditë samitesh, këtë avaz të moçëm kanë...! Disave ose edhe të gjithëve mysafirëve nga vende të BE-së e të Ballkanit Perendimor mund t'u ketë bërë përshtypje kultura demokratike, vetëpërmbajtja, paqësoriteti...i kësaj proteste të opozitës shqiptare, edhe pse ajo nisi me një akt të rëndë dhune kundër liderit të PD-së e të opozitës, Sali Berisha, çka mund të sillte revoltimin dhe kundërvënien e plot protestuesve ndaj përzgjedhësve, instruktuesve, nxitësve dhe mirëpaguesve të tij. Origjina, pamja, mënyra e goditjes, trupi ...i provokatorit dhe dhunuesit shprehnin se mund të ishte jo i rastësishëm! As jo viktimë e një ndezjeje momentale urrejtjeje dhe zemërimi, por një “zagar” i mirëpërgatitur enverizmi dhe një patronazhist edramizmi...

Disa nga shtetarët dhe qeveritarët e lartë pjesëmarrës në samit edhe mund të kenë qenë në dilemë për emërtimin e saktë të protestës së opozitës në Shqipëri, mbushur edhe me deklarata besnikërie, falenderimi, mirënjohjeje ndaj BE-së. Domethënë, mund të kenë qenë në mëdyshje nëse ishte vërtetë protestë apo manifestim, kur mund t’u jenë kujtuar protestat në vendet e tyre, në të cilat turmat u vënë flakët shumë rrugëve dhe ndërtesave në kryeqytetet e tyre për 10- 20 cent rritje të çmimit të karburanteve ose 10-20 % rritje të çmimeve të ushqimeve. Kështu që logjikisht mund të jenë ndjerë edhe të gëzuar dhe mirënjohës, kur u ka dalë mesazhi se ata dhe protestuesit e tyre shpesh të dhunshëm duhet të mësojnë nga shqiptarët, që nuk bëjnë protesta si të tyret apo si të vetë PSSH-së, më 21 janar 2021, edhe kur çmimet e shumicës së ushqimeve u janë dyfishuar në krahasim me 9 apo 3 vjet më parë, edhe kur pushtetarët socialistë i varfërojnë, ua nxijnë jetën dhe Shqipërinë përditë e më tepër!!!Nga qetësia e Edi Ramës në brendësi, pamje dhe veprime mund të jenë bindur edhe më tepër se gjithçka ishte një veprim i rradhës i opozitës shqiptare, më tepër e zënë me sherret dhe telashet brenda vetes se sa e revoltuar nga mospëlqimet dhe kundërshtimet ndaj dështimeve dhe skandaleve, sidomos dashurisë për “Ballkanin e hapur” të Edi Ramës dhe të gjithë qeverisë së tij, mbizotëruar nga femra të reja, të bëshme, të bukura, si rrallëkund në botë. Gjithësesi, pavarësisht vizionit, interpretimit dhe humorit tonë, PD dhe LR, Berisha dhe Meta do ta shënojnë dhe kujtojnë 6 dhjetorin 2022 si një ditë proteste të rradhës. Nga ana e tij, Edi Rama, me shumë gjasa, nga sa u pa dhe tha, e ka përjetuar këtë protestë si një sëmbisje të lehtë të dhëmballës! Po me humor, ai mund të ketë pasur dëshirë edhe t’ua bënte me dorë...!

Por, edhe mund të ketë thënë me vete ose t’u ketë thëtë me zë dhe eufori shoqeve dhe shokëve: me këtë lloj apo soj opozitarizmi, me këto lidershipe “lesh e li” që ka opozita jonë, me protesta paqësore, të sfungjerta, si kjo që bën ajo, me këtë ushtri enveristësh dhe patronazhistësh, mbush me Gert Sheha nga qytete dhe krahina të ish Zonës së Parë Operative, do ta shtyjmë të qetë jo vetëm këtë mandat, por deri sa të duam vetë, deri sa të na mërziten plotpushtetshmëria, plotpronësia, plotdrogëzimi, plotkullëzimi, plotpërfitimeria, bile edhe Shqipëria...!

Gati njëkohësisht me zhvillimet në Samitin BE-BP në Tiranë, adhurues dhe mbështetës të tërbuar të Aleksandër Vuçiçit, edhe kur ai përpiqej të fliste si i përgjëruar ndaj BE-së e për marrëveshje me Kosovën, provokonin trazira në Mitrovicën e Veriut, qëllonin me armë e ishin gati t’u suleshin milosheviçisht e sheshelisht forcave të Policisë së Kosovës. Pra, opozita demokratike protestoi paqësisht dhe SHQIP, qeveria socialiste iu përgjigj edramisht!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat