Çfarë do të sjellë viti 2023 për Shqipërinë dhe shqiptarët?

Opinione

Çfarë do të sjellë viti 2023 për Shqipërinë dhe shqiptarët?

Nga: Spartak Ngjela Më: 3 janar 2023 Në ora: 09:37
Spartak Ngjela

Viti 2023, tani ka hyrë…

Dhe analiza e sotme, për çdo mendje që di të mendojë, mbetet te kjo pyetje:

Çfarë do të sjellë viti 2023 për Shqipërinë dhe për shqiptarët?

Ose me mirë: çfarë duhet të sjellë viti 2023?

I.Kësaj pyetje është i detyruar t’i përgjigjet kryeministri aktual në detyrë Edi Rama.

Por, a do t’i përgjigjet ai?

Duhet t’i përgjigjet se është një kryeministër i zgjedhur nga populli. Por, deri tani, edhe pse ka nëntë vjet në pushtet, nuk e ka bërë këtë me arsyen progresive të një kryeministri që e njeh gjendjen aktuale të Shqipërisë, që e di që Shqipëria është në staniacion, dhe që e di gjithashtu që e ka për detyrë të na thotë se çfarë do të bëjë.

Por, ai ecën me një bllok, mbështetur në bark, si Enver Hoxha, dhe mendon në jerm pushtetin; por që ta imitojë tamam Hoxhën, i duhet edhe një kapele republike.

Megjithatë, këtë vit sikur ndryshoi diçka pozitive nga qëndrimi i tij në lidhje me vitin 2023, i cili tani sapo ka hyrë.

ll. Zoti kryeministër!

Njerëzit dhe historia e një vendi nuk do t’ia dijë se çfarë batutash bën një kryeministër, çfarë fjalimesh abstrakte mban ai, dhe si i lufton ai kundërshtarët.

Dihet se, te një kryeministër, përplasen dy faktorë: dëliri i tij si pushtet, dhe drejtimi i shoqërisë si mirëqenie. Kryeministri që e ka pushtetin delikatesë patologjike, si një lloj orgazme të brendshme, nuk bën asgjë për shoqërinë dhe, si rregull, përfundon në tiran.

Kurse, ai tjetri, është profesionist dhe gjithmonë ka ardhur në pushtet me skemën e tij reformuese.

Po kryeministri ynë ku ndodhet?

Delirin e ka si natyrë, por nuk bëhet dot tiran, se nuk e lë koha dhe angazhimi perëndimor i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Atëherë?

Madje, deliri arkaik që ka, po e hedh kundër politikës amerikane!!!
Por…

Kryeministri aktual i Shqipërisë duhet ta kuptojë se, gëzimi i pushtetit të tij është marrëzi, se kështu ka qenë, dhe prandaj duhet t’i drejtohet arsyes së zhvillimit ekonomiko-kulturor të Shqipërisë.

Fjalimet letrare dhe llomotitjet skizofrenike, nuk kanë lidhje me këtë kohë, se janë në fakt imponim shoqëror tiranik. Por, sot, askush nuk i dëgjon.

Kjo ka qenë llomotitja mesjetare e kryeministrave, dhe sidomos në shtetet e prapambetura.
Kjo e sotmja, tani, është koha e ekonomisë së tregut, dhe llomotitjet letrareske të një kryeministri, i merr era dhe i përplas në Malin e

Dajtit.
Kapitalizmi i zhvilluar është skemë industrialo-shkencore.

III. Ekonomia e tregu dhe liria demokratike, mban brenda vetes pyetjen: çfarë paraqet kryeministri që udhëheq vendin, për përmirësimin e mirëqenies së shoqërisë qe ai drejton?,

Ky është thelbi i kohëve moderne ku jetojmë, të cilin Peter E. Drucker na e ka përcaktuar:
From capitalism to knowledge society – nga kapitalizmi te shoqëria e ditur.

Pra, ne sot, po jetojmë në kohën e dijes së lartë që drejton kapitalizmin. Rrugë tjetër nuk mund të ketë.
Atëherë?

Këtij kalimi duhet t’i përmbahet për ta kryer edhe shoqëria shqiptare, në të dy shtetet e saj: nga kapitalizmi tregtar intuitiv, te një shoqëri me dije shkencore, për të sjellë kapitalizmin industrial dhe shkencën në Shqipëri e në Kosovë. Ç’do gje tjetër është arkaizëm.
Po kryeministri shqiptar, e ka këtë synim, apo do të vijojë të tjerrë përralla leteare jashtë momentit konceptual të dijes shkencore?

Po konflikti i brendshëm që Rama ka me politikën amerikane, ku e çon?
Në fakt…

Kjo është një çështje e cila sigurisht që ka lidhje me apatinë Rama në moskuptimin e tij të kapitalizmit modern dhe në moskuptimin e tij se çdo të thotë një shoqëri e ditur në mënyrë integrale, me treg të lirë dhe me demokraci. Dhe, e gjithë kjo, për një kryeministër, është politikë – të cilën ai ose di ta bëjë, ose nuk di.

Për këto arsye, përballë shoqërisë shqiptare, në Shqipëri dhe në Kosovë, qëndrojnë dy programe imediate:
Reforma në treg drejt prodhimit industrial.
Reforma në arsim – sidomos në arsimin e mesëm e të lartë, drejt një edukimi shkencor të dijes shoqërore.

IV.Në nëntë vjet, kjo lojë reforme nuk është bërë dot nga Edi Rama.
Por, kjo kohë solli një ndryshim në qëndrimin e tij. Para disa ditësh ai parashtroi me theks ngritjen e rrogave, si ndihmë financiare me vlerë pozitive kundrejt shtresave në nevojë.

Domethënë, më në fund Rama duket sikur erdhi në filozofinë e një demokracie që vjen nga tregu: rriti pagat dhe krijoi ndihma monetare drejt pagave e të ulëta, dhe hodhi në treg një sasi të konsiderueshme parash në funksion të rritjes së konsumit.

Ai po hedh në treg rreth 90 milionë dollarë.
Edhe pse nuk e bëri të plotë pompimin e parasë në treg, prapë kjo ka sens pizitiv, sepse do ta shohë si eksperiment çdo të thotë të rritësh konsumin duke pompuar para në treg.

Dhe, ky hap, pritet të vijojë në këto drejtime:
Në rritjen e mirëqenies me një vlerë të caktuar në një kohë të caktuar, dhe;

Rritjen e fitimit dhe të akumulimit monetar të kapitalit privat, dhe;
Forcimin e ligjit, për ta garantuar kapitalin privat të akumuluar, dhe;
Investimin real të kapitalit privat në fushën e prodhimit industrial të mallrave.

Sepse ky eksperiment, nëse do të vijojë më pas si skeme ekonomike, do t’i tregojë kryeministrit shqiptar që ngritja e pagave të punonjësve shtetërore në Shqipëri, nuk është më shumë nevojë e individit, sesa një nevojë imediate e tregut – domethënë e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

Pasi të shihet në praktikë se çfarë do të sjellin 90 milionë dollarë te pompuar në treg në rritjen konsumit, do të kthjellohen edhe qeveritë e Shqipërisë që, kapitalizëm don të thotë konsum, konsum do të thotë rritje e akumulimit monetar tregtar, dhe, e gjithë kjo don të thotë investim i ri i kapitalit.

Ne sot e kemi domosdoshmëri kalimin nga kapitali tregtar në kapital industrial.
Prandaj, eksperimenti me 90 milionë dollarë, edhe pse s’është një shifër e lartë, do të tregojë rrugën e vërtetë të tregut në funksion të rritjes së konsumit.

Por, eksperimenti vetëm do të tregojë ato që shprehëm shkurtimisht në këtë postim, kurse reforma e tregut dhe e arsimit drejt prodhimit industrial dhe shkencës, është një hap cilësor drejt zhvillimit modern dhe integral të Shqipërisë.

Megjithatë, pompimi në treg i kësaj paraje që po hidhet sot aty, do t’i tregojë qeverisë aktuale, si fakt real, se rritjen e pagave të shqiptarëve po e kërkon tregu më shumë se sa individi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat