Rugova mbetet emblemë e Kosovës, simboli dhe arkitekti i Kosovës

Opinione

Rugova mbetet emblemë e Kosovës, simboli dhe arkitekti i Kosovës

Nga: Faton Mehmeti Më: 21 janar 2023 Në ora: 13:37
Autori Faton Mehmeti

21 janari i 2006, ka ngel në kujtesën tonë historike me epitetin e "datës së zezë" për kombin shqiptar. Kumtimi i lajmit për ikjen në amshim të Presidentit Ibrahim Rugova pushtoi zemrat e mbarë popullit, përveç disa pseudo komandantëve që me ‘dolli festuan’. I heshtur, i fortë në butësinë e tij, Ibrahim Rugova i priu karvanit të intelektualëve të Kosovës në formimin e partisë së parë shqiptare pluraliste. 23 Dhjetori i 1989-ës e bëri kthesën historike në rreshtimin e shqiptarëve të Kosovës nën sloganin “Liri, Pavarësi, Demokraci”.

Duke i pri popullit për 27 vjet, Rugova u shndërrua në mit, nuk ishte vetëm njeri, ishte epokë. Me Rugovën në krye të saj, Kosova fitoi miq të shumtë me në krye SHBA-së të cilat u gjendën në momentet vendimtare. Rugova, nuk fliste shumë, e akuzonin për shumë gjëra, ai nuk fliste, ishte misionar dhe e dinte se të vërtetën nuk mundet askush ta mposhtë.

Me kalimin e viteve, po dalin në pah edhe shumë gjëra, të cilat ishin të mbuluara nga mistere, nga mjegullnaja të krijuar nga shumë persona. Pikërisht këta persona janë ata që në emër të luftës luftonin Ibrahim Rugovën për t’i marrë pushtetin. Ky skenar u dështoi shumë herë, populli me instinktin e tij e mbrojti të vërteten, njeriun që me sinqeritetin e tij, punën dhe vizionin e tij, bëri Kosovën të jetë në krah të diplomacisë botërore. Gjithashtu, Ibrahim Rugova, ai që në vitin 1992 bëri marrëveshje jo formale me Ramiz Alinë, për krijimin e mundësive të stërvitjeve ushtarake të grupeve të para, në Shqipëri.

Nga aty edhe filluan të shkonin grupet e para, në mesin e tyre edhe Adem Jashari, dhe shumë luftëtarë të tjerë të ardhshëm. Me pak fjalë, ishte presidenti Rugova ai që bëri të mundur që të stërviten ata që i dolën përpara Serbisë, ata që nuk kishin as akronim të një ushtrie apo gjëra të atilla, por që e kishin ideal luftën dhe lirinë. Çdo herë e më shumë vendi ka nevojë për Rugovën, vizioni i tij është rruga më e mirë për Kosovën. Rugova mbetet emblemë e Kosovës, simboli dhe arkitekti i Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat