A ështe zgjidhja e Asociacionit sipas modeleve që propozojnë BE dhe SHBA?!

Opinione

A ështe zgjidhja e Asociacionit sipas modeleve që propozojnë BE dhe SHBA?!

Nga: Skender Musliu Më: 24 janar 2023 Në ora: 21:52
Skender Musliu

Ditë më parë, në vizitë zyrtare në Prishtinë dhe Beograd, ishte delegacioni i lartë në përbërje të gjërë, që lehtëson dhe ndërmjetëson dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, Gabriel Eskabar dhe përfaqësuesit e lartë të Gjermanisë, Francërs dhe Italisë. Pas takimit dyorësh me kryeministrin Kurti, Lajçak deklaroi se ky ishte një takim i gjatë, jo i lehtë dhe se pritshmëitë kanë qenë më të mëdha, kurse pas vizitës në Beograd me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, Lajçak deklaroi se ishte një takim i hapur, konstruktiv dhe frytëdhënës.

Pas këtyre deklaratave, apriori vërshuan kritikat e opozitës dhe shumë mediave, kundër kryeministrit Kurti, pa patur spiegime dhe arsye dhe pa e ditur se për çka është biseduar me Kurtin dhe çfar propozime ka patur ai nga delegacioni në fjalë.

Ky delegacion nuk është ndarë i kënaqur me kryeministrin Kurti, sepse Kurti nuk ishte pajtuar me propozimet për formimin e Asociacionit sipas modeleve të ishujve Aland (Finlandë), Tiroli Jugor (Itali) dhe « Belgjikës Lindore » ( Belgjikë që më së shumti po e favorizojnë).

Por a janë zgjidhje për Kosovën këto modele, e në veçanti ai i Belgjikës ? Si person i fushës juridike dhe njohës i rrethanave në Belgjik, ku edhe jetoj, gjykoj se këto modele, e në veçanti ai i Belgjikës Lindore, nuk mund të inkorporohen në sistemin juridik, administrativ dhe Kushtetues të Kosovës. Në vazhdim, në pika shumë të shkurtra do t’a përshkruaj strukturën e organizimit të Belgjikës, vetëm për të patur një pasqyrë krahasuese me Kosovën.

Belgjika është Monarki kushtetuese, shtet federal me demoktaci parlamentare. Ajo ka Parlamentin Federal që përbëhet nga dy Dhoma, Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve, dhe ka një Qeveri Federale. Belgjika ka tre Regjione, të cilat kanë kryeqytetet, Parlamentet dhe Qeveritë. Po ashtu ajo përbëhet nga 10 Provinaca me kryeqytetet e tyre. Belgjika ka tre komunitete, flamand që flasin gjuhën holandeze, françez me gjuhën frengjishte dhe ai gjerman që flasin gjuhën gjermane, dhe çdo komunitet ka Qeverinë e saj.

Tani, komuniteti gjermanofolës, apo « Belgjika Lindore », që preferohet nga delegacioni BE, SHBA, përbëhet nga 9 komuna, të cilat kanë qendrën administrative me kryeqytetin Eupen, kanë Parlamentin dhe Qeverinë gjermanofolëse. Ky komunitet ka kompetenca legjislative dhe politike në vendimmarrje, ka aftësi të përdorë veton ndaj traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare me BE-në, etj, e tj.

Si rezultat i kësaj që ceka më lartë, nuk duhet bërë analiza për të konkluduar se struktura e organizimit kushtetues dhe politik i Belgjikës dhe « Belgjikës Lindore », nuk ka asgjë të përbashkët me ate të Kosovës, sepse ajo në asnjë mënyre dhe asnjë variant nuk mund të inkorporohet në sistemin kushtetues të Kosovës. Për krahasim nga kjo, në rastin e Kosovës, kemi vetëm pushtetin Qëndror me Parlamentin dhe Qeverinë dhe pastaj qeverisjen lokale të organizuara në komuna, rrjedhimisht në Kosovë nuk ka pushtete ndërmjetësuese, që fragmenton pushtetin dhe vendimmarrjen.

Prandaj Miroslav Lajçak nuk është ndarë i kënaqur ng bisedimet me Kurtin, sepse kryeministri Kurti nuk ka pranuar propozimet për modelet e Asociacionit.

Kurse nga bisedimet në Beograd Lajçak ishte i kënaqur, sepse duke ia premtuar Asociacionin Veçiqit, ai u « neutralizua ». Por ajo çka është më e rëndësishme, është fakti se delegacioni në fjalë, Vuçiqit, jo vetëm që i ka bërë presion për t’a pranuar nismën franko-gjermane, por e kanë shantazhuar dhe kushtëzuar me sanksine të forta nëse ai nuk e pranon ate. Në këtë kontekst është përmendur vendosja e vizave, pezullimi i procedurave për anëtarësimin e Serbisë në BE, ndërprerjen e ndihmave financire, ndalimin e kredive, zhvendosjen e kompanive nga Serbija, etj. Si rezultat i këtyre trusnivë Vuçiqi e pranoi nismën franko-gjermane, dhe menjëherë të nesermen në opinion doli me deklarata se Serbinë e presin ditë të vështira, se ajo duhet të merr vendime të rënda për të ardhmen e saj. Po të nesermen ai takoi edhe kabinetin qeveritar si dhe mbledhi kryesinë e partisë së tij, ku me pjesën radikale hasi në kundërshtim të ashpër, prandaj në mënyrë demostrative ai edhe e lëshoi mbledhjen.

Dua të theksoj se vizita e fundit e delegacionit BE, SHBA ka qenë vizitë jashtëzakonisht e suksesshme, nga fakti se Serbia është detyruar t’a pranojë nismën franko-gjermane duke u përballur me realitetin, që sipas mendimit tim, do të jet çelësi për arritjen e një marrëveshje. Kjo Marrëveshje nuk përfshinë njohjen reciproke, por se Serbia obligohet që mos t’a pengojë Kosovën në anëtarësimin e Institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, përfshirë dhe OKB-ën.

Së fundi dëshiroj t’a shprehi mendimin tim se, nisma franko-gjermane, burimisht është propozim i SHBA-ve, mirëpo meqenëse SHBA-të nuk janë pjesë e BE-së dhe se BE-ja është ajo që lehtëson dialogun, andaj nisma e SHBA-ve është emërtuar si nismë franko-gjermane, si shtetet më të fuqishme të Europës, prandaj arritja e marrëveshjes është një angazhim i fuqishëm Amerikan, për t’a kryher sa më shpejt.

Duke u nisur nga fakti se formimi i Asociacionit është bërë kusht për arritjen e një marrëveshje, si dhe duke marrë parasysh se asnjë model i « importuar » nuk mund të aplikohet në rastin e Kosovës, zgjidhja më e mirë dhe e vetme është që kryeministri Kurti të jet më pragmatik dhe të paraqet një propozim të Asociacionit apo me ndonjë emërtim tjetër, që do të ishte konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që do të çonte drejt arritjes së marrëveshjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat