Shtatë ditë mes të dëbuarve prej Kosove në Bajram Curr, qershor 1998

Opinione

Shtatë ditë mes të dëbuarve prej Kosove në Bajram Curr, qershor 1998

Nga: Rexhep Shahu Më: 25 janar 2023 Në ora: 20:37
Rexhep Shahu

Bajram Curr, 3 deri 8 qershor 1998, në sheshin e qytetit ku shkarkohen prej makinave të dëbuarit që mbërrijnë grupe – grupe prej Kosove.

Dhimbja e mrekullia njerzore para syve të mi. Dhimbje e dashuri. Qindra të ardhur prej Kosove, kryesisht fëmijë, gra e të moshuar veshur në ankth e trishtim gjenden të rrethuar prej tropojanëve që si rrallë kush dinë të japin mikpritje, dashuri, besim, ngrohtësi për të ardhurit nga Kosova. Tropoja është i vetmi vend në botë ku kanë ardhë refugjatë e nuk është ngritë asnjë çadër apo kamp për strehim refugjatësh pasi kanë dalë familjet tropojane dhe i kanë marrë nëpër shtëpiat e tyre gjithë të dëbuarit prej Kosovë që në gjuhën teknike ndërkombëtare quhen refugjatë, duke i treguar botës mrekullinë e mikpritjes, një nga mrekullitë më të mëdha shqiptare që mahniti botën.

Ndez manjetofonin dhe regjistroj çfarë po ndodh, i pazoti t’i pyes e të flas me gjithë këta njerëz që vijnë me lotë në sy e dhimbje në shpirt, i pazoti të orientohem, pasi për mua si gazetar e për ne kjo dyndje të dëbuarish, kjo ardhje masive njerzish si refugjatë lufte të dëbuar prej shtëpive të tyre nga dhuna serbe, është një histori e paprovuar kurrë.

***

-Prej nga jeni ju?

-Prej Junikut.

-A mund erdhët?

-Mezi.

-Çfarë po ndodh atje në Junik?

-Po ndodh një luftë e paparalajmëruar, një luftë shumë e keqe e cila na tronditi të gjithëve. Ishim 8 mijë banorë tanët, 10 mijë të strehuar i kishim, të gjithë janë lëkundur prej fshatit. Një pjesë kanë mësy drejtimin e Gjakovës nëpër fshatrat Dobrosh, Sheremetaj etj., ndërsa një pjesë tjetër malit në fshatrat Jasiq, Gjocaj të cilët të vogla e nuk kanë mundë me i absorbue qytetarët.

-Si e ke emrin ti?

-Zeqë Gaxherri.

-Sa veta ke me vete, ke sjellë me vete?

-14.

-Krejt familja jote?

-E imja dhe e motrës. Momentalisht atje kam djalin 24 vjeç. Duhej dikush të rrinte. Edhe unë doja të rrija por kush me i pru këtë në këtë anë. Ish qëllimi t’i shpëtonim dhe unë ndërmend e kam të kthehem bashkë edhe me djelmosha të tjerë se duhet mbrojtë pragu i shtëpisë, s’kem nga shkojmë.

-A mund të bisedojmë me njerzit e familje?

-Po ja ku i ke.

-Si e ke emrin ti?

-Burim Gaxherri.

-Sa vjec je Burim?

-15 vjeçar.

-A je në shkollë?

-Po, në vit të parë.

-Ku e bën shkollën?

-Në Junik.

-Sa orë rrugë keni bërë me ardhë këtu?

-13 orë nga Juniku në Jasiq, në Gjocaj e këtu.

-Zeqë, a keni njerëz këtu në Tropojë?

-Të mitë jo, por motra e martuar ka. Ata kanë ardhë këtupari, po na kërkojnë dhe veç sa ramë në kontakt me ta. Do t’i ngushtojmë por kështu ra fati.

-Ti si e ke emrin, pyes një vajzë të vogël.

-Liri.

-Sa vjeçe je?

-4.

-Ku e ke shtëpinë?

-Në Junik.

-Po ti nga je, pyes një tjetër.

-Prej Junikut.

-Si e ke emrin?

-Editë.

-Çfarë klase je?

-Në të parën.

-A u lodhe rrugës?

-Po.

-A të ka marrë uria?

-Po.

-Po ti sa vjeçe je, pyes një tjetër.

-8.

-Si e ke emrin?

-Besë.

-Besë, a je në shkollë?

-Jo.

-Po ti nanë, prej nga je, a mund erdhe?

-Prej Junikit jam, mezi vallahi, mezi erdhëm, shpirt i thonë.

-A ju kanë dëmtue atje?

-Po vallahi, po nuk e dimë sen se jemi nisë herët, jemi dalë qe tri ditë jashtë, kemi disa ditë që jemi udhëve, dy netë kemi fjetë në mal, dy netë fëmija kanë ndenjtë në Dobrosh. Mas tri ditëve kena ardhë në Jasiq, i thonë atij katundit, e kemi ndënjtë dy netë. Unë vetë një natë në mal e një natë në Jasiq.

-Po ti?

-Unë quhem Visar Gaxherri, vij nga Juniku. U detyruam të ikim se granatat serbe na i vrisnin fëmijët, na i zinin robt, na i prisnin në fyt, ua nxirrshin sytë, s’di ç’të tregoj.

-A je në shkollë ti?

-Po.

Çfarë shkolle?

-Jam në vitin e tretë, mjeksi.

-Ku në mjeksi?

-Në Junik.

***

Afrohem pranë dy njerzve këtu në sheshin e të ardhurve ku po shkarkohen makina me të ardhur prej Kosove.

-Çfarë po bëni ju këtu?

-Po presim do njerëz tonë që i kemi në Kosovë, në Deçan, në Isniq, në Junik…

-Ku e dini ju se vijnë?

-Pyetjet që u bëjmë këtyre vellezërve tonë që vijnë, na thonë që nga momenti në moment pritet që të bombardohen shpiat e atyre njerzve tonë atje.

***

-Unë quhem Adem Zenuni, komuna e Gjakovës, fshati Koshare. Kam ardhë pramë me motrën time që ia kanë vra burrin me 23 prill. Erdha për t’i strehue këtu se këta janë jetima e nuk ka kush kujdeset për ta. Familjen time e kam të gjithën atje, më kanë mbetë atje. Do të kthehem veç sa t’i vendosi këta, do të kthehem e do të luftoj deri në vdekje në Kosovë se për vatan duhet të luftojmë na se nuk vjen kërkush të luftojë për ne. E besoj që fitorja është e jona se për vend tonë po luftojmë dhe është e logjikshme se fitorja është e jona. Serbia po mundohet që ta shuajë popullin shqiptar që të mos ekzistojë më emri shqiptar, mirëpo e ka të kotë…

-Konkretisht çfarë ke parë ti Adem atje. Çfarë shkatërrimesh e djegiesh ke parë ti, çfarë ka ndodhë…

-Shkatërrimet janë bërë të shumta. 150 vetë vetem në Decan nuk dihet për fatin e tyre ku janë, gra femijë, pleq. Shpiat i kanë bo rrafsh me tokë të gjitha, atyre që kanë mbetë pa u granatuar u kanë futë flakën. Sidomos Deçanit e fshatrave rreth tij.

-Ku e ke motrën që e ke sjellë që ia kanë vra burrin?

-Motra është këtu me mua me pesë fëmijë jetimë prej fshatit Dujakë, quhet Dritë Noci, burri i saj është quajtë Veli Noci që u vra para 6 javësh siç u thashë, me 23 prill. Tash i ka këtu 5 fëmijë.

-Po i drejtohem motrës, Dritës, tani.

-Quhem Drita Noci nga fshati Dujakë. Para 6 javëve ma kanë vra burrin në fshatin Koshare pranë familjes teme. Është ardhë me më pru ndihma bukë e çfarë na duhej ne atje në Koshare te prind e mi, e kanë zanë dhe e kanë vra. Ai Veli Noci quhet. Pesë fëmijë më ka lanë, fëmijën ma të madh dhjetë vjeç, tjetrin 8, tjetrin 5, tjetrin 3 vjeç, tjetrin 2 vjeç.

-Si i kanë emrat fëmijët e tu?

-Çika e madhe, Rajmonda 10 vjeçe, djali i madh Kamber 8 vjeç, djali i dytë Kemajl 5 vjeç, çika e dytë 3 vjeçe Vere, djali i vogël 2 vjeç Tahir. Burri jem, babën e ka në Gjermani, unë kam mbetë në shpi veç me nanën e tij. Ajo ka ndënjtë qyqe vetem në fshatin Skivjan se kemi ikë prej Dujakës, unë kam ardhë me i pshtue fëmijët. I kemi pru fëmijët në thasë duke i tërheqë zhag, tash ku të mundna me ba çare.

-Ti je Rajmonda?

Po, unë quhem Rajmonda Noci nga Dujaka, ma kanë vra babën, jam në klasë të katërt.

Ademi: I kena do dajë të nanës në Durrës, besoj do ta çoj motrën me fëmijë te ato e do të kthehem vetë në Kosovë se i kam të tjerët atje.

***

-Unë quhem Nafije Arifi nga Batusha, jemi të ardhun qe katër ditë te familja Gjuriqi ku po rrimë, vetë e dhjeta jam. 29 orë kemi vujtë pa hangër e pa pi me ardhë deri këtu. Unë e kam vlla burrin e kësaj nuses Dritës që e kanë vra.

***

-Çfarë mund të na thuash për UÇK Adem?

-Vallahi ashtë një ushtri që po reziston, I ka shkaktue humbje shkaut, mirëpo shkau nuk po i tregon humbjet e veta. UÇK po mbron familjet e fëmijët tonë që të mos i masakrojë shkau. UÇK kish me qenë më mirë nëqoftëse vijnë edhe oficerë të tjerë nga shtetëet e jashtme se pa oficera nuk është organizimi aq i mirë.

-Sa veta nga fshati juaj janë të inkuadruar në UÇK

Gjithë fshati, krejt fshatrat, gjithë shqiptarët janë UÇK, krejt po luftojnë për atdhe.

Kjo po më duket pak si parullë mua, gjithë shqiptarët janë UÇK…

***

Unë quhem Isa Muharremi nga fshati Batushë… Na kanë hy nëpër shpia e na kanë thanë do t’i dorëzoni armët, po armë ne nuk kemi pasë. Ose me dorëzue armë ose me u kallë me fmijë e me rob krejt katundi. Atëhere ne kemi ba një farë tubimi krejt katundi a të ikim apo të kallemi në të. Dhe kemi marrë vendimin të ikim. Kemi ikë nëpër male e kemi bo 28 orë rrugë ditë e natë me fëmijë tu rrëzue e tu u çue e jemi dalë në Tropojë ku na kanë pritë shumë mirë. E nuk dihet a mundemi ne me ua kthye aq mirë sa na kanë pritë. Ashtu edhe në Bajram Curr ku po rrimë te Qemali këtu. Besoj se nuk më bjen me ia harrue sa bukur na ka pritë me mundësitë e veta veç a ka na pret shumë mirë. Ne i kemi lanë do pleq të vjetër atje, janë nja pesë a gjashtë pleq por ata janë dalë e janë strehue në Koshare.

-Këtu në Tropojë na kanë pritë popullsia shumë mirë. Faleminderit prej vllaznive tanë. Ishalla e ban Zoti mirë. Vec njëherë për një herë për ne kosovarët vështirë ka me kanë. Unë jam Sabrije Hoxha nga Juniku, jam këtu në Tropojë me bashkëshortin tem Tafë Hoxha nga Juniku.

-Faleminderit Sabrije.

***

-Kam këtu një familje tjetër të ardhur nga fshati Junik. Ju lutem a mund të prezantoheni?

-Po, Vebi Kuçi.

-Sa vetë ka familja jote?

-Pesë veta.

-Jeni të vendosur këtu në ndonjë familje?

-Po, në një familje, na ka dalë para, na ka pritë e na ka marrë në shtëpi.

-Si quhet i zoti i familjes që u ka pritë këtu?

-Abedin.

-Si po kaloni këtu?

-Mirë po na presin, mirë po kalojmë, kemi ecë 14 orë në kamë nga Juniku deri këtu.

-Po ju si e keni emrin?

-Ajete Kuçi.

Po ti si e ke emrin?

-Shqipe.

-Nga je ti?

-Nga Juniku.

-Në çfarë klase je?

-Në klasë të tretë…

***

- Po ju si e keni emrin?

-Bislim Valbona, banor i Bajram Currit.

-Bislim, a ke në familje misafirë që të kanë ardhë nga Kosova.

-Po, kemi nja 12 vetë.

-A po mundesh me i përballue me ushqime, me fjetje?

-Po ne po mundohemi të bëjmë atë të mundurën aq sa mundësi kemi, megjithëse ne jemi bukur të lodhun edhe vetë, por i kemi përballue këto dy tri ditë, me shpresë a mos bjen edhe bashkia ndonjë ushqim, sipas të thanmeve. Po deri tash e kemi kalue me thanë të drejtën.

-A keni marrë ndonjë ndihmë?

-Akoma jo, ka dy ditë që thonë ata të bashkisë por akoma jo.

***

-Kam pranë një nënë nga fshati Pobregj i Decanit, Fatime Mataj. Si je, si ke ardhë deri këtu, si u kanë pritë.

-Kemi hekë 20 orë udhëtim me zor. Kemi lanë shpiat tu djegë, topat te krisë, ne te dalë, granatat te na ra mbi shpia. Disa kemi mundë me ardhë, disa pleq e plaka na kanë mbetë nëpër shpia e nëpër budrume të ngujum e nuk e dimë a janë gjallë a janë dekun. Kemi lanë bukën tuj u pjekë në shporet…

-Po ju si e keni emrin?

-Sadije Mataj.

-Pse po qan Sadije?

-Vjehrri më ka mbetë atje.

***

-Sa veta keni marrë ju në familjen tuaj, pyes një zonjë, Sabrije Çela.

-Burri jem i ka marrë 43 vetë dhe i kemi strehue në një shtëpi që kemi pasë, me gjithë një dajë të vetin. Të tjerët na kanë ardhë ilaka. Tre kanë mbërri deri tash, dy pleq e një tjetër grue. Tani ata do të shkojnë t’i marrin edhe dhjetë përsona tjerë me makinë në Tropojë e do i sjellin në fshat atje te shpia në fshat.

-Burri yt si e ka emrin, Sabrije?

-Imer Çela

-Ju vetë sa pjestarë bëheni në familje?

-Ne jemi gjashtë pjestarë në familjen tonë. Do të marrim njerëz të tjerë që i kemi njerëz të shpisë, ilaka tona qe katër breza.

***

-Po ti nga je?

-Prej Batushe.

-Si e ke emrin?

-Ardjanë Mahmuti.

-Sa vetë keni ardhë këtu të familjes?

-13. Vec babin e kemi lanë në shtëpi me dhen.

-Kë ke mesues atje ne Batushë, si e ka emrin mësuesi yt?

-Avdyl Aga prej Batushe/

***

-Po ti si e ke emrin?

-Besjana Gjeqi nga Tropoja.

-Si po kalon me këta fëmijë moshatarë që kanë ardhë nga Kososva?

-Shumë mirë, lujna me to, rrimë bashkë.

***

Takoj dy zonja nga Kosova që i shoh bashkë.

-Nga jeni ju?

-Vijmë nga Vokshi i Deçanit.

-A keni njerëz të afërt këtu?

-Jo nuk kemi njerëz të afërt këtu veç e kemi ditë që ju kemi të gjithëve të afërt.

-Si e ke emrin ti?

-Qibrie Nitaj nga Vokshi i Deçanit. Kam tre fëmijë dy vajza e një djalë e i kam me vete këtu.

-Si e ke emrin, e pyes vajzën e vogël të Qibries.

-Arbërie Nitaj

-Po ju si quheni, pyes shoqen e saj që rri shumë mendueshëm.

-Sevdije Nitaj, nga fshati Voksh i Deçanit.

-Pse po mendohesh, Sevdije. Çfarë po mendon, si do të shkojnë punët.

-Na mendojmë që për një kohë shumë të shkurtë për me u kthye prapë në vendin tonë në Kosovë atje. Nuk do të rrimë këtu shumë gjatë. Ne mendojmë qashtu.

-Ishalla më shpejt ndodhtë kjo, u them unë.

-Faleminderit edhe prej jush për intervistën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat