Pse duhet t’i besojmë SHBA-së në lidhje me asociacionin?

Opinione

Pse duhet t’i besojmë SHBA-së në lidhje me asociacionin?

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 29 janar 2023 Në ora: 20:10
Zyrtari i lartë amerikan, Derek Chollet gjatë vizitës në Prishtinë, takimi me kryeministrin Kurti

Të gjithë e mbajmë mend dhe emocionohemi kur e kujtojmë fjalimin ikonik të ish Presidentit amerikan George W. Bush më 10 qershor të vitit 2007 në Tiranë.

Ishin ditë mjaft sfiduese në jetën politike të Kosovës. Momente, kur po vendosej për fatin e popullit dhe të ardhmen e ndritur që e kishte projektuar Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova- Liri, Pavarësi, Demokraci dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E presidenti Bush sikur i dha një vulë përfundimtare këtij projekti, me deklaratën e tij se Kosova është shtet i pavarur.

“Në një pikë, herët a vonë, duhet ta thuash ‘mjaft është mjaft – Kosova është e pavarur”, do të deklaronte presidenti Bush në Tiranë, para mijëra shqiptarëve që kishin dalë për ta pritur e përshëndetur.

Dhe, ashtu ndodhi! Pikërisht një vit më vonë, 17 shkurti i vitit 2008 do të shënonte ditën më të rëndësishme. Kosova u bë shtet i pavarur dhe demokratik.

ShBA ishte ndër shtetet e para që do ta njihnin Kosovën si shtet. SHBA nuk e ka vënë asnjëherë në diskutim shtetësinë e Kosovës dhe ka qenë përherë mbështetësja më e madhe e saj.

Mjafton t’i kujtojmë ambasadorët e ShBA-së në OKB, të cilët në mbledhjet e këshillit të Sigurimit kanë qenë përkrahësit tanë më të mëdhenj.

Kosova aktualisht ndodhet në një moment mjaft kritik. Kjo pasi po paraqiten versione të ndryshme për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Njohja reciproke ndërmjet dy vendeve ishte në qendër të cdo mesazhi nga Shtëpia e Bardhë, por çështja e asociacionit të komunave me shumicë sikur e ka bllokuar procesin e përmbylljes së dialogut me Serbinë.

Kosova me të drejt shqetësohet nga kërkesat për një asociacion njëetnik apo edhe me kompetenca ekzekutive.

Por, pikërisht në kohën e intensifikimit të përpjekjeve të SHBA-së e BE për të përshpejtuar procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në të dyja vendet qëndroi zyrtari i lartë amerikan, Derek Chollet.

Chollet u kërkoi autoriteteve të Prishtinës që të paraqesin propozimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas tij, Asociacioni duhet të themelohet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ai është detyrim ligjor.

“Dua të jem i qartë se ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim një organizimin të tipit Republike Srpska. Nuk po i kërkojmë Kosovës asnjë aranzhim që nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Parlamenti i Kosovës i ka ratifikuar marrëveshjet e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese ka thënë se është e domosdoshme të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe gjë që ne besojmë se e bën këtë një detyrim ligjor për qeverinë e Kosovës. Zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës vetëm sa e kanë theksuar rëndësinë e themelimit të tij”, tha Derek Chollet.

Deklarata e z. Chollet mund të konsiderohet si e ngjashme me deklaratën e ish Presidentit Bush në Tiranë, pasi flet për shtetësinë e Kosovës e cila duhet të respektohet edhe me rastin e themelimit të asociacionit.

E vetmja gjë që i duhet Kosovës është mbështetja besimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që asnjëherë me asnjë veprim nuk na kanë zhgënjyer.

SHBA beson në shtetësinë e Kosovës, ndërsa Qeveria e Kosovës duhet t`i besoj vetëm ShBA-së.

Siç ka thënë Presidenti Bush: “mjaft është mjaft – Kosova është e pavarur”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat