Tingëllon në mënyrë cinike, por për fat kjo luftë po ndodh tani!

Opinione

Tingëllon në mënyrë cinike, por për fat kjo luftë po ndodh tani!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 28 mars 2023 Në ora: 11:52
Sherif Ramabaja

“Për fat të mirë, kjo luftë po zhvillohet tani”, thotë ekonomisti ushtarak Marcus Keupp në një intervistë për “Neue Zürcher Zeitung” për tentimin e pushtimit rus të Ukrainës. Ai e sqaron veten duke u arsyetuar: “Tingëllon në mënyrë cinike”.

Në bisedë ai më pas shpjegon se çfarë do të thotë. Tema është dërgesat e armëve nga Perëndimi në Ukrainë.

Kështu e shpjegon ekonomisti ushtarak tezën mbi luftën në Ukrainë

“Mendoni se çfarë do të kishte ndodhur nëse kjo luftë do të kishte ndodhur vetëm dhjetë vjet më vonë: më shumë para ruse do të rridhnin drejt Evropës, Nord Stream 2 do të ishte i përfunduar dhe në përdorim. Gjermania do të  transportonte  më se 70 për qind të energjisë së saj nga Rusia etj.

Shtrohet pyetja: a do ta kishin mbështetur gjermanët Ukrainën ashtu siç e mbështesin sot?

Tingëllon në mënyrë cinike, por për fat kjo luftë po ndodh tani.”

Ukraina është gjithashtu në gjendje t'i mbijetojë luftës, falë Perëndimit i cili masivisht po e mbështet vendin me armatime.

Vetëm të hënën kancelari Olaf Scholz njoftoi zyrtarisht se tanket gjermane Leopard 2 kishin mbërritur në Ukrainë.

Ushtria ukrainase arrinti të korrte sukses të madh në luftën kundër pushtuesve duke iu falenderuar furnizimit me armë të huaja, siç janë edhe raketat amerikane Himars.

Duke u nisur nga gjendja momentale reale, shqiptarët do të duhej ti analizonin analizat e ekspertëve të huaj, në mënyrë që ta shfrytëzonin gjenjen momentale në favorin e tyre.

Para se të shpërthente konflikti shqiptarët janë dëshmitar se si sillej presidenti serb Vuçiq në raport me shqiptarët, Kosovën, Evropën dhe SHBA.

Serbia është e fuqishme, deklaronte Vuçiq. Nuk do të lejoj poshtërimin e Serbisë dhe të popullit serb. Ne jemi për kompromis dhe kompromisi i tij ishte ashtu si e diktonte Serbia dhe Vuçiqi. Ne do ta mbrojmë popullin serb në Kosovë edhe me luftë, thoshte etj.

Sot duke iu falenderuar pësimit të Rusisë në Ukrainë, është dobësuar edhe pozita e Serbisë në relacion me Kosovën, shqiptarët dhe Ballkanin, por a po e shfrytëzojmë këtë gjendje, ashtu siç duhet në favorin tonë?

Për fat të keq me 1912 shqiptarët ishin të përçarë. Përgatitej shpallja e pavarësisë, kurse një pjesë luftonte dhe dëshironin që edhe më tutje të mbeteshim nën sundimin e Turqisë.

Më 1945 shqiptarët ishin dehur nga ideologjia marksiste – leniniste. Në vend se të rreshtoheshin përkrah perëndimit, e bënë gabimin fatal në jetën e tyre, duke e përqafuar utopinë komuniste, pasojat e së cilës do të na përcjellin me decenie.

Në luftën e fundit 1999 po ashtu ishim të përçarë dhe nuk kishim arritur të çliroheshim nga ideologjitë (enveriste) pansllaviste.

Sot kur forcat pushtuese serbe nuk i kemi në Kosovë dhe marrim frymë më lirisht, një pjesë e madhe janë orientuar drejtë ideologjisë islamiste, (duke e injoruar atë kombëtare) që është një kancer në trupin tonë.

Tash derisa Rusia është në rënie dhe Serbia nuk e ka përkrahjen e saj ashtu siç do të shpresonte, bashkësia ndërkombëtare po insiston në një zgjidhje, Kosovë – Serbi.

Në këtë moment shqiptarët duke i shfrytëzuar rrethanat e favorshme ndërkombëtare,( të cilat ndoshta në 100 vjet nuk përsëriten), do të duhej që me ngulm të luftojnë, për arritjen e qëllimeve të tyre kombëtare.

Për keqardhje edhe në këtë rast ne jemi të përçarë. Shtrohet pyetja: a do të mbushemi mend ndonjëherë?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat