Shqipëria dhe Kosova edhe një hap “drejt” bashkimit kombëtar!

Opinione

Shqipëria dhe Kosova edhe një hap “drejt” bashkimit kombëtar!

Nga: Xhavit Kryeziu Më: 24 maj 2023 Në ora: 17:35
Foto ilustrim

Çudirat që ndodhin te Shqiptarët nuk ndodhin te asnjë popull tjetër në botë. Për më shumë se 100 çirremi pa pushuar se kemi një histori, një traditë e një gjuhë, mirëpo po del se nuk po merremi vesh mes veti sepse përdorim gjuhë “të ndryshme” nga njëri-tjetri! Se Shqiptarët e Shqipërisë dhe Shqiptarët e Kosovës në disa raste nuk e kuptojnë njëri-tjetrin është një realitet që nuk mund ta fshehim. Tjetër gjë është qëllimi i mirë, i cili domosdo duhet respektuar, për të mos shkaktuar ndasi, e aq më tepër përbuzje, nënçmim apo fyerje ndaj njëri-tjetrit, mirëpo tjetër gjë është edhe fakti tjetër se ne nganjëherë vërtet nuk mëremi vesh me njëri-tjetrin sepse përdorim gjuhën e rrugës a të lagjes, e jo atë unike letrare të standardizuar në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqip, të mbajtur në Tiranë, më 1972.

T’i thuash dikujt se gjatë kohës së komunizmit, si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë, gjuha e njësuar Shqipe, e standardizuar më 1972, është respektuar dhe zhvilluar shumë më shumë sesa sot, menjëherë do të të quajë nostalgjik i komunizmit, pa pasur as edhe një fakt të vetëm. Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, e vitit 1972, e cila u kishte bërë thirrje të gjitha institucioneve shtetërore, institucioneve të teksteve shkollore, enteve shtetërore, organizatave shoqërore, institucioneve të shkencës, të kulturës e sportit, të merrnin masa për të zbatuar gjuhën e shkruar sipas rregullave të drejtshkrimit, të aprovuara në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, të mbajtur në Tiranë, më 1972, kishte gjetur mbështetje dhe përkrahje të parezervë në të gjitha viset shqiptare, qoftë brenda kufijve administrativë të shtetit të Shqipërisë, qoftë edhe në të gjitha trojet Shqiptare jashtë Shqipërisë londineze.

Ku jemi sot?

Ndryshimet globale në të gjitha sferat e jetës, dhe kalimi nga sistemi komunist në atë pluralist në Shqipëri, në Kosovë e gjetkë, e mbi të gjitha zhvillimi i hovshëm i teknologjisë në gjithë botën, ka sjellë ndryshime pozitive edhe në hapësirat gjithëshqiptare. Përveç ndryshime të shumta pozitive, edhe te ne janë themeluar medie të shumta të shkruara e elektronike, kombëtare, publike e private. Përveç vetëm një universiteti shtetëror që në kohën e monizmit ishte në Tiranë, dhe një tjetri vetëm në Prishtinë, tani më janë hapur shumë sosh pothuajse në çdo qytet të Shqipërisë e të Kosovës. Ndërkaq, ishin mediat elektronike ato të cilat kanë mbirë dhe po mbijnë dita-ditës si kërpudhat pas shiut.

Në qoftë se flasim rreth mediave elektronike dhe zbatimit të gjuhës standarde Shqipe nga ana e tyre, duhet ta pranojmë se gjendja është shumë e mjerë. Veçanërisht në mediat e Kosovës bëhet përdhosje e pafundme dhe e pamëshirshme e Gjuhës Shqipe. Përveç lajmeve që jepen në gjuhën standarde, çdo emision tjetër, qoftë ai i karakterit edukativ, argëtues, sportiv, etj. realizohet në gjuhën e rrugës apo të lagjes, të cilën natyrisht nuk e kuptojnë të gjithë Shqiptarët.

Vite më parë, unë kam shkruar një artikull përmes të cilit kam kritikuar komentimin e ndeshjeve sportive të komentatorëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilët ishin të ndryshëm edhe pse televizionet përkatëse transmetonin të njëjtën ngjarje sportive. Më qartësisht, kam qenë, jam dhe do të jem kundër që një ndeshje sportive që mund të luhet qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë, të cilën e transmetojnë edhe Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH), edhe Radiotelevizioni i Kosovës (RTK), ta komentojnë dy komentatorë të ndryshëm Shqiptarë - njëri për RTSH-në, njëri për RTK-në. Nëse të dy komentatorët flasin Shqip, pse atëherë vetëm njëri nuk komenton për të dyja televizionet? Nëse duhet të jenë dy komentatorë, atëherë përsëri le të jenë të dytë së bashku për të dyja televizionet. Në lidhje me këtë çështje, unë kam marrë shembullin e ish-Jugosllavisë. Për aq kohë sa ka ekzistuar Jugosllavia, nëse një aktivitet sportiv është zhvilluar në Serbi, ka qenë vetëm një komentator, i cili ka komentuar edhe për Televizionin e Serbisë (atëherë: Beogradi), edhe për Televizionin e Kroacisë (atëherë: Zagrebi), edhe për Televizionin e Bosnjë-Hercegovinës (atëherë: Sarajeva), edhe për Televizionin e Vojvodinës (atëherë: Novi Sadi), edhe për Televizionin e Malit të Zi (atëherë: Titogradi/Podgorica). Njësoj është vepruar edhe nëse ngjarja e ngjashme ishte zhvilluar në Kroaci, të cilën e ka komentuar komentatori kroat për të të gjithë shikuesit në gjuhën serbo-kroate në të gjitha republikat ish-jugosllave. Natyrisht, përjashtim kanë qenë Televizioni i Kosovës (atëherë: i Prishtinës), i Sllovenisë (atëherë: i Lublanës) dhe ai Maqedonisë (atëherë: i Shkupit), të cilët kanë pasur komentatorë të veçantë në gjuhë Shqipe, Sllovene dhe atë Maqedonase, pasi këto gjuhë janë të ndryshme dhe dallojnë shumë nga njëra-tjetra.

Ç’dua të them me këtë? Se popujt serbë, kroatë, malazias boshnjakë, sado që kanë gjuhë të ndryshme, kanë mundur ta durojnë gjuhën e njëri-tjetrit, ndërsa Shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës, të cilët flasin një gjuhë krejtësisht të njëjtë me njëri-tjetrin, nuk paskan durim ta dëgjojnë kometatorin e njëri-tjetrit! O, Zot vetëm Ti mund t’i kuptosh Shqiptarët!

Transmetimi i një filmi kosovar mbrëmë në televizionin kombëtar të Shqipërisë (Top Channel), me titra në gjuhën shqipe është kulmi i mllefit për çdo Shqiptar kudo që ai jeton. Kush i ka fajet këtu, Top Channeli? Po, edhe jo! “Po” sepse ky rast, në njërën anë, nënkupton përbuzje dhe mosrespekt për Shqiptarët e Kosovës, dhe “jo” sepse shikuesit e Top Channelit me të vërtetë e kanë të vështirë ta kuptojnë gjuhën e rrugës apo të lagjes, e cila flitet në atë film.

Si do që të jetë, ndasitë që po ndodhin ndër ne çojnë ujë në mullirin e armikut të popullit tonë, Serbisë, e cila prej kohësh është munduar të bëjë “ndarjen” mes Shqiptarëve të të dyja anëve të kufirit duke i quajtur “Albanci” Shqiptarët e Shqipërisë dhe “Shiptari” Shqiptarët e Kosovës. Për fat të keq, Serbia deri diku ia arritur qëllimit të saj. Sot, shumë uebfaqe në internet, organizata të ndryshme politike e shoqërore, të cilat i njohin si të ndryshme nga njëra-tjetra gjuhët serbe, kroate, malaziase e boshnjake, ndonëse ato nuk dallojnë aspak nga njëra-tjetra (përveç në disa raste në shqiptim), a to i njohin të ndryshme edhe gjuhët “shqipe” duke i quajtur si “Shqipja e Shqipërisë”, “Shqipja e Kosovës”, “Shqipja e Maqedonisë”! Kjo tendencë është e rrezikshme. Nëse vazhdon kështu, e ne heshtim, atëherë me të vërtetë do të ketë edhe komb “kosovar” edhe gjuhë “kosovare”! Ndërkaq, numri i të tillëve që mbështesin kombin “kosovar” për fat të keq ka filluar të rritet edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri.

Është koha e fundit që figurat më eminente të kombit shqiptar, para se gjithash Akademitë e të dyja shteteve, të zgjohen nga gjumi dhe të punojnë në mposhtjen e rrezikut që i kanoset kombit tonë. Ligji për mbrojtën e gjuhës, i ngjashëm si ai në Francë, do të ishte hapi i parë dhe urgjent që duhet ta bëjmë. Mediat elektronike kudo qofshin ato, duhet të gjobiten rëndë, nëse është nevoja edhe të mbyllen, nëse vazhdojnë ta përdhosin gjuhën e njësuar Shqipe. Nëse e bëjmë këtë hap, hapat tjerë do të jenë më të lehtë. Çdo vepër e karakterit kombëtar ndihmon në realizimin e ëndrrës sonë - bashkimit kombëtar, ideal i të gjithë Shqiptarëve, kudo që janë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat