Luftimi i së keqes në Kosovë, duhet të vazhdojë

Opinione

Luftimi i së keqes në Kosovë, duhet të vazhdojë

Nga: Gani Qarri Më: 26 gusht 2023 Në ora: 14:00
Gani Qarri

Nisur qoftë edhe vetëm nga dokumentimi më i ri, i trishtë, i avokatit serb nga Beogradi Ivan Niniç, se në veriun e vendit tonë me vetëm 25 mijë banor, (pa përmendur këtu edhe qendrat për prodhimin e kriptovalutave) nën përkujdesjen e inspektorit (serb) të Policisë së Kosovës, Milan Gjukiqit (Djukiç) Serbia kishte ngritur hiq më pak se 11 laborator të mariuhanës, me parat e të cilave financonte organizimin e barrikadave dhe bllokimin e rrugëve nga bandat kriminale të Radojçiqit, vërtetë duhet kuptuar “drejtë” hallin e madh të ndërkombëtarëve, ambasadave dhe disa misionarëve të huaj, se përveç “nevojës” për “depërshkallëzim”, duket se te disa, janë rritur në mënyrë drastike edhe kërkesat, për dozat ditore, që mund tu jenë ofruar “gratis”, në shenjë mirënjohje nga Vuçiqi dhe bandat kriminale serbe, si dëmshpërblim, ndaj dhe ndjehen kaq të irrituar!

Por Qeveria dhe opozita e vendit, kanë për obligim të kujdesen për shtetin e Kosovës dhe jo për rigrupimin e bandave dhe ripërtrirjen e strukturave paralele të Serbisë, të cilat vetëm pak kohë më parë qeveria serbe nga Beogradi i ka aktivizuar edhe zyrtarisht, pothuajse në gjithë Kosovën,veprimtaria e të cilave duhet ndaluar urgjentisht, e nëse dikush nuk mund të jetojë pa to, le ti marrë lirisht në shtëpitë dhe banesat e veta, apo tu bëjë vend edhe në shtetet prej nga vijnë!

Siç dihet, të gjitha këto avari të rrezikshme, zgjatën jo me muaj, por me vite e madje për shumë vite, u rritën e zgjeruan, pa asnjë pengesë, gjithandej veriut, para syve të KFOR-it, EULEX-it dhe rreth 500 policëve të “integruar” serb me në krye (krye)inspektorin e famshëm narko-diler të policisë Milan Gjukiq, po para tyre heshtën mbi një dekadë edhe qeveritë e kaluara me në krye Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Ramush Haradinajn etj, madje ky i fundit, e priste edhe në zyrat e kryeministrisë kryekriminelin Milan Radojçiq.

Andaj pas zbulimit të këtyre laboratorëve dhe dëshmive të avokatit nga Beogradi se ato ishin ngritur nga Serbia, vendosjes së rendit e të ligjit si dhe qetësimit të gjendjes në veri të Kosovës, si asnjëherë më parë, që nga paslufta e këndej, përveç vuajtjes së ndërkombëtarëve, për shqetësimet misionaro-institucionale, e ndoshta pak më tepër për shkaqet e tyre “personale”, duhet të kuptohet edhe “shqetësimi” i madh i opozitës, e cila përpos faktit që nuk ndërmori asgjë, për luftimin e bandave kriminale, mënjanimin e “minifabrikave” të prodhimit të kriptovalutave dhe mbylljen e dhjetëra laboratorëve për përpunimin e narkotikëve, veç “çiras” që mund të ketë inkasuar, duket se edhe sot vazhdon të dirigjohet direkt nga Aleksandër Vuçiqi, me të cilin i koordinon kaq mirë edhe brengat, vuajtjet dhe shqetësimet, që duket se ende i kanë të “përbashkëta”.

Kështu që Qeveria e Kosovës, pa marrë parasysh shqetësimet e “thella” të atyre që nuk e kanë hallin e vendit tonë, por të bandave kriminale serbe, laboratorëve të shkatërruar të narkotikëve dhe eliminimit të minifabrikave të kriptovalutave të kundërligjshme, të ngritura me aq “mund” nën përkujdesjen speciale të kryeinspektorit serb Milan Gjukiq të “integruar” edhe në (“ish”) Policinë e Kosovës, ka obligim shtetëror dhe kushtetues, që me çdo mjet dhe mënyrë ligjore, të mos lejojë rigrupimin e grupeve kriminale serbe të Radojçiqit në veri, ta parandalojë me çdo kusht, riaktivizimin e organizatave terroriste “Mbrojtja civile” dhe Brigada e veriut”, si dhe përkundër vuajtjeve të opozitës dhe “brengave” të “pamatshme” të ndërkombëtarëve, përfundimisht ti largojë të gjitha strukturat paralele të Serbisë, jo vetëm nga ndërtesat komunale në veri, por nga mbarë territori i vendit e çdo cep i Republikës së Kosovës, që përfundimisht t`ua dëshmojë miqve dhe jo-miqëve, edhe me kushtin e vënies nën “sanksione” se liria e Kosovës nuk ka çmim dhe për hatër, as interesa të askujt, nga brenda apo jashtë vendit, nuk mund të lejoj më, lojërat e kujtdo qoftë me integritetin territorial dhe rrezikimin e tërësisë shtetërore të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat