Vuçiq thërret seancë të OKB mbi armatosjen e Kosovës!

Opinione

Vuçiq thërret seancë të OKB mbi armatosjen e Kosovës!

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 13 janar 2024 Në ora: 17:22
Aleksandar Vuçiq

Këtë nuk e kemi pritur. Jemi tërësisht të zhgënjyer. Së paku në çdo decenie ne  organizonim aksione për çarmatosjen e shqiptarëve, kurse tash perëndimi pa na pyetur ne fare, po i armatos vetë.

Kjo tërësisht është e padurueshme. Pa humbur kohë për këtë veprim, që bie ndesh me rregullat ndërkombëtare, do kërkoj seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB. Deklaratat dhe veprimet e mia dhe të Serbisë ishin gjithmonë për ruajtjen e paqes në rajon.

Shqiptarët po ankohen për gjenocid e masakra, po unë nuk di se kush po akuzohet dhe gjykohet në Hagë, serbët apo shqiptarët.

Ky argument do të duhej të shërbente si dëshmi se armatosja e tyre, do ta destabilizonte rajonin. Lëvizjet tona ushtarake përreth kufirit të Kosovës kishin dhe kanë për qëllim, ruajtjen e paqes dhe gatishmërinë tonë që të mbroheshim nga sulmet e papritura të tyre.

Tash derisa ata haptas do të armatosen, shtrohet pyetja: sa i kontribuon kjo paqes, për të cilën angazhohem personalisht unë.

Çka do të thotë kjo për serbët e Kosovës. Si duket janë këto standarde të dyfishta të perëndimit, për shpërnguljen e tyre, që edhe ashtu pothuajse tërësisht janë shpërngulur. Ndryshe s´di si ta shpjegoj këtë.

Derisa ne i sundonim shqiptarët kujdeseshim që edhe t´i çarmatosnim, duke u bazuar në bashkëpunimin e tyre me nazizmin dhe  armiqësinë e tyre ndaj vlerave demokratike, kurse sot armatosja e tyre është një sinjal i gabuar për këto vlera.

 Aq më i rrezikshëm është një hap i tillë kur ky armatim do të menaxhohet nga Kurti, i cili ashtë armiku numër një i Serbisë.

Ne e kishim vështirë që Kurtin ta bindnim për marrëveshjet dhe Asociacionin, kurse tash ai të furnizohet me një arsenal të tillë armatimi, që do të ishte rrezik edhe për perëndimin, e jo vetëm Serbinë.

SHBA dhe perëndimi duhet ta kuptojnë se një hap i tillë është plotësisht i papranuar për Serbinë, sepse Kurti nuk do ta ketë synim vetëm Serbinë, po ai do ta sulmoi edhe Maqedoninë, Malin e Zi dhe ndoshta edhe Shqipërinë, që ta rrëzoi nga pushteti mikun tim Edi Ramën.

Unë ju kisha lutur që ta shqyrtoni edhe njëherë vendimin tuaj dhe të kujdeseni për baraspeshën në Ballkan.

Serbia ishte më e armatosura në rajon, po ne nuk kishim pretendime dhe synime që t´i sulmonim fqinjët. Kjo tash nuk u besohet shqiptarëve dhe aq më pak Kurtit, i cili është i paparashikueshëm.

Atë që po mundohet Dodik në Bosnje, mos e merrni seriozisht. Ai vetëm po flet duke shfaqur propozimet e tij personale, por ne duhet t´i respektojmë edhe mendimet e të tjerëve, kurse ajo që ndodhi në Banjskë ishte vetëm shprehje e revoltës nga serbët lokal ndaj politikës diskriminuese të Kurtit ndaj serbëve të Kosovës.

Për këto gjëra ne kemi folur haptas dhe ishim transparent. Radojçiqin ne e burgosëm për një natë, derisa i zhvilluam hetimet ndaj tij. Nëse vërejmë elemente penale ndaj tij, ne do ta burgosim sërish, po duhet t´i respektojmë vendimet gjyqësore.

 Ato që i thonë Kosova, Kurti dhe Osmani, janë vetëm gënjeshtra të qarqeve antiserbe.

Për sinqeritetin tim dhe të popullit serb ju mund të bisedoni edhe me zotin Rama, i cili gjithnjë gjykon me paanshmëri.

Është e njohur për të gjithë se ai haptas i gjykon edhe veprimet e Kurtit. Ky është argumenti më i mirë që ta zbuloni të vërtetën dhe të merrni masa në ruajtjen e paqes, për të cilën unë angazhohem pandërprerë.

Pres që Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB të merr masa ndaj këtij vendimi, në të mirën e paqes së rajonit tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat