LEN - drejt një vizioni pozitiv për shqiparët në RMV

Opinione

LEN - drejt një vizioni pozitiv për shqiparët në RMV

Nga: Amir Shabani Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 16:24
Autori Amir Shabani

Disponimi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut sa i përket çështjes së aktualitetit politik shqiptar në vend, vërehet si kurrë më parë se është vital dhe i gatshëm për ta realizuar ndryshimin pozitiv në këtë shoqëri. Në të kaluarën, mungesa e bashkimit serioz të opozitës shqiptare ka qenë fitim i kohës për partitë në pozitë që të qëndrojnë në pushtet, mirëpo me konsolidimin e këtij blloku opozitar shqiptar, filloi edhe "beteja" serioze politike mes dy taboreve duke e konkurruar pushtetin në shtrirjen territoriale të republikës sa i përket frymës së ndryshimit.

Bashkimi i një opizite të tillë në kohë rekord me qëllimin e vetëm për mos t'ia humbur qytetarëve në përgjithësi, e sidomos atyre shqiptarë në veçanti, shpresën për të jetuar në Maqedoninë e Veriut, dëshmon se ky koalicion, respektivisht Lidhja Evropiane për Ndryshim, është referenca e duhur e ndryshimit dhe revolucionit politik në vendin tonë. Nuk i iket faktit se në të kaluarën, partitë që sot janë brenda këtij koalicioni kanë pasur keqkuptime dhe divergjenca mes veti, mirëpo pjekuria politike dhe tejkalimi i qëndrimeve personale për t'u bashkuar në qëllimet kombëtare dhe shoqërore dëshmon më së miri se shpresa e përmirësimit akoma s'është shuar.

Ndasitë që ndodhën, duke filluar nga BDI-ja ku u shkëput një pjesë mjaft serioze në krye me Izet Mexhitin dhe së fundmi ajo te Aleanca për Shqiptarët në krye me Arben Taravarin, tregon vendosshmërinë e këtyre personaliteteve se ata janë të vendosur për zgjidhjen e brengave të qytetarit dhe ecjen e suksesshme të proceseve të vendit, qëllimi kryesor i së cilit është integrimi në Bashkimin Evropian.

Fatkeqësisht, ata që e dëshirojnë pushtetin qoftë edhe në një qeveri teknike, pranojnë pa hezitim që të emërohen me poste të ndryshme dhe kjo dëshmon se ata kanë një bashkim në pushtet. Andaj, edhe opozita shqiptare nuk mund të konsiderohet si ndarje dhe shkëputje, por bashkim opozitar të cilën realisht e kërkonte edhe vetë lideri i BDI-së. Naracioni i BDI-së për koalicionin opozitar shqiptar Lidhja Evropiane për Ndryshim ishte se një bashkik i tillë nuk mund të ndodh dhe pasi ndodhi, reagimi vijues ishte se kjo lidhje nuk do mbijetojë gjatë.

Ata që nuk e kanë gjetur veten në këtë tabor të opozitëd shqiptare, janë larguar vetvetiu dhe nuk ekziston asnjë dyshim që tani më janë dy blloqe politike tek shqiptarët. Kështu që, sa i përket asaj se ky koalicion opozitar do jetë i qëndrueshëm edhe pas zgjedhjeve, dëshmon synimi i bashkimit për sjelljen e ndryshimit në vend dhe jo për arritjen e pozitave qeveritare.

Pra, thënë përfundimisht, koalicioni LEN do jetë forca e duhur politike e cila do mundësojë që institucionet shtetërore të jenë në shërbim të duhur të shqiptarëve të këtij vendi, e jo akoma të kemi ngecje në arsim dhe ekonomi ku edhepse ministrat e këtyre dikastereve janë shqiparë, ata sërish po dështojnë tani e ca vite në realizimin e disa të drejtave bazike për shqiptarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat