Pozita e Kosovës me zgjedhjet evropiane dhe amerikane?

Opinione

Pozita e Kosovës me zgjedhjet evropiane dhe amerikane?

Nga: Sherif Ramabaja Më: 25 shkurt 2024 Në ora: 21:26
Sherif Ramabaja

Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla u shfaqën dhëmb për dhëmb me Serbinë, i pëlqeu kjo bashkësisë ndërkombëtare apo jo.

Së fundi ndodhi edhe çështja e dinarit e cila u ndërkombëtarizua, me fajin apo pa fajin e qeverisë Kurti. Kjo si duket i preku edhe raportet me SHBA, që s´ishte aspak lajm i mirë.

 A ekzistonte mundësia që Kurti ta shmangte një përplasje të tillë me SHBA dhe EU, mbetet çështje tjetër, por strategjia është ndryshe, e cila e përjashton egoizmin. Dinari deshëm apo s´deshëm është bërë prioritet, kurse Banjska e cila rëndonte  mbi qafën e Vuçiqit, ka filluar të relativizohej.

Një tjetër preokupim aspak i lehtë për Kosovën duhet të jenë zgjedhjet evropiane në EU këtë vit, po edhe ato amerikane për zgjedhjen e presidentit që do të mbahen në nëntor.

Në zgjedhjet evropiane pritet që dy ndërmjetësuesit Kosovë – Serbi, Borrell dhe Lajcak, me të cilët Kosova aspak s´ishte e kënaqur, t´i marrin valixhet nga skena politike evropiane.

Pyetja është se cilët do t´i zëvendësonin, kur dihet që e djathta (ekstreme) në tërë perëndimin është drejt marshimit.

 Po hyri Kosova në zgjedhje dhe po i fitoi ato prapë Kurti, (që radhitet në të majtën), si do t´ia dal me spektrin politik, të djathtën evropiane, kur dihet që një pjesë e tyre përputhet plotësisht me idetë e Putinit për një Rend të Ri Botëror, forcimin e shteteve nacionale, dominimin e shteteve të fuqishme dhe nënshtrimin e kombeve dhe shteteve të vogla.

Po këto teza i ka edhe Trump, i cili pritet t´i fitoi zgjedhjet në nëntor të këtij viti. Trumpin vetëm nëse e ndalin proceset gjyqësore, apo vdekja e papritur,  përndryshe s´ka kush që e ndal. Nikki Haley për këtë qëllim nuk po tërhiqet nga garat, duke shpresuar se nëse atij i ndalohet kandidatura, kjo do të ishte një nga konkurrentet kryesore.

Pra zgjedhja e Trumpit dhe e djathtës evropiane do ta vështirësonin pozitën e Kosovës, ndoshta edhe më keq se me Borrell dhe Lajcak, të cilët nuk na përgjigjeshin aspak.

Po ashtu shtrohet pyetja se cila parti opozitare do t´i përgjigjej të djathtës evropiane dhe Trumpit, të cilët do të ishin edhe më dorëlirë ndaj Serbisë, e cila qëllimisht po e pengon marrëveshjen përfundimtare, duke i pritur këto zgjedhje, por edhe bilancin e luftës Rusi – Ukrainë.

Nga Kosova për një marrëveshje të tillë sipas EU dhe Trumpit, në mungesë të thaçit, përgjegjësinë do ta merrnin Ramush Haradinaj, Avdullah Hoti, Isa Mustafa, Pacolli, Limaj, Krasniqi, Abdixhiku etj. po problemi do të ishte se si do t´i fitonte zgjedhjet opozita me këto figura, të cilët nuk e kanë besimin e elektoratit.

Në anën tjetër po i fitoi zgjedhjet sërish Albin Kurti, presioni do të shtohet mbi te, ose të dorëzohet, ose të tërhiqet pa kushte.

Një përgatitje dhe përpunim i një strategjie për një rast të tillë, ndoshta do ta ndihmonte Kurtin dhe Kosovën, në mënyrë që mos të rrëshqitet edhe njëherë ngjashëm, sikurse me dinarin tash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat