Satirë nga Sherif Ramabaja: Vuçiqi edhe astrolog, parashikon se në cilat data do të hapet ura!

Opinione

Satirë nga Sherif Ramabaja: Vuçiqi edhe astrolog, parashikon se në cilat data do të hapet ura!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 11 gusht 2024 Në ora: 20:01
Sherif Ramabaja

Hapet ura, s´hapet ura. Janë titujt e portaleve të ndryshme, mediave, emisioneve televizive, radiove, politikanëve lokal, vendor, qendror, rajonal, qeveritarëve, ambasadorëve të akredituar në Kosovë, përfaqësuesit e QUINT- it, institucionet e EU, SHBA, NATO, KFOR- it etj, etj.

U organizua edhe inspektimi i urës, sepse me vite s’kishte kaluar kush mbi te. Nuk dihej se a do t´i përballonte këmbësorët, biçiklistët, motoristët, kalorësit, atletët, nxënësit, studentët, mësuesit, priftërinjtë, pastorët, hoxhallarët, mjekët, infermierët, tregtarët, dentistët, muratorët, bankierët dhe të gjitha kategoritë e njerëzve.

Testimi me këto kategori kishte zgjatur me ditë të tëra, po nuk dihet se a do të zhvillohej edhe ndonjë testim me kategoritë nga bota e shtazëve. Pra nuk ishte i njohur reagimi i urës, me ekzibicionet e fenomeneve njerëzore.

Derisa kryheshin testimet, u kryen edhe renovimet e urës dhe ambientit rreth saj. Pati edhe ndërhyrje të organeve të rendit, sepse të gjithë nuk ishin të kënaqur me ecurinë dhe me eksperimentimet që kryheshin.

Disave u pëlqente status quo, apo më mirë të thuhet se Autistëve nuk u pëlqejnë ndryshimet. Ata duan që gjithçka të jetë ashtu siç ata e njohin më parë. Çdo ndryshim paraqet vështirësi për ta.

Ndoshta ishte rasti i tillë edhe për ata që reagonin, ndryshimet që i vërenin me urën dhe rreth saj.

Derisa kryheshin këto procese u zhvilluan diskutime dhe pat edhe reagime, sidomos nga Stano, i cili çdo pordhë të Serbisë e komenton dhe e vlerëson.

Me interesim u prit edhe reagimi i Vuçiqit, sepse proceset në Ballkan nuk lëvizin pa bekimin e tij.

Vuçiqi ishte afirmuar që nga koha e shefit të tij Millosheviqit, duke e kryer detyrën e zëdhënësit, informimit dhe propagandës në qeverinë e tij.   

Vuçiqi aty i kishte marr hapat e parë në këtë profesion delikat dhe ishte shquar duke e lozur rolin e ministrit të dezinformimit të luftës.

Këtë profesion Vuçiqi po e ushtron edhe tash, së bashku edhe me postin e presidentit të shtetit.

Jemi mësuar që Vuçiqin ta shohim në të gjitha rolet, atë të viktimës, uljes në dy e më shumë karrige, mbrojtjes së Serbisë dhe popullit serb, prokurorit kur është në pyetje ta akuzoj Kurtin, shqiptarët dhe Kosovën, racistit kur janë në pyetje shqiptarët, autokratit, kriminelit me automatik në dorë gjatë katër luftërave, mohuesit të gjenocidit në Bosnje dhe Kosovë, gënjeshtarit, manipuluesit, mashtruesit etj. etj. po nuk ishim mësuar që ta shohim edhe rolin e astrologut.

Pra derisa po diskutohet për hapjen e urës, Vuçiqi tash doli edhe me prognozën e tij të astrologjisë, duke deklaruar se ura do të hapet me 14 ose 15 gusht.

Të gjithë mbetën gojëhapur. Askush nuk mund të prognozonte se kur do të vendosin Albin Kurti dhe Vjosa Osmani mbi hapjen e urës, apo do ta lënë që kjo të rrjedh në qetësi, pa hapje zyrtare.

Megjithatë astrologu Vuçiq i befasoi të gjithë. Duhet ta presim prognozën e tij. Bota i pret parashikimet astrologjike të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat