“Paradoksi Ballkanik”- Rusia dobësohet, kurse Serbia aleate e Rusisë forcohet

Opinione

“Paradoksi Ballkanik”- Rusia dobësohet, kurse Serbia aleate e Rusisë forcohet

Nga: Qani Nuhiu Më: 7 shtator 2024 Në ora: 22:33
Qani Nuhiu, politolog 

-Evoluimi dhe ndryshimet në marrëdhëniet  ndërkombëtare

-“Paradoksi  Ballkanik” (?)

-Faktorët që kanë sjellë deri tek “Paradoksi ballkanik”

-Deklarata e Samitit të NATO-s në Uashinton  9-11 korrik 2024

-Hapat e nevojshëm për përmirësimin e pozitës diplomatike,  ndërkombëtare edhe negociuese të Kosovës

-Për Kosovën  dhe Shqiptarët  përkatësia politike  e përhershme perëndimore dhe aleanca me SHBA e Britaninë e Madhe nuk  kanë alternativë

 1.Evoluimi dhe ndryshimet në marrëdhëniet  ndërkombëtare

Karakteristikë kryesore e marrëdhënieve ndërkombëtare është se, raportet dhe aleancat midis shteteve i ndjekin interesat e shteteve. Që do të thotë se marrëdhëniet ndërkombëtare nuk  janë kategori statike dhe e pandryshueshme, por evolutive, në lëvizje dhe ndryshim  të përhershëm. Prandaj aleancat dhe marrëdhëniet mes shteteve vazhdimisht duhet t’u përshtaten  rrethanave, zhvillimeve dhe specifikave të kohës. Nuk ka aleanca që mbijetojnë nëse ato vazhdimisht  nuk kultivohen e nuk i përshtaten realitetit,  nëse dëshirohet që ato të jenë të përhershme.

Nëse e  analizojmë me kujdes gejndjen e përgjithshme në marrëdhëniet ndërkombëtare  vijmë në konstatimin se: 
           -e para; Gjeopolitika në marrëdhëniet ndërkombëtare ndryshon  shumë dhe me ritëm të shpejtë; dhe 

-e dyta; Politikat sovraniste të shteteve kanë evoluar, ato nuk janë më si dikur në kuptimin e plotë të fjalës.

 

-Gjeopolitika ndryshon  shumë dhe me shpejtësi: Në botën bashkëkohore dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare gjeopolitika ndryshon shumë dhe shpejt. Ndërkaq aleancat  vijnë dhe ndryshojnë si pasojë e evoluimit në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të  ndryshimit të interesave të shteteve, grupeve të shteteve, etj.

 

 -Politikat sovraniste të shteteve kanë evoluar: Në konekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare bashkëkohore pothuajse më nuk egzistojnë politika sovraniste, të tipit klasik, ku shtetet sjellin vendime vetë dhe për vete. Ashtu  politika vendimmarrëse  tashmë ka shumë  rrallë edhe ato ose janë shtete që nuk kanë ndonjë relevancë  të veçantë në arenën ndërkombëtare ose janë diktatura e hunta ushtarake të izoluara.

Prandaj edhe bashkëpunimi dhe koordinimi me shtetet tjera e në veçanti me aleatët strategjik është gjithsesi i nevojshëm.

 

 

2."Paradoksi Ballkanik"(?)

 

Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, me titull:  “Kthimi i Trumpit apo fitorja e Harrisit? Ballkanin mund ta presin ndryshime”,  mes tjerash, flet edhe në lidhje me Ballkanin Perëndimor, kur ai deklaron deklaron se: “Pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Perëndimi është më i fuqishëm dhe  më i bashkuar dhe Rusia është më e dobët dhe më e izoluar, ndërsa situata në Ballkan është përkeqësuar. Ky është paradoksi ballkanik”, thotë Joseph.

Lidhur me Ballkanin më tej  Edward P. Joseph, deklaron se: “Nëse më pyesni se çfarë do të duhej të bënte Harris... ajo duhet t’i shqyrtojë me kujdes vështirësitë që ka pasur administrata Biden dhe të përballet me - siç e kam quajtur unë në shkrimet e mia - paradoksin ballkanik. Ajo duhet të përballet me paradoksin ballkanik.

E, çka është paradoksi ballkanik? Pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Perëndimi është më i fuqishëm dhe më i bashkuar dhe Rusia është më e dobët dhe më e izoluar, ndërsa situata në Ballkan është përkeqësuar. Ky është paradoksi ballkanik. Pse situata në Ballkan është përkeqësuar kur Perëndimi është më i fortë dhe më i bashkuar dhe Rusia është më e dobët dhe më e izoluar? Pse raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë edhe më të përkeqësuara? Pse situata e brendshme në Serbi është përkeqësuar? Pse janë përkeqësuar raportet mes Serbisë dhe Malit të Zi? Pse janë përkeqësuar raportet mes Serbisë dhe Kroacisë?... Kamala Harris dhe këshilltarët e saj do të duhej të përballeshin me paradoksin ballkanik. Dhe, ndryshe nga zyrtarë të lartë të administratës Biden, ata duhet të ndalojnë së pretenduari se ai nuk ekziston.”    (Shih: www.evropaelire.org/a/kthimi-i-trumpit-apo-fitorja-e-harrisit-ballkanin-e-presin-ndryshime-/33094407.html ).   

Arsyeja pse e citoj Edward P. Joseph, është se (sipas vlerësimit tim) shumë saktë e ka përkufizuar gjithë atë që është duke ndodhur në Ballkanin Perëndimor, për raportin e Serbisë kundrejt Kosovës e të gjithë shteteve tjera fqinje, për konceptin  e “botës serbe”, ambicjet dhe rolin destabilizues të Serbisë, etj. 

Realisht, është e vështirë për ta kuptuar qasjen e Perëndimit (Unionin Evropian dhe shtetet e QUINT-it) e në veçanti SHBA, për qëndrimin aktual “mirëkuptues” që mbajnë ndaj Serbisë, për  rolin e saj Ballkanin Perëndimor e më gjërë, prandaj nocioni "Paradoksi Ballkanik" është shumë adekuat për përshkrimin e situatës që mbizotëron tash e disa vite.

Diplomatët amerikan si Metju Palmer, Richard Grenell, Gabriell Escobar, Chris Hill, Jeffrey M.Hovenier, James O,Brian, në deklarata shpeshherë kanë qenë në kontradiktë me njëri tjetrin, që është absurd i llojit të vet.

         Pra, esenca e “Paradoksit ballkanik” është se Rusia dobësohet,ndërsa  Serbia që është aleate me Rusinë forcohet.

 

 

3.Faktorët që kanë sjellë deri tek “Paradoksi  Ballkanik”

 

             Mund të përmendim disa fakte që mund të kenë ndikuar tek qëndrimi  i  tillë i aleatëve perëndimor:

 

       1.Mosuniteti i subjekteve politike pozitë-opozitë në Kosovë dhe  përçarja e subjekteve politike pozitë-opozitë në Tiranë, të paktën  për çështjen e Kosovës;
       2.Ftohja e raporteve ndërqeveritare Tiranë-Prishtinë;

       3.Roli i qeverisë së Shqipërisë  duket të jetë neutral, jo në përkrahje më agile  të çështjes së Kosovës; 

       4.Bartësit e dialgut në kuadër të  EU-së vijnë nga dy shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, çështja është sa ata mund të jenë objektiv; 

       5.Tendenca për krijim të “Mini-shengen”/“Open Ballkan”) solli tek relativizimin i çështjes së normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi;

       6.Dialogun e udhëheq Unioni Evropian dhe dalja e Britanisë së Madhe e dobësoi pozicionin dhe ndikimin a saj në UE;

       7.Dobësimi i lobit shqiptar në Amerikë;
       8.Lufta në Ukrainë ndryshoi balancat gjeostrategjike;
       9.Fuqizimi i lobit serb e rus në SHBA;
      10.Shitja e armëve Ukrainës nga Serbia;
      11.Marreveshjet gjeoekonomike dhe gjeopolitike të Gjermanisë dhe Francës  me Serbinë:

           a) Marreveshja  litiumit (Vuçiq-Sholc);  

           b)Vizita e Macronit (29-30 korrik 2024);
      12.Fokusimi i shteteve perëndimore  te lufta luftës Rusi-Ukrainë;

      13.Fokusimi i shteteve perëndimore (në veçanti SHBA)  te lufta Hamas-Izrael;

      14.Fokusimi i SHBA te kontesti Kinë-Taivan, etj.

 

Pra, këto janë disa nga shkaqet që e dobësuan pozicionin ndërkombëtar diplomatik e dialogues të Kosovës.  

 

 

             4.Deklarata e Samitit të NATO-s në Uashinton  9-11 korrik 2024

Në Shtetet e Bashkuara  është mbajtur  Samiti i NATO-s 2024, më 9-11 korrik 2024, në Uashington, DC, duke shënuar 75-vjetorin historik të Aleancës.

Ky samit u përqendrua në çështje të ndryshme të sigurisë dhe mbështetje për Ukrainën, si dhe në forcimin e marrëdhënieve mes anëtarëve të aleancës. 

Ndërkohë që ajo çka u vu re ishte, që në Deklaratën e Uashintonit mungonte një fjali që ishte shumë esenciale, e cila vetëm një vit më parë figuronte  në Deklaratën e Vilnusit. Konkretisht  për herë të parë nuk theksohet se “raporti ose forcimi i raporteve të NATO-s me Serbinë do të ishte në dobi të Aleancës, Serbisë dhe rajonit”. Pra, për herë të pare ndodh një gjë e tillë, që nuk përmendet rëndësia e raporteve të NATO-s me Serbinë.

Sipas informacioneve nga Samiti, kjo ka ndodhur për arsye, sepse NATO tani e ka kuptuar dhe të paktën e ka parë se Serbia e luan rolin e Rusisë dhe çfarë ne kemi ndëgjuar se gjatë luftës në Ukrainë Serbia i ka vënë në shërbim disa nga spiunët e saj apo agjentët e saj,  që paraprakisht i ka të infiltruar brenda  strukturave të Bashkimit Evropian dhe në  disa nga organizatat tjera ndërkombëtare ku NATO  dhe aleatët e  saj i kanë kapur dhe i kanë identifikuar dhe kanë parë me fakte që Serbia po luan një rol të dyfishtë, nga njëra anë në publik dëshiron  që të bëjë marrëveshje, don që të sillet si shtet evropian, por nga ana tjetër luan rolin e Rusisë dhe mbështet Rusinë në të gjithë politikën e saj të jashtëme që ajo po bën përsa i përket destabilitetit që krijon, por edhe përsa i përket konfliktit  që ajo ka me Perendimin.  Të dhënat flasin se prej kur ka filluar lufta fluturimet janë shtuar mbi   15 herë nga Moska në Serbi,  shumë prej tyre të rinjve, mbi 200 000 kanë ardhur dhe jetojnë në Serbi ku, siç thuhet, vazhdojnë veprimtarinë e tyre ekonomike, por ka mundësi të merren edhe me aktivitete tjera të dyshimta.  

                                        

     5.Hapat e nevojshëm për përmirësimin e pozitës diplomatike,  ndërkombëtare edhe negociuese të Kosovës
 

         Në dobi të Kosovës është, rikthimi i pozitës së  saj në pozicionin e mëparshëm në skenën ndërkombëtare.

         Për këtë çështje, është e nevojshme së pari të hartohet një platformë shtetërore, të ndërtohet nji strategji zbatimi  dhe të ndërmerren veprime dhe hapat e duhura për përmirësimin e pozitës diplomatike dhe negocuese të Kosovës,  së pari  brenda në vetë Kosovën dhe pastaj të koordinohen me Shqipërinë dhe të forcojë pozicionin e saj ndërkombëtar.

 Hapat që duhet të ndërmerren janë:

1.Përmirësimi i raporteve dhe unifikimi i qëndrimit pozitë-opozitë në Kosovë, për çështje shtetërore;


2.Miratimi i një strategjie dhe platforme të përbashkët në Kuvendin e Kosovës;

 

3.Përmirësimi i raporteve pozitë-opozitë në Tiranë për çështjen e Kosovës;


4.Miratimi i një rezolute nga Kuvendi i Shqipërisë, për perkrahjen diplomatike të shtetit të Kosovës;  


5.Përmiresimi i raporteve qeveritare Shqipëri-Kosovë;

6.Fuqizimi dhe profesionalizimi i kapaciteteve diplomatike të Kosovës dhe koordinimi me diplomacinë e Shqipërisë;
 

7.Riaktivizimi dhe fuqizimi i lobizmit shqiptar në Amerike (angazhimi i lobistëve me përvojë dhe të dëshmuar);

8.Diskutimi i hapur, transparent e miqësor me SHBA dhe aletatët tjerë për mospërputhje eventuale të qëndrimeve dhe tejkalimi i divergjencave me mirëkuptim;

            9.Investimi politik në të dyja krahet e politikës amerikane (republikan e demokrat);

            10.Kushtëzimi nga votuesit shqiptar për zgjedhjet  presidenciale në SHBA (me aq potencial sa kanë) me perkrahjen e tyre per Kosovën;

            11.Forcimi i raporteve edhe më fuqishëm  i Kosovës me Britaninë e Madhe;


            12.Angazhimi i drejpërdrejtë i SHBA dhe Britanisë së Madhe, si partnerë të UE-së në dialog me Serbinë;


            13.Forcimi i raporteve dhe lidhja e aleancave rajonale strategjike mbi bazën e interesave të përashkëta me Kroacinë, Malin e Zi, Italinë  dhe aq sa është e mundur me Bosnjë e Hercegovinën. Pra, krijimi i  “rrethit strategjik rajonal”;

             14.Koordinimi i politikave me aleatët strategjik, jo për qëllimet, pasi në qëllimet nuk dallojmë, por koordinimi për momentin dhe mënyrën e veprimit,etj.

 

 

      6. Për Kosovën  dhe Shqiptarët  përkatësia politike e përhershme perëndimore dhe aleanca me SHBA e Britaninë  e Madhe nuk kanë   alternativë

 

Shqiptarët kursesi, në asnji rrethanë,  nuk duhet politikisht të  distancohen nga bota perëndimore, për arsye se  janë pjesë organike e identitare e asaj kulture dhe civilizimi. Pra, identitetin e kanë tërësisht perëndimor, i kanë dhënë dhe akoma i japin shumë kulturës dhe civilizimit perëndimor. Pastaj, Perëndimi është avangarda e progresit në botë dhe vetëm shtetet perëndimore si SHBA, Britania e Austria (me gjithë oscilimet që kanë ndodhur gjatë historisë)  i kanë kontribuar kombit Shqiptar dhe krijimit të shteteve të Shqipërisë e Kosovës.

Edhe në situate kur ka divergjenca të caktuara,  si ato të viteve të fundit në mes Kosovës dhe shteteve të QUINT-it, veçanërisht të SHBA, ato janë të tejkalueshme, pasi nuk bëhet fjalë për dallime në filozofi e në koncepte politike ose në vlera e parime, por dallimet zakonisht janë në strategji dhe mënyrën e realizimit. Prandaj edhe divergjencat në politikbërje. duhet kuptuar si të natyrshme.        

Për Kosovën  dhe Shqiptarët përkatësia e përhershme  perëndimore dhe aleanca me SHBA e Britaninë e Madhe nuk kanë   alternativë.  

Shqiptarët kursesi nuk duhet të largohen nga vija politike e gjeostrategjike perëndimore, në veçanti ajo anglo-sanksone.

Nuk mjafton vetëm të përmendet se “Me SHBA kemi aleancë të përjetëshme”, por ajo aleancë pandërprerë dhe intensivisht duhet të kultivohet, të avancohet edhe më tej në mënyrë që të jetë edhe më efektive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat