Personaliteti i dr. Ibrahim Rugovës, do të ishte një ndër të rrallët e rasës tonë, të një vizionari dhe atdhetari që nuk do e lind më nëna shqiptare, i cili hyri jo rastësisht në historinë e kombit shqiptar dhe kombeve tjera, si një udhërrëfyes dhe strateg i lëvizjes dhe luftës paqësore.
Dhe më herët se viti 1990, dhe deri në periudhën e vitit 1999, do të tregonte më së miri lëvizjen dhe aktivitetin e lidershipit shqiptar, i cili vepronte paralel në kohën e okupimit dhe regjimit të egër serb, si dhe përballjet me rebelimet e disa shërbëtorëve shqiptarë, që ishin bërë “argat” të armikut, dhe si kundërshtar të frymës dhe filozofisë rugoviane.
Rugovizmi tani më bëhet edhe si koncept shkencor dhe historik i lëvizjes së shqiptarëve për liri, demokraci dhe pavarësi, i udhëhequr nga dr. Ibrahim Rugova, që zgjon një interesim të madh publik në vend dhe më gjerë, duke u përkrahur nga masa e madhe popullore.
Rugovizmi për shqiptarët ka rëndësi të madhe, po ashtu edhe për gjithë botën e civilizuar, sepse këtu kuptojmë lëvizjet e një komuniteti njerëzor në kushte të vështira ekonomike dhe politike nga një regjim i egër, siç ishte komunizmi dhe sistemi sllav, dhe në këtë ambient kjo lëvizje me filozofinë e saj paqësore i rezistoi një agresori të rrezikshëm.
Ndërkaq, lloji i individëve që krekosen sot në disa parti politike, si dhe në mesin e vet të partisë së LDK-së, të cilën presidenti Rugova e themeloi, që mundohen ta pronësojnë filozofinë rugovjane, që kur ishte gjallë presidenti Rugova, nuk e deshën fare dhe ia kurdisën kurthat disa herë presidentit të ndjerë, por për fat të keq në ato kurtha ata ranë vet.
Synimet i shqiptarëve përmes lëvizjes rugoviane së bashku me ideatorin e saj dr. Ibrahim Rugova, ishin të fokusuar ta ngjallin identitetin e vet ashtu sikur edhe kombet tjera të botës, që të çlirohen nga dhuna dhe të formojnë shtetin e tyre të pavarur, një çështje që ishte në kushte dhe rrethana të rrezikshme, ku mund të ndodhte edhe zhdukja e kombit shqiptarë nga regjimi i atëhershëm i Millosheviqit.
Ideologjia e dr. Ibrahim Rugovës, e fitoi besimin pothuaj edhe te të gjithë popujt tjerë të botës demokratike e civilizuese, në veçanti në vendet perëndimore sikur te SHBA-të, të cilët u interesuan dhe iu përkushtuan më së shumti çlirimit të Kosovës.
Përpjekjet e dr. Ibrahim Rugovës, ishin që të krijohen marrëdhënie të mira me gjithë popujt e demokratizuar të perëndimit, të ndërtohen raporte të mira ndërnjerëzore dhe miqësore, të cilat raporte do të funksiononin në kohët më të vështirë që kishte Kosova.
Veprimtaria politike e dr. Rugovës ishte thellësisht nacionale dhe e mbështetur mbi vlerat e demokracisë dhe lirisë njerëzore. Politika e presidentit Rugova, ishte politikë paqësore, e cila kishte dhe një dozë të rëndësishme politike strategjike, për faktin se gjithëherë synonte ta ruaj strukturën nacionale të popullit shqiptarë në Kosovë.
Presidenti Rugova, e kishte formuar këtë strategji, sepse e dinte fare mirë dhe i kuptonte qëllimet e okupatorit serb dhe kurthat që i përgatiti për shqiptarët, duke ditur se forcat e agresorit ishin më të përgatiturat në Ballkan për luftë, dhe vetëm një fuqi e madhe siç e kishte paramenduar Rugova, do të ishte fuqia e NATO-s, e cila mund ta shkatërronte, apo ta zbuste një “egërsirë” të tillë, siç ishte ushtria dhe paramilitarët e Millosheviqit.
Sot i kemi borxh gjithë shqiptarët këtij burri të madh të kombit, jo vetëm që të ia kthejmë presidentit Rugova pamjen e viganit me ndonjë përmendore, por këtij njeriu të madh të kombit i kemi borxh, që mos të ia humbim vlerat universale që kishte ky njeri paqësor, për Kosovën dhe popullin pa dallim.
Edhe atëherë në kohën e presidentit, por edhe sot kemi plotë prej atyre edhe nga rrethi i ngushtë i LDK-së, që në emër të presidentit Rugova, mbajnë fjalime e ligjerata pa ndonjë koncept “rugovian” duke u mburrur në emër të tij, vetëm për përfitime personale dhe partiake, që në realitet këta janë njerëz me “dyfytyra” dhe falsifikator të “rugovizmit” të vërtetë.
Presidenti Rugova, nuk e deshi këtë lloj të njerëzve asnjëherë, të cilët ditën paraqiteshin si “pishë” dhe natën bëheshin “këmishë”, por ai ishte shumë tolerant dhe unifikues me udhërrëfimet e tij, i cili fitonte në këtë mënyrë miqë të vërtetë të brendshëm, por edhe të jashtëm.
Parimet e “rugovizmit” janë parime universale, që mund t’i afrojnë palët me njëra-tjetrën, pa marrë parasyshë dallimet partiake dhe klanore, nëse ato parti, apo persona nuk kanë qëllime të keqpërdorimit dhe të krijimit të ndonjë përmbajtje të pa këndshme dhe të pa ndërgjegjëshme, duke u fshehur pas një fenomeni të rrezikshëm, sepse vetvetiu do të bien në kurthet e veta.
Shumë njerëz të mëdhenj të botës, dr. Rugovën, e quajtën si një njeri me mendje të mprehtë, që kishte shpirt durimi dhe besimi, sepse madhështia e tij ishte e tillë, e urtë dhe e butë, e mençur dhe fisnike. Ai e ruante optimizmin dhe vizionin përballë gjërave të vrazhda, dhe sipas natyrës së tij qeshte, duke i mundur armiqtë me buzëqeshje dhe duke i goditur në këtë mënyrë prej së largu.