Diaspora e Skenderajt: 30% votuan LDK, a po shembet bastioni i PDK-së?

Opinione

Diaspora e Skenderajt: 30% votuan LDK, a po shembet bastioni i PDK-së?

Nga: Faton Mehmeti Më: 5 mars 2025 Në ora: 09:20
Autori Faton Mehmeti

Skenderaj, që nga paslufta ka qenë gjithnjë bastion i PDK-së, dhe kështu është ende. Por duket se drenicasit që jetojnë jashtë vendit mendojnë dhe votojnë ndryshe nga ata që jetojnë në Drenicë. Shembull konkret është LDK, e cila në Skenderaj nuk ka gëzuar mbështetje, duke marrë gjithnjë vetëm 1 deri në 2% të votave. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka marrë vetëm 419 vota në gjithë komunën e Skenderajt, që përkthehet në 1.94% të votave totale. Megjithatë, votimi përmes postës ka ndryshuar ndjeshëm këtë rezultat. Nga diaspora, LDK ka marrë 497 vota, duke përbërë 29.69% të votave të dërguara me postë. Ky rezultat tregon një mbështetje të madhe të diasporës për LDK-në në krahasim me votën brenda komunës.

Parashtrohet pyetja pse ndodh një gjë e tillë, a është vetëdija e drenicasve që jetojnë jashtë vendit ndryshe nga ata që jetojnë në Kosovë, apo janë interesat e ngushta të njerëzve këtu që ndikojnë në rezultatin ekzistues? Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë të vështira për t'u dhënë, pasi nga rrethanat dhe faktorët e ndryshëm, duke përfshirë edhe "të fortët" që kontrollojnë Skenderajn, mund të lindin përgjigje të ndryshme.

Megjithatë, mund të them me siguri të madhe se njerëzit, kur janë të lirë dhe nuk janë të varur dhe të varfër, votojnë më drejt dhe më mirë se ata që janë të varur dhe të varfër, dhe rrjedhimisht, të kushtëzuar. Kjo mund të shpjegojë që qytetarët e Skenderajt mund të mos kenë mundësinë e reflektimit të vërtetë.

Ka kohë që Drenica duhet të ndryshojë votën. Fatkeqësisht, ata që u kanë besuar votën nuk kanë punuar për të mirën e qytetarëve. Jam i bindur se me kalimin e kohës, jo shumë Drenica më nuk do të jetë bastion i PDK-së dhe i njerëzve të saj "të fortë", por do të bëhet bastion i qytetarëve të lirë, të pa-varur nga ata që kontrollojnë qytetin dhe fatin e qytetarëve të tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat