Kosovën e çliroi NATO, por duket se duhet ta mbrojnë shqiptarët!

Opinione

Kosovën e çliroi NATO, por duket se duhet ta mbrojnë shqiptarët!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 16 mars 2025 Në ora: 14:05
Foto ilustrim

Trump J. para disa ditësh ishte në Beograd. Takoi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe bisedoi disa orë me të. Vuçiq duhet të ketë qenë vërtet shumë i lumtur për këtë takim. Dhe deri në këtë pikë nuk kisha asnjë arsye për t’u shqetësuar. Në fund të fundit administrata amerikane bën politikën e saj, besoj sipas interesave dhe strategjive që ka. Por, duhet të dijmë se interesat e Amerikës mbrohen përmes strategjive alternative. Alternativa strategjike e administratës së Donald Trump tashmë ka ndryshuar. Kjo e shpjegon vizitën e Trump J në Serbi. Vizitë e cila nuk mund të mos përcillej pa dilema e pa dyshime të caktuara për “lëshimet” që mund t’i bëhen Serbisë në Kosovë e pse jo edhe në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi e Maqedoninë e Veriut.

Pikëpyetjet u shtuan kur pamë intervistën e presidentit serb në Podcastin e Junior Trump. Në sfond harta e rajonit. Kosova pjesë e Serbisë. Kjo është pamja formale, por që shpreh një përmbajtje të thellë. Më pas mediet bënë me dije se “Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte një aksion për të mënjanuar vëmendjen nga skandali “Lewinski – Clinton”! Dmth se ajo ndërhyrje, sipas mendimit që po përhapet, nuk paska qenë legjitime, as e bazuar në ligjin ndërkombëtar. Për rrjedhojë, 16 mijë viktimat e Kosovës duke bashkuar me to edhe të zhdukurit, “nuk paskan ndodhur”! Paskan qenë rrena mbi 100 masakra të Serbisë dhe të Milosheviçit kundër shqiptarëve në Kosovë! Rrenë paskan qenë edhe djegjet, një milion refugjatët, 20 mijë përdhunimet, e gjithçka tjetër.

Sipas narrativës që po nis të krijohet, fajtorë për luftën e Milosheviçit qenkan shqiptarët. Edhe ish-presidenti amerikan, Bill Clinton. Por do të duhet që të shpallet armik i Amerikës gjithashtu George Ë. Bush, sepse e shpalli Kosovën shtet të pavarur e sovran gjatë vizitës së tij në Tiranë atë qershor të vitit 2007. Megjithatë nuk e dimë se pse Bush J e shpalli Kosovën shtet të pavarur? Me atë nuk pati ndonjë skandal. Ah po! Bush ishte për zgjerimin e NATO-s deri përtej Dnjeprit. “Ka provokuar Rusinë”! Por nuk qe dakord Merkel. Prandaj Bush mund të shpallet heretik.

Nëse vazhdon narrativa e zhbërjes së Kosovës, atëherë shtetin e Kosovës kësaj radhe duhet ta bëjnë vetë shqiptarët. Sepse Lewinski është harruar e bashkë me të edhe Bill Clinton do të harrohet. Të 19 vendet e NATO-s, kur morën vendimin e bombardimeve kundër Serbisë, u droguan dhe vendosën njëzëri për ndërhyrje ushtarake në Kosovë. I paska manipuluar presidenti i SHBA-ve. Në fakt bombardimet ishin produkt i lobit izraelit në SHBA me Albright në krye. Por Trump Junior thotë se “ishte për shkak të skandalit “Leëinski”! Kjo narrativë është shumë serioze. Kush e nënvleftëson, ai gabon rëndë.

Narrativa e dalë tashmë sheshit është paralajmërim për ne. Mundet që të përballemi me një përpjekje serioze për ta zhduk edhe de facto Kosovën nga harta politike. Në këto kushte duhen propozuar masa konkrete parandaluese. Eshtë mirë që për këtë të bëhemi të vetëdijshëm. Hapi i parë lidhet me pranimin. Ndoshta është heret, por nëse jo publikisht, në prapaskenë duhet të ndodhë pranimi. Pra që mundësia e lëshimeve ndaj Serbisë është reale dhe se këto lëshime çojnë në zhbërjen e shtetit të Kosovës. Lëshimet amerikane ndaj Beogradit mund të vijnë edhe si rezultat i marrëdhënieve ndryshe të Uashingtonit me Moskën, madje si kërkesë e Kremlinit. Amerikanët e sotëm mund të duan që Ballkanin Perendimor ta ndanin me Rusinë dhe jo me Europën. E për këtë mund të bëhen përpjekje për krijimin e Serbisë së Madhe.

Por duke kaluar te vetëmbrojtja është mirë të mirëmendohet gjithçka. Më së pari që të kontaktohen autoritetet më të larta amerikane dhe t’u thuhet se pse ishte e drejtë ndërhyrja e NATO-s dhe pavarësia e Kosovës. Më pas duke krijuar një koalcion shumë të madh për qeverisjen e vendit përmes një dikumenti ku merret përsipër detyra kryesore, mbrojtja me çdo kusht, me çdo mjet dhe në çdo rrethanë e shtetit dhe territorit të Kosovës. Një qeveri e përbashkët krijon mundësi fitoreje në përballjen politike dhe diplomatike. Më pas kjo lloj qeverisje bëhet më e besueshme në projektin e Kosovës së pavarur. Jo vetëm kaq, por ajo fiton legjitimitet të plotë edhe kur të vijë koha për të paralajmëruar mbrojtjen e Kosovës e territorit të saj me luftë të armatosur.

Mesa duket lufta e Tretë Botërore, ashtu si e para e deri diku edhe e dyta, do të fillojnë në Ballkan. Atë do ta ndezin serbët, por do të fajësohen viktimat e Serbisë, shqiptarët, boshnjakët, kroatët e të tjerë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat