Ish-presidenti rus, Dimitri Medvedev, ka marrë rol të veçantë në luftën e Kremlinit për pushtimin e Ukrainës. Jo rrallë herë merr pozat e një radikali ekstremist në raport me sulmet ushtarake të vendit të tij kundër Ukrainës. Para dy ditësh ai përdori metaforën e një dreke me Ukrainën dhe europën në dhomën e ngrënies. Ja si e përshkruan ai bisedën telefonike midis presidentit amerikan dhe atij të Rusisë: “Biseda telefonike mes presidentëve Putin dhe Trump konfirmoi idenë e njohur - ka vetëm Rusi dhe Amerikë në dhomën e ngrënies. Në menu: snacks - lakër Brukseli, peshk dhe patate të skuqura britanike dhe gjel parizian. Pjata kryesore - kotëletë në stilin e Kievit. Shijojeni vaktin tuaj!”, shkroi Medvedev.
Mbetet të konfirmohet vetëm dhoma e ngrënies. Ku është ajo? Në Moskë apo në Uashington? Ndoshta dhe në Riadi. Sigurisht që Medvedev shkruan me lejen e Carit Putin. Ai duket shumë i kënaqur që presidenti amerikan po konfirmon njohjen e Rusisë si Fuqi e Madhe, të cilën nuk mund ta anashkalosh. Ky ka qenë gjithmonë shqetësimi i Kremlinit, lënia në hije e Rusisë nga ana e Perëndimit. Ndaj dhe Medvedev mburret që “së bashku me SHBA-të Rusia do të jetë në dhomën e ngrënies, aty ku Evropa dhe Ukraina serviren në meny”! Është kjo një ironi djallëzore dhe foshnjarake njëkohësisht, e cila në vend të shërbejë për mirëkuptim e paqe,, hedh benzinë në zjarrin e luftës.
Dhe për ironi Dimitri Medvedev nuk u ndal me kaq. Dhomës së ngrënies i shtoi akuza të rënda për evropianët dhe sidomos në adresë të kancelarit gjerman, Friedrich Merz. Dënoi planet europiane për armatimin dhe duket se armatosja e Gjermanisë e ka pataksur. Ndaj dhe kancelarin Merz, e krahasoi me ish – shefin e propagandës së regjimit nazist, Joseph Goebels-in. Në një shënim në platformën Telegram, Medvedev shkruante se Merz „gënjen tashmë, njësoj si Goebels-i“! “Ti po e fillon keq, Fritz” shkroi zv. Shefi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë në Telegram. Madje arrin deri atje sa të parashikojë fundin e Gjermanisë, të njëjtë me atë të vitit 1945, pas kapitullimit në Luftën e Dytë Botërore. Duket qartë që Rusia dëshiron të manipulojë opinionin duke e krahasuar Gjermaninë e sotme demokratike me regjimin diktatorial nazist të Hitlerit. Kështu bënin edhe me Angela Merkel. Vetëm Grehard Schroeder ishte i preferuari I tyre.
Ndërkaq zëdhënësi Kremlinit, Dimitri Peskov, kritikoi ashpër atë që ai e quajti “militarizim të Europës, duke shpreh hapur edhe pakënaqësinë e shtetit rus për planet e shpenzimeve ushtarake shtesë. Madje u shpreh se “Evropa ka zgjedhur të bëhet nxitëse e luftës”! Eshtë fakt se shtetet evropiane po shtojnë në mënyrë marramendëse shpenzimet ushtarake. Sidomos Gjermania, e cila ka vendosur që të shpenzojë një trilion Euro shtesë për të forcuar aftësinë mbrojtëse të saj. Ky vendim i zotit Merz e ka tmerruar Moskën. Dhe ka penguar çdo përpjekje të Kremlinit për të patur në „dhomën e ngrënies shtetet e kontinentit evropian“! Por ndërsa Evropa shton shpenzimet ushtarake për të mos u bërë ushqim për politikat imperialiste të Rusisë, ky “mendimtari i madh” i Shqipërisë e kritikoi BE-në pse e bën këtë. Thoshte se “më mire është të investohet në arsim”! Sikur nuk e dimë ne që ai vetë i ka ulur këto investime, krahasuar me vitin 2013 në vendin e tij.
Por edhe nëse Gjermania shpenzon dhjetë here më shumë se kaq, sërishmi është e pamjaftueshme, po qe se nuk zhvillon një projekt të prodhimit të armëve bërthamore e nukleare. Jo për t’i përdorur kundër paqes, por për ta mbrojtur kontinentin evropian nga çmenduritë e kërcënimeve të Vladimir Putin, i cili nuk le rast pa provokuar me përdorimin e këtyre armëve kundër Evropës. Nuk mjafton që arsenalin bërthamor ta zotërojë vetëm Franca apo edhe Britania e Madhe.
Rusia në Ukrainë që prej vitit 2004 e sidomos prej 2014 ka dëshmuar se është tashmë një Fuqi imperialiste, ekspansioniste dhe e rrezikshme për paqen, stabilitetin dhe sigurinë evropiane. Megjithatë Medvedev përpiqet ta fshehë këtë fakt, duke e krahasuar liderin e CDU-së gjermane, Friedrich Merz, me shefin e propagandës së Hitlerit, Joseph Goebels. Duke kërcënuar se edhe Gjermania e sotme demokratike e luftë mbrojtëse “do ta ketë fatin e Gjermanisë së vitit 1945”! Republika Federale e Gjermanisë është vendi më demokratik i Europës. Gjykata e saj Kushtetuese është modeli i gjykatave kushtetuese të të gjitha vendeve europiane. Të drejtat e qytetare dhe ato sociale realizohen maksimalisht. Por kjo nuk mund të bëhet pengesë që të investojë për mbrojtjen dhe sigurinë e saj.
Por mesa duket Vladimir Putin dhe beniamini i tij, Dimitri Medvedev, nuk duan që Evropa dhe Gjermania të përgatiten e të aftësohen për mbrojtjen e territorit të tyre. Prandaj dhe janë kaq agresivë dhe diversivë njëkohësisht. Megjithatë ky qëndrim na kujton edhe njëherë se rreziku dhe kërcënimi i Rusisë për Evropën, në të cilën bëjmë pjesë edhe ne shqiptarët, është shumë serioz. Imediat është gjithashtu reagimi i të gjitha vendeve evropiane, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Nëse Evropiane kërcënohet nga Rusia, Ballkani kërcënohet nga koburja ruse në rajonin tonë, Serbia. Ndaj dhe marrëveshja ushtarake e nënshkruar ditët e fundit midis Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë duhet të shndërrohet në një marrëveshje aleance për të vepruar së bashku, nëse makineria ushtarake e Serbisë urdhërohet të ndërhyjë në Kosovë ose në Bosnjë-Hercegovinë. Kjo aleancë nuk bën gjë tjetër, vetëm se e disiplinon Beogradin që të respektojë fqinjët e saj.