Njeriu mendon se është i rëndësishëm në jetën e vet, jo për t’ia bërë qejfin vetës, por njeriu është mjeshtri i kësaj bote (pas atij që e ka krijuar), i cili me mendjen dhe duart e veta, arriti të ndërtoj çdo gjë në këtë botë, gjithë atë që ka nevojë njeriu për jetën e vet dhe pastaj, atë ta shkatërrojë shumë lehtë, apo vetëm me një ndrydhje të sustës…
Pasi njeriu arriti të shkojë në hënë dhe pretendon të shkojë edhe në planetët tjera qiellore, duke menduar se njeriu mundet të jetojë edhe në planetet tjera jashtë tokësore, ai zbuloi edhe shumëçka, e cila duhet të konsiderohet jo e natyrshme për njerëzimin dhe gjallesat.
Për të përgatitur vetëm një udhëtim në kozmos, llogaritet një kosto e madhe, me ç’rast njeriu kurrë nuk kishte me pasë krizë në jetën e vet, nëse përpjesëtohet dhe shfrytëzohet ajo shumë materiale për të jetuar çdo frymorë në tokë. Ndërsa, për të përgatitur një kokë bërthamore, llogaritja e kostos është e pa imagjinueshme dhe pasojat ndaj saj mund të janë të pa riparueshme.
Sa ka rëndësi jeta e njeriut, nëse veprohet me vetëdije dhe vetëdija të shfrytëzohet me arsyen e nevojshme, e cila nuk ka nevojë me prodhuar gaz, as tym helmues, dhe as bërthama atomike, por do të prodhojë të mira materiale, që do të thotë, NJERIU dhe çdo gjallesë të frymojë dhe të jetojë e lirë në këtë botë sipas ëndjeve dhe shijeve të veta.
Njeriu, nëse ka nevojë të zbulojë diçka që nuk ekziston ende në prezencën njerëzore, siq është zbulimi i disa planetëve që janë afër me tokën dhe larg me diellin, por nuk ka nevojë të zbulojë bërthamë atomike, për ta zhdukë nga faqja tokësore çdo gjallesë dhe vetë njeriun si „supërqenje“,ose gjallesa më e përsosur, që ekziston në botë.
Njeriu mendon se është i rëndësishëm vetëm atëherë kur diçka zbulon, që do të thotë se, askush deri më tani nuk e ka bërë një zbulim të tillë, pa llogaritur se, pasojat janë më të mëdha se bota e zbulimit, sepse nuk kanë asnjë lloj mundësie për ta zëvendësuar apo riparuar një shkatërrim të tillë njerëzor, apo natyror, atëherë njeriu nuk hapëron me historinë e zhvillimit, por përkundrazi e humbë rëndësinë e vetvetes dhe bëhet shkaktarë i dështimit të jetës së vet.
„Klubi Bërthamor“ , të cilin e përbëjnë SHBA, Rusia, Kina ,Franca dhe Anglia, që pretendojnë të bëhen edhe shumë vende tjera, sikur që është edhe Irani, do të ishte zbulimi më i mirë dhe më i përsosur, sikur të zbulohet bërthama e zhdukjes së kësaj materie të rrezikshme dhe të merren masa konkrete për heqjen e garave në armatimet e tilla, të cilat janë kundër gjallesave tokësore, duke përfshi edhe njeriun si qenie e përsosur e kësaj bote.
Kështu është e pa mundur të definohet kuptimi i jetës, kur njeriu mundohet ta gdhend fatin e vet aq bukur, aq mirë, dhe më në fund e ruan një sekret të krimit, që bota e quan jo një zbulim i ri, por një asgjësim kundra vetvetes dhe kundra gjithë kësaj bote të zhvilluar dhe të standardizuar.