Darka e së premtës mes Albin Kurtit dhe Fatmir Limajt, në një nga restorantet e kryeqytetit duket se ka përafruar edhe më shumë mundësinë e koalicionit VV-Nisma.
Pasi mori “bekimin” e minoriteteve jo serbe për koalicionin qeverisës, Albin Kurtit i duhet edhe ‘po-ja’ e Fatmir Limajt për të arritur shumicën e numrave në parlament.
Nga burimet jo zyrtare thuhet se Limaj nga marrëveshja verbale me Kurtin do të merr tre ministri dhe kryetarin e Kuvendit, si dhe disa zv.ministra, maksimumin e posteve karshi tre mandateve, edhe atë falë koalicionit me AAK, se e vetme s’do të kalonte pragun.
Padyshim se Limaj është shumë i kënaqur, me tre deputetë të arrij të marrë 30% të posteve në qeveri dhe njërën nga tre pozitat më të larta shtetërore.
Edhe Kurti e ka të domosdoshme arritjen e koalicionit me Nismën, përndryshe mund të mbetet në opozitë. Natyrisht se ky koalicion nuk është shumë i fortë për nga numrat, por i mjaftueshëm për të përfunduar mandatin e plotë katër vjeçar.
Pengesë e saj mbetet zgjedhja e presidentit të vendit, me LVV që do të ndodhet para sfidës mes dëshirës së Vjosës edhe për një mandat dhe nevojës për të propozuar një kandidat konsensual. Tani për tani, vendi mund të ecën me koalicionin VV-Nisma, edhe si goditje për “krahun e luftës” që menduan se do ta bllokojnë Albin Kurtin për të qenë prap kryeministër i vendit.