Askush nuk e kishte menduar se, pas 25 vitesh lirie dhe pavarësie, Shteti i Kosovës do të përballej me bllokada, obstruksione dhe hile nga vetë politika shqiptare. Këtë nuk e kishte imagjinuar askush – as skeptikët me pikëpamjet më pesimiste – që fati i institucioneve të Kosovës do të varej nga deputetët e minoriteteve, të cilët, në shtete të ndryshme të Evropës, do ta kishin të pamundur të përfshiheshin edhe në regjistrin e votuesve.
Këtë situatë të dhimbshme për vendin e sollën “komandantët”, “gjeneralët”, “intelektualët” e rremë, dhe “deputetët” pa integritet e servilë – një pjesë e të cilëve kanë qenë pjesë e të gjitha legjislaturave që nga themelimi i Parlamentit të Kosovës. Inatet e politikanëve pa dinjitet, pa kulturë dhe pa moral e kanë përçarë skenën politike, duke dëmtuar shtetin dhe kauzën kombëtare për interesa personale, familjare dhe karrieriste.
A ka turp më të madh sesa institucionet e shtetit të mbeten peng i tekeve të njerëzve të parapolitikës, që janë pjesë e lidershipit partiak dhe grupeve të interesit? Për të sjellë vendin në këtë gjendje nuk ranë dëshmorë – as Adem Jashari me familje, as Agim Ramadani, Sali Çekaj, Zahir Pajaziti me shokë, dhe shumë e shumë heronj të tjerë të këtij vendi.
S’ka nevojë për koment – për vite me radhë, individë dhe grupe të caktuara, përmes partive politike, disa mediave dhe disa analistëve e opinionistëve, kanë punuar fshehurazi, duke përdorur logjistikë të sofistikuar për të krijuar përçarje dhe kaos në shoqërinë kosovare. Fatkeqësisht, si popull, na ka humbur rruga. Populli i Kosovës, edhe në kohërat më të vështira, ka qenë më i ngritur, më i pjekur dhe më i përkushtuar. Sot, për fat të keq, është i përçarë nga klasa politike.
Dikur kemi ditur të lëmë mënjanë interesat personale për të sakrifikuar për të mirën e përbashkët të shtetit. Sot, mafia ekonomike dhe ajo biznesore i ka futur thellë duart në skenën politike, për të mbrojtur interesat e saj mafioze, duke krijuar pasuri marramendëse përmes formave të ndryshme të abuzimit.
Një numër i bizneseve dhe biznesmenëve të përfolur – të njohur që nga koha e Millosheviqit – të cilët janë pasuruar në kurriz të popullit shqiptar, sot kanë depërtuar thellë në politikë përmes kapitalit dhe mediave private, duke diktuar edhe politikat redaktuese e editoriale, me qëllim të manipulimit të opinionit publik.
Kjo është pasqyra reale e gjendjes në shoqërinë tonë, ku politikën e bëjnë maskarenjtë – të neveritshëm dhe të padurueshëm edhe për vetë popullin. Asgjë në këtë botë nuk ndodh rastësisht. Populli shqiptar, në periudhat më të rëndësishme të historisë së vet, është dëmtuar nga vetë “bajraktarët” e politikës, të cilët më shumë kanë luftuar njëri-tjetrin për pushtet sesa armikun e përbashkët.
Edhe sot, në shekullin XXI, janë pikërisht politikanët ata që mbajnë përgjegjësinë kryesore për gjendjen në të cilën është katandisur vendi – ku fati i institucioneve të Kosovës varet nga vota e deputetes Duda Balje. Turp u qoftë të gjithë atyre që shkelin gjakun e dëshmorëve që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në fund, duhet theksuar se ka ardhur koha që disa politikanë, liderë partiakë dhe deputetë, të skuqen përpara fëmijëve dhe familjarëve të tyre për veprimet e tyre të dëmshme ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës.