Bëjeni vetë e mos lejoni që Kosovën ta bëjnë të tjerët për inatin tuaj!

Opinione

Bëjeni vetë e mos lejoni që Kosovën ta bëjnë të tjerët për inatin tuaj!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 26 prill 2025 Në ora: 18:01
Kuvendi i Kosovës

I madhi dhe personaliteti më unik i trojeve shqiptare në letra dhe në patriotizëm, Pater Gjergj Fishta, shkruante në periudhën e e viteve të para pas pavarësisë se “Shqipëria do të bëhet për inat të shqiptarëve”! Më vonë një shkodran e malësor tjetër i madh, Arshi Pipa, do të shkruante se “E dua Kosovën, sepse aty lindi Shqipëria”! Janë dy qasje të tipit eseistik dhe magjik si te ai vargu po fishtjan “Boll po shdrit ky diell e pak po nxeh”!

Këto dy postulate me domethënie të jashtëzakonshme, me kuptim e nënkuptime të lexueshme, duket se janë edhe sot aktuale. Sepse, siç thoshte ambasadorja amerikane, Jacobson, ne shqiptarët jemi vetë ata që “e dh.jmë punën”! I bëjmë m.tin gjithçkaje që nuk na intereson. E në rastin konkret, kur po bllokohet krijimi dhe ndërtimi i institucioneve në Kosovë, duket se as mazhorancës e as opozitës nuk ju intereson Kosova. Duan ta linçojnë atë. Ta lëshojnë në zgripin e luftës për pushtet. Të mendojnë se vetëm pushteti është i rëndësishëm, Kosova jo.

Në vend që të votoheshin mandatet, kandidatët e zgjedhjeve të 9 shkurtit u morën me dëshminë e forcës kundër njëri-tjetrit, pa e ditur se vota nuk ishte as për Kurtin, as për Memlin, Lumirin e Ramushin, por për të çertifikuar veten e tyre si deputetë. Gjashtë herë u refuzua votimi i Albulena Haxhiut për postin e kryetares së Parlamentit. Kurti ka zgjedhur Fatmir Limajn si partner, edhe pse ai ka bërë fushatë kundër korrupsionit. Dmth zgjodhi kampionin e korrupsionit për të formuar qeverinë. PDK, LDK dhe Haradinaj përjashtojnë çdo mundësi për koalicion me Vetëvendosjen, edhe pse ajo ka legjitimitetin e plotë të drejtojë qeverinë dhe institucionet e reja.

Kosovën dhe interesin e saj e ka zëvendësuar interesi për pushtet, egoja për sundim, etja për fuqi e prestigj. Kjo është ajo që po shohim në këto javët e fundit. Kuvendi mblidhet çdo 48 orë, por rezultati është i njëjtë: - Institucionet nuk kanë nis të ndërtohen. E një Kosovë pa institucione nuk i intereson askujt përveçse armiqve të saj, kryesisht Serbisë, Dodikut dhe Vladimir Vladimiroviç Putinit. Dy njohjet që erdhën pas zgjedhjeve, ajo e Kenias dhe e Sudanit, do të duhej ta motivonnin klasën politike të rendte pas shtetësisë. Ndërkohë është e ditur se shtetësi pa institucione nuk ka e nuk mund të ketë. Por vendin e institucioneve dhe të shtetit po e ze pushteti, sundimi. Kësisoj po krijohen kushtet që Kosova të anatemohet, të denigrohet dhe pas kësaj të krijohet ideja se “Shqiptarët janë të paaftë të bëjnë shtet”!

Në fakt shqiptarët janë të aftë për çdo gjë, përveçse ta bëjnë shtetin ashtu si e duan dhe e kërkojnë interesat e kombit. Shihni Shqipërinë. Për pushtet diktatori Hoxha e thëriste Titon në ndihmë se si ta bënin Shqipërinë Republikë të Shtatë të ish-Jugosllavisë”! Për interesat e pushtetit e për pasuri, pasardhësi i diktatorit, Edi Rama, e luste Aleksandër Vuçiq që të bëhen bashkë e ta rikrijojnë Jugosllavinë e në këtë Jugosllavi Kosova të ndahej midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ai është i gatshëm ta bëjë këtë edhe sot e kësaj dite, por iu ka ngushtu laku tashmë dhe e sheh se nuk është i aftë të bëjë operacine të tilla politike për ta garantuar pushtetin e tij të përjetshëm.

Tani në Kosovë po kopjohen Enver Hoxha dhe Edi Rama. Jo me kërkesa të drejtpërdrejta siç bënë ata, por me mosveprim, ose me veprime të gabuara. Me vetëdije ose pa vetëdije, kjo ka shumë pak rëndësi. E rëndësishme është se edhe në Kosovë ka nis që spiuni të kërkojë e të linçojë të tjerët për spuina. Hajduti i korruptuar të gjejë strehë te ai që ka si mision luftën kundër korrupsionit. Ambiciozi për pushtet lutet që shteti të shkojë në kolaps, se ndoshta nxjerr përfitime politike nga kjo krizë. Sharlatani mafioz ende ëndërron që të rikthehet Radoiçiq. Ndërsa qytetari i shkretë mban shpresë se këta do ta përfaqësojnë atë në interesat shtetërore dhe në përpjekjet për arsim, kulturë, shëndetësi dhe mirëqenie. Në fakt pushteti po prevalon përballë nevojës uluritëse për shtet. Askush nuk po llogarit pasojat e kësaj krize artificiale bazuar në inate, hakmarrje dhe urrejtje. Askujt nuk i shkon mendja se kjo krizë e rëndon pozitën e Kosovës dhe e vështirëson pranimin e saj si subjekt legjitim ndërkombëtar të pranuar në OKB.

Në këto kushte duhet të ndërhyjë me urgjencë presidentja e Republikës, zonja Vjosa Osmani. Ajo ka tagrin dhe detyrën që ta ndalojë këtë aventurë politike anti-Kosovë. Duhet t’i thërrasë subjektet politike, përkatësisht drejtuesit e tyre, dhe t’u thotë se vendi ka nevojë për kontributin e tyre, jo për bllokadën e dy-anshme. Kontributi më i mirë do të ishte një koalicion i gjerë qeverisës, edhe nëse këtë nuk do ta pranonte mazhoranca. Po të isha në vendin e Memli Krasniqit dhe Lumir Abdixhikut, do të shpallja gatishmërinë për koalcion qeverisës. Le ta refuzonte Albin Kurti! Përgjegjësia do të shkonte te ai. Kjo do të thotë që Kosovën duhet ta bëjmë vetë. Nuk duhet të lemë askënd, qofshin këta dhe aleatët, që ta bëjnë Kosovën për inattn e politikanëve të saj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat