Kaosi i klasës politike në Kosovë

Opinione

Kaosi i klasës politike në Kosovë

Nga: Remzi Salihu Më: 26 prill 2025 Në ora: 21:18
Remzi Salihu

Qytetarët e Kosovës nuk duhet të befasohen nga papritshmëritë e shumta të klasës politike që veprojnë në parlament, mbasi labilitetin dhe qëllimet karrieriste të politikanëve të tyre, që kanë sjellë këtë ndasi politike të panevojshme në popullatë, e kanë shumë mirë të njohur. Qytetarët e kuptojnë këtë diskrepancë (mospërputhje, mospajtim) grupor, që shfaqin dallueshmëritë partiake midis vetes, por si duhet tejkaluar këtë ngërç mospajtimesh na imponohet pyetja e zgjidhjes racionale. Nëse politikanët e duan shtetin më shumë se interesat personale dhe grupore, zgjidhjen e kanë në duart e tyre.

Kjo gjendje tanimë është e kuptueshme dhe e kapshme për të gjithë, derisa tërë kohën nëpër media e ndeja diskutohet e anohet për këto gjëra që janë në interes të shtetit dhe për ndonjerën nga këto parti ekzistuese. Qëndrimn e LVV-së e kanë paditur dhe përfolur shumë si populiste, kurse grupet tjera opozitare i kanë trajtuar si qëllime karrieriste në vete, të cilët pos disa zhvillime infrastrukturore, e kanë keqpërdorur edhe pushtetin në kohën kur kanë qeverisur para aleancës politike të LVV. Të gjitha këto veprime të klasës politike janë shkaqe dhe pasoja, që sensibilizon qytetarët e vendit nga kënde të ndryshme gjykimi. Prandaj nga këto subjekte reale, ekzistuese, është ndërtuar edhe bindja politike e qytetarit të zakonshëm dhe të atij të angazhuar, për t'i parë drejtë lëshimet apo përparsitë e mundshme politike. Këto ndodhi të fundit, duke mos patur fuqinë e konstituimit të parlamentit, mundësojnë te qytetarët të krijojnë një vetëdije më të përsosur për ta parë më mirë interesin e vet politik e demokratik në shoqëri. Prandaj këto dallueshmëri bëhen shembuj të mirë për të kultivuar në vetëdije qëndrime më racionale dhe më efikase, në përzgjedhjen e kandidatëve të tyre për pushtet. Prandaj ngjarjet që na paraqiten tani si të pakuptimta në skenën politike, nuk duhet të na befasojnë, por duhet të na forcojnë për një përzgjedhje më të mirë në të ardhmen e kësaj shoqërie. 

Kohën e fundit edhe mediat kanë qenë shumë aktive lidhur me zhvillimin e ngjarjeve politike në Kosovë. Fryma e tyre e tendosur dhe kundërshtuese, për nga animi politik, ka mjafuar për të parë arritjet dhe kritikat e tyre. Këta politikanë na kanë dhënë fakte apo argumente bindëse për t'i përshkruar qartë fytyrat politike të pozitës dhe opozitës, ndaj nuk mund të themi se nuk kemi paranjohuri për fërkimet e tyre që janë duke u shfaqur në skenë dhe kundrejt interesave shoqërore, që i kanë vënë para vetes së tyre, si synim kyç për ta arritur qëllimin politik të dëshiruar dhe të suksesshëm. Sipas asaj që shohim tani, në skenën politike të tendosur, që ka krijuar ngërçin politiki të shtangur të mandateve dhe nuk janë në gjendje ta përzgjedhin kryeparlamentarin dhe organet tjera funksionale për t'u formuar më në fund qeveria e ardhshme e shumëpritur. 

Baraspesha e votave, pozitë-opozitë, e solli këtë gjendje kakofonike të mospajtimeve të shumta. U vunë në lojë interesat personale dhe anashkaluan bindjet politike të përzgjedhësve të tyre. Krijuan një kaos politik të papritur. Bllokimi dhe moskonstituimi i parlamentit për katër herë me radhë, në mungesë të numrave të nevojshëm, na kthenë në pikën zero të veprimit politik. Pas kësaj tendence të papajtueshmërive mund të imponohen edhe zgjedhje të reja, të dëshiruara apo të padëshiruara, që do ta matnin pulsin e vërtetë të votuesve të këtij shteti më të ri në Ballkan. Propozimi i LVV për kryeparlametare, Albulena Haxhiun, nuk i pati numrat e mbështetjes. Kështu dështuan edhe gjashtë seancat aprovuara, duke e kushtëzuar politikanët njëri-tjetrin. Por pa e konstutituar kuvendin apo edhe ndonjë marrëveshje tjetër të mundshme, të pajtueshmërisë politike, nuk mund të shkohet në zgjedhje të reja. Krejt kjo ndeshje e vrazhdë bie në sy për të keq edhe te faktorët e huaj politikë. Kurse armiqtë e popullit investojnë për destabilizimin e Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat