10 herë dështuan në Kuvend – politikanët mendojnë për karrige, jo për popullin

Opinione

10 herë dështuan në Kuvend – politikanët mendojnë për karrige, jo për popullin

Nga: Faton Mehmeti Më: 4 maj 2025 Në ora: 15:49
Autori Faton Mehmeti

Duke parë ngjarjet e fundit në Kuvend, ku as për herën e dhjetë me radhë nuk po arrihet të konsolidohet Kuvendi i Kosovës, shfaqet në pah egoja e madhe e politikanëve shqiptarë për karrige, për pushtet.

Derisa për njerëzit e zakonshëm karrigia ka shërbyer si një ndjenjëse me katër këmbë për t’u çlodhur – pra, si një mjet çlodhës – në sistemet monarkiste, mbretërit dhe princat shijonin momente relaksimi në kolltuqet elegante dhe të rehatshme. Ndonjëherë, kur ishin nervozë, kreshpëronin grushtet mbi mbështetëset e kolltukut. Në ato kolltuqe vendosej fati i popujve dhe i njerëzve gjatë historisë së njerëzimit. Kryesisht mbi karrige uleshin njerëz të fuqishëm, në duart e të cilëve varej fati i shumë të tjerëve. Karrigia ka shërbyer si simbol i ngritjes së figurës së mbretit apo udhëheqësit, ndërsa nën karrige klithte populli i varfër, që vdiste për një kafshatë bukë.

"Infektimit" me sindromën "pushteti në karrige, populli nën të", nuk mundën t’i rezistonin as udhëheqësit shqiptarë në Kosovë, të cilët pas luftës kryen një "metabolizëm" të çrregullt me jetën tonë shoqërore. Karriget e politikanëve tanë u ndërtuan aq të mëdha dhe të larta, saqë asnjëherë nuk e panë popullin në sy – sytë në të cilët shpresa po venitet çdo ditë. Mbase, sikur të kishin karrige më të ulëta, do ta shihnin popullin më afër dhe më qartë.

Karrigia është ndërtuar për t’u çlodhur dhe për të punuar; në rastin konkret të qeverisjes, ajo duhet të shërbejë si mjet pune në shërbim të qytetarëve. Duke qenë se ka ndodhur e kundërta, mbi karriget e ministrave dhe kryeministrave të vendit tonë është thelluar vuajtja dhe mjerimi i këtij populli. Katandisja ekstreme ka ardhur si rezultat i faktit se në ato karrige janë ulur njerëz servilë, të papërgjegjshëm dhe shpesh edhe kriminelë me kollare, të kamufluar si shpëtimtarë dhe komandantë lufte. Dhe po të njëjtit njerëz që e kanë degraduar shtetin kur ishin në karrige, synojnë përsëri të rikthehen në to – tani, gjoja, si të ndryshuar.

Pak kanë qenë shqiptarët që e kanë vënë interesin kombëtar mbi atë personal; shumica ende synojnë vetëm pushtetin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat