Konfliktet dhe luftërat nuk duhet të përvetesohen nga askush

Opinione

Konfliktet dhe luftërat nuk duhet të përvetesohen nga askush

Nga: Ejup Berisha Më: 5 maj 2025 Në ora: 11:13
Foto ilustrim

Asnjë konflikt apo luftë që është përkrahur dhe ndihmuar nga populli nuk guxon të cilësohet si pronë e një individi, e një grupi të ngushtë individësh apo e një subjekti të vetëm politik.

Kjo duhet të vlejë edhe për konfliktin e vitit 2001, i cili shpërtheu në vendin tonë mes forcave të armatosura maqedonase dhe pjesëtarëve të ish-UÇK-së. Pra, edhe ky konflikt nuk guxon të konsiderohet si pronë e askujt, edhe pse dikush ka tendenca të tilla. Aq më pak, ai mund të llogaritet si pronë e një subjekti të vetëm politik, i cili është themeluar një vit pas përfundimit të konfliktit.

Është interesante që, prej vitesh, për ngjarjet e vitit 2001 në manifestime përkujtimore flasin gjithmonë vetëm një grup i ngushtë individësh. Mendoj se për konfliktin duhet të flasin edhe njerëz të tjerë, për shembull familjarët e atyre që ranë heroikisht në fushëbetejë, sepse këta do ta bënin me më shumë realizëm dhe sinqeritet.
Ndërsa ai grup i vogël individësh që gjithmonë flet për konfliktin, më duket se ka filluar të bëhet i bezdisshëm, për faktin se shpesh e kanë fryrë apo shtrembëruar realitetin dhe faktet që lidhen me ngjarjet.

Vlerësoj se përshtypjet, vlerësimet dhe ndjenjat e familjarëve të të rënëve në altarin e lirisë do të ishin më origjinale, më të drejta dhe më bindëse sesa ato të individëve që dalin rregullisht para qytetarëve me rastin e përvjetorëve të rëndësishëm dhe flasin shumë.

Një pjesë e atyre individëve që flasin shpesh në përkujtimore tashmë janë politikanë, dhe kjo krijon dyshimin se daljet e tyre publike kanë qëllim mbledhjen e poenëve politikë për veten dhe për subjektin që përfaqësojnë.

Duhet thënë se politikanët shpesh gabojnë, ndërsa populli jo. Politikanët janë shpesh subjektivë, ndërsa populli është më objektiv. Ata dinë të zbukurojnë apo shtrembërojnë faktet, ndërsa populli e thotë realitetin ashtu siç është. Për politikanët ekziston edhe bindja e përhapur se janë gënjeshtarë, prandaj është e vështirë t’u besohet; ndërsa populli, në përgjithësi, nuk gënjen.

Mendoj se edhe këtij të fundit duhet t’i jepet mundësia dhe e drejta të shprehet lirshëm dhe realisht — të ketë më shumë hapësirë në opinion publik që, pas 24 vjetësh, të tregojë vlerësimet e veta reale dhe objektive për arritjet dhe lëshimet pas konfliktit të vitit 2001, jo vetëm politikanët që gjithmonë marrin fjalën.

Sepse, përveç fitoreve gjatë konfliktit, ka pasur edhe lëshime — sidomos gjatë zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, për arsye subjektive. Disa individë kanë qenë udhëheqës të ish-UÇK-së, por nuk duhet harruar se ka pasur edhe shumë kontribuues të tjerë, për të cilët nuk flet askush.

Është shumë keq që askush nuk dëgjon dhe nuk përfill zërin e popullit që ka dhënë kontribut të madh dhe të pakursyer në atë konflikt.

Ripërsëris: nuk mund të përvetësohen përpjekjet për liri dhe barazi nga një individ apo një grup i caktuar. Konflikti i vitit 2001 ishte një veprimtari kolektive rezistence, e përkrahur nga shumica dërrmuese e popullit shqiptar. Është e padrejtë që dikush të marrë guximin të përvetësojë kontributet kolektive vetëm për veten.

Për fund: politikanët e ndërgjegjshëm dhe me vetëdije të lartë kombëtare e madhërojnë gjithmonë kombin e tyre; ndërsa ata të prapambeturit dhe egoistët, madhërojnë vetëm veten.

Për shembull, në Francë, edhe politikanët që kanë udhëhequr revolucione, kur kanë folur për luftërat e lavdishme, nuk e kanë lënë kurrë jashtë popullin francez — gjithmonë kanë thënë: Vive le peuple français.

Ndërsa këtu, disa individë pjesëmarrës në konfliktin e vitit 2001 i japin përparësi vetëm vetvetes dhe flasin përherë për kontributin e tyre individual, jo për sakrificat dhe kontributin e popullit shqiptar.

Ata brohorasin: “Rrofsha unë!”, por jo: “Rroftë populli shqiptar!”

Duhet theksuar se me egoizëm nuk ka as lezet, e as kuptim, as liria e fituar.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat