Në politikë nuk ka vend për inate. Qeverisja është përgjegjësi, jo pronë partiake!

Opinione

Në politikë nuk ka vend për inate. Qeverisja është përgjegjësi, jo pronë partiake!

Nga: Ramiz Selimi Më: 9 maj 2025 Në ora: 18:33
Ramiz Selimi

Nëse ekziston ndonjë mesazh që duhet të përcillet me zë të lartë dhe t’ju thuhet mjaftë, në këtë periudhë të tensionuar politike në Kosovë, ai është ky: Në politikë nuk ka vend për inate. Politika është art i kompromisit, i bashkëpunimit dhe i ndërtimit të urave mes palëve të majta e të djathta, me ide të kundërta, jo përplasje me kokë për murin e kokëfortësisë, duke menduar se: Për inat të resë le të më vdesë edhe djali!

Sot, vendi gjendet në udhëkryqin e budallallëqeve, ku nevoja për institucione funksionale është urgjente, ndërsa realiteti parlamentar është i qartë. Partia e parë ka fituar 48 deputetë, pra nuk i ka 61 votat e nevojshme për të qeverisur e vetme dhe nuk ka mandat absolut, prandaj përgjegjësia më e madhe për të krijuar bashkëpunimin dhe mirëbesimin politik bie mbi partinë fituese.

Kjo situatë kërkon marrëveshje dhe komunikim ndërpartiak. Por, ajo që shohim në praktikë është një barrikadim institucional dhe një arrogancë që tenton të imponohet si forcë udhëheqëse absolute pa pasur bazën kushtetuese për ta bërë këtë. Pse duhet shkuar në zgjedhje, kur rezultati do të jetë i përafërt me të tanishmin? Provoni të gjitha mundësitë, uluni diskutoni, lëreni letrat dhe bisedoni në tavolinë, edhe me ata që i konsideroni të pamundur.

Për stabilitet politik duhet të ofrohet edhe posti i Kryeministrit

Ky është thelbi i krizës që po kalojmë: Mungesa e vullnetit politik për të bashkëqeverisur, për të pranuar se në një demokraci parlamentare fitimi nuk nënkupton pushtet të pakufizuar, por përgjegjësi të madhe për të krijuar stabilitet politik dhe institucional. VV-ja është përgjegjësja e vetme, sepse në demokraci nuk ka diktat, as dominim, por vetëm kompromis, kompromis dhe kompromis.

Kur një parti nuk i ka numrat, ajo duhet të shfaqë fleksibilitet, të dëgjojë zërat e tjerë, të bëjë hapa drejt tjetrit. Pse jo, edhe të ofrojë postin e Kryeministrit një partie tjetër nëse kjo është mënyra për të ndërtuar konsensus dhe për të shmangur zgjedhje të reja që konsumojnë energji dhe thellojnë përçarjen. Në Austri kishim disa herë qeveri nga pakica parlamentare, dhe gjithmonë sfidat politike zgjidheshin përmes marrëveshjeve.

Ofrimi i postit të Kryeministrit nuk është shenjë dobësie, por shenjë pjekurie shtetërore. Kjo tregon se një subjekt politik e ka kuptuar se nuk është i vetmi në skenë dhe se nuk ka të drejtë morale, politike apo historike për të sunduar i vetëm.

Por për fat të keq, një pjesë e mirë e klasës politike kosovare ende e sheh shtetin si pronë të partisë ose, më keq, si mjet për të ushqyer luftëra personale me kundërshtarët. Kokëfortësia politike nuk është virtyt, është formë e vjetruar e udhëheqjes që i bën dëm jo vetëm qeverisjes por edhe vetë demokracisë.

E kemi parë në histori se çfarë pasoja sjell inati politik: bllokime, krizë të përhershme, polarizim shoqëror dhe, në fund, humbje të besimit të qytetarit te institucionet.

Më shqetësuese është se ky polarizim nuk mbetet vetëm në kuvend apo nëpër studio televizive. Ai ka depërtuar thellë në shoqëri. Tifozllëku politik është shndërruar në luftë verbale mes qytetarëve të zakonshëm, në rrjete sociale e deri në rrethin familjar. Kur udhëheqësit japin shembullin e përbuzjes, ofendimeve dhe mospërfilljes për ndryshmin, kjo reflektohet edhe te qytetari.

Demokracia nuk kultivohet me fjalë të mëdha, por me sjellje qytetare.

Dr. Ibrahim Rugova ishte lider i vërtet

Në këtë kontekst, është e pamundur të mos përmendim mungesën që ka lënë pas vdekjes së tij Dr. Ibrahim Rugova, një lider që, pavarësisht sfidave të rënda të kohës, e ngriti urtësinë, përulësinë dhe durimin si virtyte të lidershipit. Sot, më shumë se kurrë, Kosovës i mungon një figurë e tillë, që nuk e shihte politikën si mjet për hakmarrje, por si shërbim ndaj shtetit dhe qytetarit. Kurti, jo që nuk është lider shtetëror, por ai nuk është asgjë më tepër se një autokrat partiak, duke krijuar shumë armiq, si brenda ashtu edhe jashtë, saqë sot është e pamundur të jetë i besueshëm për partnerë.

Çdo politikan që nuk është i gatshëm të dialogojë, të pranojë marrëveshje dhe të ndan përgjegjësinë me të tjerët, nuk duhet të jetë në skenën politike, madje as në opozitë. Vendit i duhen njerëz që e kuptojnë se Kosova nuk është plaçkë për ta ndarë, por amanet për ta ruajtur. Populli ka filluar ta kuptojë se modeli një partiak nuk funksionon dhe se zhvillimi i Kosovës kërkon udhëheqje me marrëveshje, përfaqësim të balancuar dhe respekt të ndërsjellë politik.

Nuk ka zgjidhje pa marrëveshje. Nuk ka shtet funksional pa mirëkuptim politik. Nuk ka demokraci të vërtetë kur përjashtohen zërat e tjerë. Prandaj, është koha që politikanët që i shërbejnë më shumë inatit sesa shtetit, të largohen nga skena. Dhe është koha që qytetari të kërkojë me zë të lartë një politikë të re, që ndërton ura, jo mure.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat