Kapja e shtetit: LDK-ja në shërbim të agjendave antikombëtare

Opinione

Kapja e shtetit: LDK-ja në shërbim të agjendave antikombëtare

Nga: Qani Shabani Më: 9 maj 2025 Në ora: 21:58
Qani Shabani

Deklarata e fundit e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut, se “Vetëvendosje nuk pranoi bashkëpunimin”, nuk është një përpjekje për të ndriçuar të vërtetën politike. Përkundrazi, ajo është një alibi e ndërtuar me ngut, që ka si qëllim të justifikojë rrëshqitjen morale të një partie që dikur udhëhoqi kauza të mëdha kombëtare, por që tani ka humbur kompasin historik. LDK-ja, dikur simbol i rezistencës paqësore dhe i shtetformimit institucional, po shndërrohet në një forcë politike të gatshme për të bërë kompromise të rrezikshme dhe për t’u bërë partner e strukturave që rrezikojnë themelet e shtetit të Kosovës.

Kur LDK-ja pretendon se ka kërkuar bashkëpunim me Vetëvendosjen, kjo nuk ka të bëjë me një projekt reformues, për stabilitetin e shtetit ose për përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët, por është një tentativë për të krijuar një koalicion të fshehtë dhe të papranueshëm me forcat më regresive të vendit. Ky koalicion, përfshirë edhe Listën Serbe – instrumentin politik të Beogradit në zemër të institucioneve të Kosovës, është një kërcënim direkt për sovranitetin e Kosovës. Ndërsa Vetëvendosje ka refuzuar këtë bashkëpunim, kjo ka qenë një akt i qartë për mbrojtjen e sovranitetit dhe të vullnetit demokratik të qytetarëve, të cilët kërkuan ndryshim, jo kthim në të kaluarën dhe në marrëveshje që e dëmtojnë unitetin dhe pavarësinë e Kosovës.

Mospranimi i këtij “bashkëpunimi” nga Vetëvendosje nuk është përçarje politike. Përkundrazi, është një veprim i domosdoshëm për mbrojtjen e parimeve demokratike dhe të drejtësisë. Vetëvendosje ka bërë një hap të rëndësishëm për të mbrojtur dhe forcuar shtetin, duke hequr dorë nga një koalicion që do të çonte në rikthimin e një të kaluare të errët, ku politika e shtetit shqiptar do të kontrollohej nga faktorë të jashtëm dhe të brendshëm që nuk kanë asnjë interes në forcimin e shtetësisë kosovare.

LDK-ja, për inat të një kryeministri që nuk e kontrollon dot, është e gatshme të ftojë në qeveri strukturat nën komandën e Aleksandër Vuçiqit, një figurë që ka provuar se nuk ka interes për stabilitetin e Kosovës, por për forcimin e ndikimit të Beogradit. Kjo nuk është thjesht papërgjegjësi politike; është një akt i pastër i nënshtrimit politik dhe tradhti ndaj parimeve mbi të cilat u shpall pavarësia e Kosovës. Kur një parti e thërret Listën Serbe në qeveri vetëm për të larguar Albin Kurtin, ajo jo vetëm që po cënon sovranitetin, por po heq dorë nga të drejtat e qytetarëve të Kosovës për një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt.

Kjo është LDK-ja që nuk ka më lidhje me ndershmërinë dhe idealet e saj të mëparshme. Është LDK-ja e nënshtruar, që po përpiqet të mbajë pushtetin me çdo çmim, përmes një aleance të rrezikshme me forcat që kanë si qëllim destabilizimin e Kosovës. Kjo LDK është e gatshme të heqë dorë nga aspiratat për një shtet të pavarur dhe sovran, dhe t’i shtrijë dorën atyre që ende nuk e kanë pranuar shtetin e Kosovës, vetëm për të realizuar ambiciet e saj personale dhe të momentit. Ky nuk është vetëm një hap i gabuar, por një lëvizje që mund të ketë pasoja afatgjata për të ardhmen e Kosovës.

Kjo opozitë, e cila dikur ishte e angazhuar për një ndryshim të thellë dhe të qëndrueshëm në Kosovë, tani nuk kërkon tranzicion institucional, por po punon për një kapje të re të shtetit. Ajo nuk po ofron zgjidhje për problemet e Kosovës, por po sjell kaos dhe pasiguri. Ky “bashkëpunim” i propozuar me forcat regresive është një tentativë për t’i kthyer Kosovës një periudhë të errët, të ngjashme me atë të qeverive të diktuara nga pazaret nën tryezë dhe telefonatat nga ambasadat e huaja. Ky është një hap që kërcënon të destabilizojë shtetin dhe të kthejë prapa përpjekjet për të forcuar pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

Përfshirja e Listës Serbe në një projekt qeveritar, sado e maskuar me retorikë institucionale, është forma më e pastër e përuljes politike dhe dekompozimit të sovranitetit. Kjo është një kërcënim direkt për të gjitha arritjet e deritanishme të Kosovës, që janë rezultat i sakrificave të qytetarëve dhe luftës për liri dhe pavarësi. Kosova ka dhënë shumë për t’u bërë shtet i njohur dhe i respektuar, dhe është e papranueshme që tani të bëhet pjesë e një loje të rrezikshme, që po e rrezikon të ardhmen e saj.

Kosova nuk është një platformë për pazare politike. Është një projekt i gjakut, i betimit dhe i dinjitetit. Ata që e përdorin këtë projekt për interesa personale, do të mbesin të turpëruar para historisë. Është koha që qytetarët të ngrihen përtej ndasive partiake dhe të mbrojnë shtetin. Sepse pavarësia nuk është pronë e një partie – është përgjegjësi e një populli. Kjo është një betejë për të mbajtur të gjallë idealet e lirisë, për të forcuar shtetin dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt për të gjitha brezat që do të vijnë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat