Koha po dëshmon se egoja, interesi financiar dhe bajraktarizmi kanë qenë ndër faktorët përcaktues që Shqiptarët, për shekuj me radhë, kanë qenë të përçarë në luftën për pushtet. Nëse i rikthehemi ngjarjeve historike të popullit Shqiptar, do të bindemi se shumë nga personalitetet më të shquara të këtij kombi, të cilët dhanë gjithçka për interesin Shqiptar, përfundimisht u vranë pas shpine nga armiqtë e Kosovës, shpeshherë të ndihmuar edhe nga grupe të caktuara që synonin epitetin e të parit – me një fjalë, bajraktarizmin. Fatkeqësisht, edhe përkundër zhvillimeve kulturore dhe emancipimit të shoqërive në Ballkan dhe në Evropë, politika Shqiptare nuk po arrin të shërohet nga botëkuptimet e vjetra dhe plagët historike, duke i dëmtuar aspiratat shekullore të popullit për ndërtimin e një shoqërie normale, të aftë për të marrë përgjegjësi dhe për të udhëhequr shtetin. Nëse bëjmë një analizë racionale dhe shkencore, vërejmë se këto probleme janë ende të pranishme në të gjitha trojet ku jetojnë Shqiptarët dhe ku zhvillohet politika për ndërtimin e institucioneve shtetformuese. Sot, kur populli Shqiptar është i ndarë në katër shtete, në vend që të vetëdijesohet për të ndërtuar unitet politik dhe kombëtar, kjo ende nuk po ndodh. Situata në Shqipëri është tejet shqetësuese dhe e tensionuar brenda spektrit politik, ku lufta për pushtet vazhdon edhe dekada pas rënies së komunizmit. Polarizimi politik ka arritur në nivele ekstreme, duke u shndërruar në një formë të krimit të organizuar, ku droga, korrupsioni dhe kriminaliteti po e mbytin këtë vend. Parlamenti i Shqipërisë është shndërruar në një “arenë përleshjesh”, ku akuzat, shpifjet, gjuha denigruese dhe kërcënimet janë bërë përditshmëri në komunikimin ndërmjet deputetëve dhe partive politike.
Protagonistët kryesorë të kësaj situate janë Edi Rama dhe Sali Berisha, të cilët, në emër të popullit, po zhvillojnë një luftë politike që më shumë i shërben ambicieve personale për bajraktarizëm, sesa interesave kombëtare. Gjendja në Republikën e Kosovës nuk është më e mirë. Dymbëdhjetë seanca të dështuara për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit tregojnë fytyrën e vërtetë të një klase politike që, përmes deputetëve partiakë, ka bllokuar sistemin dhe po e rrezikon të ardhmen e shtetit. Ky sindrom i luftës për pushtet dhe bajraktarizëm vazhdon edhe te Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Vetë fakti që Shqiptarët atje janë të ndarë në 14 parti dhe nisma politike tregon se edhe këtu gara për pushtet nuk ka të ndalur. Gabimet që bëjnë Shqiptarët përmes politikës janë të pafalshme. Kjo u vërtetua edhe dy vite më parë me rastin e Driton Abazoviqit, i cili, duke u avancuar në pushtetin e Malit të Zi me ndihmën e politikës nacionaliste serbe nga Beogradi, e solli pushtetin e Kishës Ortodokse Serbe ne Mal te Zi, duke i rrenuar urat miqësore që ishin ndërtuar nëpërmjet politikave racionale - miqesore të Millo Gjukanoviqit në të mirë të Shqiptarëve. E njëjta gjë ndodhi edhe me Shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët për interesa personale dhe bajraktarizëm u përçanë shumëfish, duke dëmtuar kauzën për unitet kombëtar. Andaj, mendoj se lufta për pushtet dhe bajraktarizmi, gjatë historisë sonë, kanë qenë të dëmshme dhe të pafalshme, duke e cenuar rëndë kauzën kombëtare Shqiptare. Këtë gjendje e sollën vetë politikanët Shqiptarë të cilët e tradhtuan interesin e kombit, për egot për tu bërë i pari.