Diaspora si një potencial i pashfrytëzuar shtetformues

Opinione

Diaspora si një potencial i pashfrytëzuar shtetformues

Nga: Agim Vuniqi Më: 25 maj 2025 Në ora: 15:47
Agim Vuniqi

Koha kur një armatë e tërë aktivistësh të mërgatës shqiptare u rreshtua për të ndihmuar Kosovën – në luftë, në shtetformim, në zgjedhje – duket se po na duket gjithnjë e më shumë si një flusk sapuni: shfaqet, ndriçon një çast, e zhduket pa gjurmë.

E kam përjetuar vetë këtë përkushtim, në forma të ndryshme: qoftë përmes përkrahjes politike, përshkrimeve, takimeve në rrethe te ngushta për audiencë amerikane, për të nxitur diasporën që të votojë për ndryshim. Por kjo energji, sado e fuqishme në moment, nuk ka pasur as strukturë të qëndrueshme, as ndikim afatgjatë. Përkundër mbështetjes masive që diaspora i dha Qeverisë Kurti në vitin 2021 dhe 2025, asnjë mekanizëm i qëndrueshëm nuk u ngrit për ta institucionalizuar këtë ndikim.

Mësimet nga diaspora izraelite, armene e irlandeze në SHBA

Po të shohim përtej vetes, do të shohim modele funksionale si:

Diaspora izraelite në SHBA, nëpërmjet organizatës AIPAC, ka ndërtuar një makineri të sofistikuar lobimi, me qindra takime në Kongres çdo vit, raportime të përditshme për politikën e jashtme dhe një fondacion të fuqishëm për ndihmë ekonomike dhe ushtarake për Izraelin.

Diaspora armene operon përmes ANCA-s, e cila çdo vit dërgon me dhjetëra rezoluta në Kongres për njohjen e gjenocidit armen dhe për ruajtjen e interesave të Armenisë në rajonin e Kaukazit.

Diaspora irlandeze, për dekada, ka ndikuar në politikën e jashtme të SHBA-së ndaj procesit të paqes në Irlandën e Veriut, duke mobilizuar mbështetje dypartiake në Kongres dhe në Shtëpinë e Bardhë.

Çfarë kanë këto diaspora që neve na mungon?

Ne kemi energjinë, por na mungon struktura

Në diasporën shqiptare kemi profesionistë, aktivistë, ushtarakë, profesorë, inxhinierë, dhe shumë prej tyre janë të përfshirë në rrjetet politike dhe diplomatike të Amerikës. Por nuk kemi një strukturë permanente lobuese. Nuk kemi një zyrë koordinimi që të shkojë çdo muaj në Kongres, nuk kemi një think-tank që të prodhojë raporte për Kosovën, nuk kemi as databazën më të thjeshtë të përkrahësve tanë në administratën amerikane.

Sot, në kohën kur SHBA është në prag te ndryshimeve te brendshme rrënjësore  dhe kur politika e jashtme po riformulohet, Kosova nuk ka një zë të fuqishëm që të trokasë në dyert e Kongresit, në zyrat e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, apo në takimet e Departamentit të Shtetit.

Si mund të ndryshojmë këtë realitet?

Në vend që të kthehemi në pasivitet pas çdo zgjedhjeje, duhet të ndërtojmë një platformë të përhershme të diasporës shqiptare në SHBA, me këto shtylla:

Krijimi i një Këshilli të Lobimit Shqiptar në SHBA (KLSH): - Një trup jopartiak, me profesionistë të mirënjohur në SHBA, që do të ketë mandat të përfaqësojë interesat e Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkan para Kongresit dhe administratës.

Hartimi i një Agjende Lobimi vjetore: - Çdo vit, të përgatitet një dokument zyrtar me kërkesat strategjike:

- forcimi i shtetësisë së Kosovës,

- avancimi i marrëdhënieve me NATO-n

- njohjet e reja ndërkombëtare,

- respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.

Takime të përmuajshme në Kongres dhe Departament të Shtetit: - Delegacione të diasporës të organizuara rregullisht, të cilat paraqesin raporte dhe kërkesa të koordinuara me institucionet e Kosovës.

Ndërtimi i një databaze të ndikimit: - Të regjistrojmë shqiptarët që punojnë në qeverinë amerikane, në institucione akademike, në think-tanks, për të krijuar një rrjet të ndikimit të brendshëm.

Fushata të koordinuara gjatë zgjedhjeve në SHBA

Diaspora shqiptare ka shumë qytetarë të SHBA-së që votojnë. Pse të mos përfshihen në fushata ndërgjegjësimi për mbështetje politike për çështjet shqiptare?

Nuk na mungon potenciali, na mungon organizimi

Besoj se diaspora shqiptare, nëse do te ishte e strukturuar më mirë, mund të jetë po aq efektive sa AIPAC-u izraelit ose ANCA armene. Por kjo kërkon që të dalim nga modeli emocional dhe episodik i angazhimit. Nuk mjafton vetëm të votojmë për një qeveri në Kosovë – duhet të ndërtojmë një mekanizëm që punon për interesat tona çdo ditë, në Washington D.C., në Nju Jork, në Gjenevë, dhe në Bruksel. Nëse nuk e bëjmë këtë, do të vazhdojmë të jemi një “flusk”, që përmendet veç kur ka zgjedhje – dhe harrohet sapo të mbyllet kutia e votimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat