Nexhmedin Spahiu ka takuar para disa ditësh ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq. Ulurimë e madhe po bëhet për këtë ngjarje. Dikush thotë se “me Serbinë jemi në luftë” e për pasojë Nexha nuk duhej takuar me Gjuriq. Një veteran i thoshte Spahiut në ekran televizioni se “turpërohem me ty”! Të tjerë e kanë quajtur tradhtar, “të pa besë”! Gjithçka u tha me këtë rast. Iu sulën, sikur Nexhmedin Spahiu të kishte realizuar vërtet ndonjë akt tradhtie të jashtëzakonshme! Megjithatë objekt i këtij komenti nuk është ajo çfarë bëri ose nuk bëri Nexhmedin Spahiu. Sepse është e drejta e gjithkujt të takohet ose jo me dikë, qoftë ky edhe ministri i Jashtëm i Serbisë. Ndërkaq edhe unë do të isha kritik ndaj tij, nëse Nexha nuk do ta bënte publike takimin në fjalë. Ose nëse ai do të përpiqej ta mohonte një gjë të tillë.
Por ky rast më ka shokuar për disa arsye të tjera. Shumë prej politikanëve e, për fat të keq edhe të analistëve në Kosovë e në Shqipëri, gjykojnë e vlerësojnë me kritere të ndryshme të vërtetat e ngjashme. Kur diçka e bën ai që “unë nuk e dua, është armiqësore, madje është tradhti, ose e keqe”! Kur e bëj vetë, ose e bën miku im i të njëjtës ideologji apo i të njëjtit krah politik, sekt apo të së njëjtës familje, atëherë kjo nuk quhet as tradhti, as gjë e keqe, as punë armiqësore. Ky qëndrim me standarde të ndryshme është jo parimor, është shenjë e prapambetjes sonë civilizuese jo vetëm si shoqëri, por edhe si elitë politike dhe intelektuale. Ne kërkojmë armiq thjesht sipas kriterit, nëse dikush është me mua, apo kundër meje! Le të marrim disa shembuj.
E para, a nuk e kemi parë se si presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, vrapon në sallë për ta takuar Baton Haxhiun? A nuk jemi dëshmitarë të faktit se sa shumë dashuri, respekt e mirënjohje i jep kreu i shtetit serb, Batonit? A nuk e dimë ne se Batoni ua thoshte kolegëve të tij në vitin 2018 troç “tradhtinë e vet”, duke kërkuar ndarjen e Kosovës, harresën e luftës e të viktimave të saj në vitet 1998-1999 dhe zhbërjen e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë?! A nuk jemi dëshmitarë të faktit kur Baton Haxhiu u ngrit me shkop tregues në hartë gjatë një emisioni të Blendi Fevziut për të vizatuar hartën e re politike të Kosovës pas ndarjes, madje me madhështinë e një militanti pro-serb?! Këta që sulmojnë Nexhmedin Spahiun sot nuk e thanë asnjë fjalë të keqe për Baton Haxhiun dje. Ndërsa sot hiqen se janë “patriotë”! Patriot nuk mund të jesh, një ditë po e një ditë tjetër jo! Nëse je patriot, atëherë je i tillë çdo ditë, çdo orë e çdo minutë!
E dyta, ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lame, pati deklaruar se gjatë kohës së saj në atë mision, presidenti i Repubikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kishte bërë takime të fshehta po në Itali. Me kë? Me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ishte koha kur Vuçiq dhe Thaçi deklaronin në forume e samite ndërkombëtare se ishin pajtuar ta zgjidhnin konfliktin Kosovë-Serbi nëpërmjet ndryshimit të kufijve, pra ndarjes së Kosovës. Nuk po i përmend të gjitha përpjekjet e zotit Thaçi për ta zhbërë Kosovën e shtetin e saj në ujdi të plotë me kryeminsitrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq! Historia do ta dëshmojë angazhimin e tyre anti-shqiptar! Por si është e mundur që këta veteranë dhe analistë e morën në mbrojtje veprimtarinë e fshehtë e të hapur të ish-presidentit të vendit për ndarjen e Kosovës? Si nuk e thanë një fjalë pse duhej që takimet e dy presidentëve, atij të Kosovës dhe atij të Serbisë, ose takimet e tjera tri-palëshe edhe me Edi Ramën, të ishin të fshehta?!
Analizat historikisht kanë përfshirë veprimin e njerëzve. Parimi është i njëjtë për të gjithë. Gjykatat p.sh dënojnë njësoj kriminelët që kryejnë të njëjtin krim. E drejta shtetërore dhe njerëzore nuk njeh diferenca në dënimin dhe gjykimin e veprave të njëjta me dëm publik. A e njohin këtë parim ata njerëz që dalin në ekrane e në medie dhe bëjnë gjyqin e Nexhmedin Spahiut, ndërkohë që veprat makabre të njerëzve që admirojnë nuk u bëjnë përshtypje?! Çdo gjë ka masë. Nexhmedin Spahiu nuk ka bërë asgjë të pamoralshme dhe të padenjë. Do të ishte e padenjë për një intelektual që të refuzonte një takim apo një bisedë edhe me Marko Gjuriq. Do të tregohej i padenjë, i pazoti për t’u ballafaquar dhe argumentuar idetë e veta. Kjo do të na turpëronte dhe jo fakti që takohesh me dikë, qoftë ky dhe Gjuriq. Do të ishte e dënueshme gjithashtu nëse publiku do të ishte njoftuar nga p.sh mediet serbe për këtë takim dhe jo nga vetë protagonisti i takimit, Nexhmedin Spahiu.