“Është vetëm çështje kohe se sa shpejt disa vende do ta zyrtarizojnë vendimin e tyre për të na njohur”, kështu kishte deklaruar presidentja Vjosa Osmani në shkurt të këtij viti.
Nga politikanët e opozitës dhe jo vetëm, kjo deklaratë u konsiderua si retorikë politike, por që nuk rezultoi të ishte e tillë. Pas dy muajsh, Kosova u njoh nga Kenia dhe Sudani. Njohja nga ky i fundit ndodhi pas takimit të presidentes Osmani me ministrin e Jashtëm të Sudanit, Ali Yousuf al-Sharif, në Antalia, Turqi, më 12 prill.
Pas këtij takimi, në një njoftim në platformën X, Osmani tha se Kosova dhe Sudani janë pajtuar për të vendosur marrëdhënie diplomatike. Fuqia politike e presidentes Osmani dëshmohet edhe në vizitat e saj në vende të ndryshme, në veçanti në SHBA. Para pak ditësh, po në SHBA, Osmani mbajti një fjalim në darkën e organizuar nga Kongresi Amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s.
SHBA-të në vazhdimësi kanë theksuar rolin pozitiv të presidentes si një urë lidhëse në raportet e Kosovës me aleatët e saj strategjikë, në veçanti duke vlerësuar kontributin e presidentes Osmani. Kështu, Vjosa Osmani po ecën në rrugën dhe vizionin e presidentit Rugova, të cilin Ambasada e SHBA-së e përkujtoi në 19-vjetorin e vdekjes me mesazhin: “Njeriu që frymëzoi Kosovën dhe mbarë botën.”
Duke ecur në rrugën e dr. Rugovës, presidentja Osmani po dëshmohet si një aleate e besueshme e SHBA-ve, të cilat e çmojnë rolin dhe përkushtimin e saj për ruajtjen e marrëdhënieve Kosovë–SHBA.
Fuqia diplomatike e presidentes Osmani është forcuar edhe më tej nga “ftohja” e raporteve të Qeverisë me ndërkombëtarët, për shkak të vendosmërisë së saj për shuarjen e strukturave paralele në veri dhe një sërë ngjarjesh të tjera të zhvilluara pa koordinim me ndërkombëtarët.